Partia Demokratike ka reaguar pas sulmeve kibernetike të Iranit në drejtim të vendit tonë, duke i cilësuar një “agresion të vërtetë ndaj infrastrukturës digjitale të vendit, duke kërcënuar rëndë sovranitetin e vendit, sigurinë kombëtare, dhe duke krijuar kaos ë madh në shërbimet dhe lëvizjen e qytetarëve”.
“Me këto sulme, Irani ka dhunuar si shtet zuzar ligje dhe konventa ndërkombëtare. PD dënon me forcën më të madhe këto akte banditeske të regjimit teokratik iranian dhe falënderon me mirënjohje dënimin e këtyre sulmeve nga SHBA , NATO dhe BE. PD gjithashtu vlerëson mbështetjen e tyre për Shqipërinë”, tha Garo.
Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses Garo tha se kjo është një lojë e Ramës për të pajisur patronazhistët me të dhënat personale të 1 mln shqiptarëve. Ajo shtoi se pas ndërtimit të infrastrukturës digjitale nga qeveria Berisha, u ngrit njësia e mbrojtjes kibernetike të sistemit e përbërë nga ekspertë të përzgjedhur dhe të kualifikuar në këtë fushë në SHBA.
“Serverat e sistemit u vendosën në vendet më të sigurta brenda vendit. Me ardhjen e Edi Ramës në pushtet, aktin e parë që bëri, shkriu njësinë e sigurisë kibernetike duke e konsideruar si njësi spiunazhi digjital. Së dyti, me tendera të dyshimtë, serverat e sistemit u transferuan jashtë vendit”, tha Garo.