Bob Dylan, trubaduri pambarim

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga: Bujar Meholli

Pjesë e familjes së madhe të poetëve-rokerë, gjegjësisht, poetëve-këngëtarë-muzikantë është Bob Dylani, kantautori fitues i gjithë çmimeve të rëndësishme artistike. Dylani përfaqëson më së miri artistin e angazhuar të gjysmës së dytë të shek. XX, kritikun social, antikonformistin, beat-poetin që i qëmtojë idesë së lirisë, barazisë, drejtësisë sociale e paqes. Ky bard i “pambarim” porsi poet antik grek këndoi lirikat e tij për më se pesë dekada, u shndërrua në idhullin e rinisë progresiste amerikane, karriera e tij qe e ngjizur me famën e pashmangshme dhe me të qenurit zë i brezit që shihte përpara, drejt demokracisë dhe prosperitetit. Të shkruash për këtë figurë poliedrike nuk është lehtë, ta përmbledhësh tërë krijimtarinë gjigante dilaniane që shtrihet nga vitet ’60 e tutje (deri sot). Gjithë këtë kohë, si artist ishte në ballë të ngjarjeve socio-politike duke i kënduar fjalët e tij sikur një Pindar apo Anakreont i Greqisë antike.

A është njëmend Dylani poet? Kjo, vërtet s’do mend — po! Madje, i afirmuar! Në njërën nga ligjëratat për poezinë, Borgesi thekson se kur shkruhet për diçka ekziston ndjesia se ajo, diçka, ka paraekzistuar. “E kam të qartë pak a shumë fillimin dhe fundin, pastaj zbuloj ca nga ca pjesët e ndërmjetme. Por nuk kam përshtypjen se i shpik, nuk mendoj se ato varen nga vullneti im i lirë; gjërat ekzistojnë kështu, ato janë të fshehura dhe detyra ime është që t’i zbuloj”, shprehet ai. Duke qenë se poezia ndjehet, Dylani i hyri kësaj rruge — të gjurmojë në gurrën e pashtershme të Artit të Madh & t’i zbulojë gjërat që tregojnë rrugën drejt prosperitetit, vendosjes së drejtësisë sociale, zhdukjes së dallimeve racore, gjinore, fetare. Platoni, veç tjerash, e përkufizonte poezinë si të shenjtë; Dylani kishte aq impakt të madh me lirikat dhe mesazhet e tij saqë mend konsiderohej “poeti-profet”… Ja çfarë vargjesh thur ai në poezi-këngën protestuese me titull “Ustallarët e luftës”: Ju ustallarë të luftës, që i prodhoni të gjitha armët ndërtoni aeroplanët vdekjeprurës prodhoni bombat e mëdha, fshiheni aty pas mureve e sorollateni rreth tryezave;  ta dini se mund t’ju shoh fare mirë përtej maskave tuaja! Ju jeni ata që këmbëzat i tërhiqni ndërsa të tjerët mes vete batërdisen, më pas bëni sehir për shtatë palë qejfe dhe kur vdekjet shtohen ndjeshëm, përdridheni në vilat tuaja teksa gjaku i të rinjve përskuq tokën e më pas shuhet i varrosur në baltë… (shqipëroi: BM)

Duluthi, qyteza e minatorëve në Minesota, do të mbahet mend përjetë si vendlindja e këtij gjeniu, që lindi si Robert Allen Zimmerman më 24 maj të vitit 1941, në spitalin e “Shën Marisë”. Erdhi në këtë botë si fryt i marrëdhënies së Abramit dhe Betit, prindërit e tij, hebrenj të amerikanizuar. Mes ndryshimeve të mëdha të pasluftës, po rritej Roberti i vogël që veçse kishte nisur jetën me mrekullitë e artit – ndiqte filma, luante muzikë, dalldisej nga Marlon Brando & James Dean. Kishte pasion për motoçikletat, veshjet shik dhe anën spirituale. Kështu, në vitet ‘50, kuturis të hedh diçka në letër si dhuratë për nënën; absolutisht ato janë krijimet e para poetike të tij. Nis të mësojë dhe të luajë piano, por jo edhe notat! Nuk mund të fokusohej aty, ndaj luante e nxirrte tinguj sipas kokës së vet. Pas ca sorollatjeve, më në fund, kapi në duar një kitarë e cila më s’ju hoq për vite e vite, duke u shndërruar në instrument me të cilin Dylani bëri botën të ndalet dhe t’i dëgjojë fjalët e tij të shoqëruara me tinguj dhe vargje rrëqethëse. Ahere rrinte pranë radios dhe me afsh dëgjonte Hank Williamsin, Elvis Presleyn, Woody Guthrien, Little Richardin e të tjerë, me të cilët jetonte, ai u përkiste, ata së shpejti do ta merrnin në gjirin e tyre. Megjithëse s’mundi të përqendrohej në studimet për artin në Universitet, nisi ta bëj vet atë. Dhe kështu nisi rrugëtimi pambarim i tashmë Bob Dylanit (ishte adhurues i poetit uellsian Dylan Thomas nga i cili e huazoi mbiemrin) që interpretonte nëpër New-York. Fillimi i viteve ‘60 e gjen aty, në Greenwich Village, ku gëlonte jeta artistike mes shumë kafeneve, kabareve, ku artistët bohemë mblidheshin e diskutonin për jetën, artin, filozofinë e lirinë. Në hotel “Chelsea”-n e famshëm ai bariste duke mbajtur copëza letrash në të cilat hidhte fjalët e para që do të bënin jehonë anembanë botës. Gjatë asaj kohe studionte çdo tekst e melodi të Woody Guthrie-t, “atit” të tij artistik, pastaj teatrin e Brechtit, poetët e mëdhenj modernë francezë si Baudelaire, Mallarmé, Verlen, Rimbaud, etj, perlat e folkut anglez, skocez e irlandez; kështu gjeti rrugën e tij dhe gjërat që do t’i zbulonte…

Lexo edhe :  Trashëgimia kulturore në Gjirokastër, nën kërcënimin e zjarreve

Incizimet filluan. Zëri i tij ende i papjekur ishte grishës, për më tepër mesazhet anti-luftë, pro paqe e solidaritet të cilat po e fascinonin publikun. Ç’ishte ky djalosh vallë? Pale ky talent në të shkruar! Këtë e dinte New-Yorku, djepi i lëvizjeve artistike i cili e kishte marrë në gjirin e tij. Kështu Dylani prodhoi lirika të shumta, tronditëse, madhështore, profetike, romantike/sublime, të cilat i deklamonte para gjeneratës së tij, zëdhënës i së cilës u bë. Tekset e këngëve si “Blowin’ in the wind”, “A hard rain’s a-gonna fall”, “Only a pawn in their game”, “Masters of war”, “To Ramona”, etj, që i qëndisi si djalosh, u bënë himne madhështore e të përjetshme në ballë të lëvizjeve qytetare për liri, barazi, drejtësi sociale & prosperitet. Sot, Bob Dylani është kult; ai kudo përmendet me respekt të thellë për gjithë atë karrierë të vrullshme të cilën e bëri me shpirt e pasion. Për pesë dekada Dylani ishte në qendër të vëmendjes për secilin veprim; sepse definitivisht Dylani nuk është i zakonshëm siç nuk ishte as paraardhësi i tij Woody. Dylani regjistroi duzinë albumesh muzikore (rreth 45) ku përfshihen gjitha zhanret e mëdha që nga folku tradicional, klasik, rock & rolli, xhazi, bluzi, swingu, kantri, gospeli…

Sa për çmimet, ato i ka fituar të gjitha sepse krijimtaria e tij vjen e ngritet mbi secilin çmim, por gjithsesi ai fitoi Grammy Awards, Golden Globe, Medaljen e Lirisë së cilën ia dhuroi Presidenti Barack Obama, Pulitzer, Nobel për letërsi… e çka jo tjetër? Pasardhësi i Woody-t u pranua gjithashtu edhe në Rock and Roll Hall of Fame dhe u nderua me Kennedy Center Honors. Qindra kritikë flasin e shkruajnë për të, studentët mësojnë nëpër Universitete për poezitë, muzikën e impaktin që pati dhe ka në botë ky gjigant që ka mbi 80 vjet jetë. Dhe ç’jetë! Sa më përket mua, ai ma ka ndryshuar jetën! E njoha herët, u dalldisa nga ai dhe s’m’u hoq asnjëherë as gjatë studimeve për letërsinë, as pas tyre. Më ishte çdoherë pranë si një njeri i dashur, i vlefshëm, zemërgjerë, që e ka trasuar rrugën e suksesit e të fton dhe ty e të ndihmon t’i futesh asaj… Andaj, për mua emri Bob Dylan do të thotë shumë; prodhon ndjenja aq të larta, të shenjta, që s’mund t’i shpreh dot e t’i nxjerr nga zemra për t’i përshkruar… Dylani është brenda meje, madje, thellë, shumë thellë… Me çfarë pathosi i shkruan paqes dëshmojnë këto vargje ikonike: Tani po largohem avash-avash me një lodhje ferri që më ka kapluar, pështjellimin që brenda e ndjej s’ka gjuhë që mund ta rrëfejë, fjalët e mendimet ma mbushin kokën plot pastaj rrjedhin e bien nëpër tokë; nëse Zoti në anën tonë do të qëndrojë, luftën e ardhshme do ta ndalojë… (BM)

Të fundit

Kroçiera gjigande ‘Nautica’ zbarkon në Durrës, sjell në Shqipëri 676 turistë

Anija turistike “Nautica”, pjesë e flotës së mirënjohur Oceania Cruises, është ankoruar sot në kalatën nr. 5 të Portit...

Rregullorja/ Si bëhet aplikimi dhe dokumentacioni për vitet e punës para ‘93 për pension

Hyn në fuqi rregullorja që i hap rrugë njohjes së periudhave të punës në ish-ndërmarrjet shtetërore përpara vitit 1993, për efekt përfitimi të pensionit. Sipas...

Flakët “shkrumbojnë” ullinjtë dhe vreshtat në Belsh! Rrezikohen dhe banesat

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe me ullinj dhe vreshtari në Fierzë të Belshit. Mësohet se flakët kanë përfshirë rreth 8...

Kryeministri Rama kryeson në “Instagram”, hedh nga ‘froni’ çdo personazh VIP…

“Social Top 5” është një rubrikë e emisionit “Live From Tirana” që sjell vëmendjen tek personazhet e famshëm, qofshin ata shqiptarë apo të huaj....

Vjena është shpallur si utopia e qiramarrësve – ja pse

Justin Kadi Kur bëhet fjalë për shembuj model në debatin për strehimin, Vjena është shpesh një pikë referimi. Kryeqyteti austriak përmendet shpesh në narrativat mbi...

Lajme të tjera

Web TV