Fokusi i mediave sportive për ditën e sotme do të kthehet në Itali, aty ku Inter do të përballet me Romën. Një sfidë e tillë mund të vendosë shumë: të ardhmen e Simone Inzaghit, Interin në luftën për titull dhe gjithashtu do të duket forca e Mourinhos ndaj ekipeve të mëdhaja.
Ndjekim disa nga titujt kryesorë të mediave sportive:
“Inter, rreziku Special” është titulli me të cilin hapet sot La Gazzetta dello Sport, në ndeshjen mes Interit dhe Romës. Inzaghi ka nevojë për kthesën dhe sulmet: “Unë sjell trofe dhe llogari më të mira”, por Mourinho kërkon kapërcimin në cilësi.
Corriere dello Sport hapet gjithashtu me ndeshjen e madhe të ditës: “Mou përsëri”. The Special One kthehet në Milano dhe vendos të ardhmen e Interit dhe Romës.
“Vlahovic, futboll në PSG” ka shkruar torinezja Tuttosport. Galtier kërkon një sulmues si ai dhe lëvizjet e francezëve krijojnë alarm, por Dushani është i fokusuar te Juventusi për të ndryshuar sezonin. Tani gjithçka që i intereson janë golat dhe skudeto.
Marca hapet me bomberin uruguaian në intervistën e tij së fundmi ku u pyet se si e vlerëson karrierën e tij tek dy klubet spanjolle: “Tek Barça 12, te Atleti 10″.
“Tetori i Kuq” shkruan katalanasja Sport. Barça fillon një maratonë prej 12 ndeshjesh në 40 ditë që mund të jetë vendimtare për Ligën dhe Ligën e Kampionëve.
Mundo Deportivo e kthen fokusin tek tenisi, aty ku ajo çfarë po bëjnë tenistat spanjollë është “Historike”. Alcaraz dhe Nadal do të kryesojnë renditjen botërore të hënën, një dyshe e paprecedentë në tenisin spanjoll.
Në Britaninë e Madhe, Mirror Sport nis të prezantojë derbin e Manchesterit të planifikuar për nesër: “Unë jam Erik, i kuqi”. Ten Hag: Kam pasur të drejtë që zgjodha United dhe nuk prita punën e Pep në City.
Në Francë, kopertina e L’Equipe I kushtohet fitores bindëse 3-0 të Marsejës në avancim: “OM në rrugën e duhur”. Përpara ndeshjes vendimtare të së martës në Ligën e Kampionëve kundër Sporting Lisbonës, OM siguroi veten duke fituar qartë ndaj Angers.