Mbyllet dhe fundjava futbollistike. Gjithë vëmendja e mediave sportive fokusohet tek El Clasico, aty ku Real Madridi mposhti Barcelonën mes 90 minutave spektakël. Madrilenët rimarrin kreun e tabelës dhe tani tek Barça fillojnë shqetësimet.
Në Itali, klubet ‘BIG’ bëjnë detyrën duke i fituar ndeshjet e tyre respektivisht.
Ndjekim disa nga titujt kryesorë për ditën e sotme:
Prestigjiozja Marca hapet me titullin kushtuar galaktikëve: “Shumë superior”. Real Madridi me një lojë efektive, fiton kundër Barçës së papërpunuar dhe është lider i La Ligës.
“Pa shpirt” ka shkruar katalanasja Sport. Barça u tejkalua qartë nga Madridi, i cili dominoi El Clasicon. Laporta ka hyrë në dhomat e zhveshjes për të kërkuar shpjegime.
Mundo Deportivo gjithashtu fokusohet tek zhgënjimi i Barçës: “E dhimbshme”. El Clasico konfirmoi depresionin e një Barçe që humbi udhëheqjen, e ndëshkuar sërish për brishtësinë e saj në mbrojtje.
Madrilenia AS jep një titull I cili shfaq superioritetin e Los Blancos: “Këtu komandon Madridi”. Skuadra e Ancelottit mundi Barçën me një paraqitje të shkëlqyer nga Kroos dhe Valverde.
Në Itali, Corriere dello Sport hapet në faqen e parë me fitoren e dhjetë radhazi të Napolit: “Përbindëshat e rinj”. Napoli mund Bolonjën (3-2) dhe zë vendin e parë i vetëm, suksesi i dhjetë radhazi me 43 gola në 14 ndeshje.
“Bishti i djallit” është titulli i La Gazzetta dello Sport. Milan mposht Verona-n me rezultat 2-1 mes vështirësive dhe ruan vendin e tretë në kampionat, vetëm 3 pik më pak nga Napoli i vendit të parë.