Përtoni të çoheni nga krevati? Nuk ju shkohet në punë? Doni ta lini palestrën për sot?
Po, mund ta bëni, patjetër. Por mund edhe të mendoni se diku, në një cep të botës, një 10-vjeçare ka ngjitur plot 282 male në Skoci, të njohura edhe si “Munros of Scotland”.
Quinn e nisi rrugëtimin e saj si një sfidë me të atin Ian, kur ishte vetëm 4 vjeç. Ajo ngjiti Ben Nevis pak pasi mbushi 5 vjeç dhe donte që ta mbaronte sfidën para se të përfundonte shkollën fillore dhe ia doli!
Në çdo ngjitje, ajo mbante vetë pajisjet, ushqimin dhe ujin e saj, si dhe dukej mjaft entuziaste për rrugëtimet që po ndërmerrte.
Ian, i ati, tha se Quinn ngjiti 100 male deri në gusht të 2021-shit dhe nuk u ankua kurrë, as në dimër.
Ndërsa vogëlushja u shpreh për “BBC” se ishte shumë e lumtur që e përmbushi dëshirën, por edhe pak e mërzitur që aventura me babin mbaroi.
Epo, nuk kemi më asnjë justifikim për dembelët…