Superylli i PSG, Lionel Messi bëri një paraqitje magjepsëse kundër Maccabi Haifa të martën, duke shënuar dy gola përrallorë. Messi hapi rezultatin, por ishte goli i tij I dytë, një goditje delikate nga jashtë zonës, ai që vodhi skenën.
Ky gol do të thotë që argjentinasi ka shënuar më shumë nga jashtë zonës (23 gola) se kushdo tjetër në kompeticion që nga debutimi i tij në 2004-2005; një gol më shumë se Cristiano Ronaldo i Manchester United, sipas “Opta”.
Messi theu një tjetër prej rekordeve të Ronaldos në Ligën e Kampionëve në takimin e parë të PSG-së në fazën e grupeve me Maccabi, pasi ai u bë lojtari i parë që shënoi kundër 39 skuadrave të ndryshme në kompeticion. “Opta” zbuloi gjithashtu se Messi, 35 vjeç e 123 ditë është lojtari më i vjetër që ka shënuar dhe asistuar dy herë në një ndeshje të Champions League.
Ai është gjithashtu lojtari i vetëm që ka shënuar 10+ gola dhe ka dhënë 10+ asistime në të gjitha garat mes lojtarëve në pesë ligat më të mira të Evropës këtë sezon.
35-vjeçari është rikthyer fuqishëm në më të mirën e tij dhe do të dëshirojë të vazhdojë formën e shfrenuar për PSG-në në pjesën e fundit të ndeshjeve përpara Kupës së Botës (nis muajin e ardhshëm), ku ai do të kryesojë sërish Argjentinën.