Përfaqësuesja e Portugalisë e ka kryer detyrën përballë Uruguait (2-0) në ndeshjen e raundit të dytë të fazës së grupeve.
Luzitanët e kërkuan më shumë golin në fraksionin e parë, me një pasim të mrekullueshëm me sup të Cristiano Ronaldos drejt William Carvalhos, por goditja e tij shkoi mbi portë.
Një rast fantastik e krijoi Rodrigo Bentancur në anën tjetër që kaloi disa futbollistë, por në fund goditjen e tij e ndalu portieri Diogo Costa dhe me rrjetat e paprekura, skuadrat shkuan në pushim.
Portugezët vazhduan ta kërkonin golin në gjysmën e dytë dhe këtë e arritën në minutën e 54. Harkimi i Bruno Fernandes i shoqëruar nga kërcimi i Ronaldos u ndal në rrjetë, megjithëse superylli nuk e preku me kokë.
Në minutat shtesë u akordua penallti në favor të portugezëve për prekje të topit me dorë në zonë dhe Bruno Fernandes ishte i saktë për ta vulosur fitoren (90’+3).
Me fitoren e dytë në dy ndeshje, Portugalia siguron kualifikimin në fazën e 1/16, teksa Uruguai ka edhe një mundësi në raundin e fundit ku duhet të mposhtë Ganën.