Botërori i fundit u mbyll me sherr, protesta dhe tension për kombëtaren e Uruguait, që nuk ia doli të kalonte fazën e grupeve, edhe si pasojë e një gabimi arbitrar në fitoren 2-0 ndaj Ganës.
Edinson Cavani u ndal në mënyrë të parregullt në zonën kundërshtare gjatë minutave shtesë, por arbitri gjerman Daniel Siebert vijoi lojën, VAR-i nuk u përfshi te penalltia dhe skuadra latine u eliminua për vetëm një gol.
FIFA ka gjobitur Federatën Uruguaiane të Futbollit me 50 mijë euro, ndërkohë që ka pezulluar katër futbollistë: Jose Gimenez me katër ndeshje dhe 20 mijë euro gjobë për shkak se i quajti gjyqtarët “hajdutë” dhe “bij ku***sh”.
Nga një ndeshje pezullim morën Edinson Cavani, i cili goditi me shkelm monitorin e VAR-it teksa po shkonte drejt dhomave të zhveshjes, dhe kapitenin Diego Godin.
Katër ndeshje do të qëndrojë jashtë edhe portieri Fernando Muslera, i cili iu bashkua mbrojtësit Gimenez në shpërthimin agresiv ndaj arbitrave për mosakordimin e penalltisë.
“Nëse më pezullojnë mua, atëherë arbitrin duhet ta burgosin“, u shpreh Cavani kohë më parë, teksa e cilësoi si fantazmën e jetës penalltinë e mohuar në Kupën e Botës. Këto vendime vlejnë vetëm për ndeshjet zyrtare të dy herë kampionëve të botës.