Policia e Sarandës ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Sarandë ku një 14-vjeçar ka kanosur me një pistoletë lodër shokët e klasës dhe mësuesit.
Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga kjo ngjarje që ka bërë që të gjithë nxënësit të braktisin mësimin dhe të protestojnë bashkë me prindërit, policia ka sqaruar se arma që panikosi shkollën “Adem Sheme” në Sarandë, ishte lodër.
Njoftimi i policisë Sarandë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurorinë e Sarandës, për një shtetas të mitur 14 vjeç, banues në Sarandë, pasi kanë bërë kallëzim disa bashkëmoshatarë të tij, se në shkollën ku studiojnë së bashku, në Sarandë, 14-vjeçari i ka kanosur ata, me një objekt plastik (pistoletë lodër). Materialet iu referuan Prokurorisë, për vlerësim, në bazë të Udhëzimit të Përgjithshëm nr.15, datë 30.10.2020, të Prokurorit të Përgjithshëm.