Nga ROLAND QAFOKU
Si sot 32 vjet më parë, më 15 mars 1991, në Washington u firmos memorandumi për rivendosjen e marrdhënieve diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë. Është një gur kilometrik nga më të rëndësishmit në historinë e vendit tonë. Një vendim që erdhi pas 52 vjetësh ndërprerje pas pushtimit nga Italia në 1939 dhe mosaktivizimin e tyre pas Luftës së Dytë Botërore me instalimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës. I takoi ministrit të Jashtëm Muhamet Kapllani, i cili me urdhër të kryeministrit Fatos Nano, të firmoste në Washington ndoshta një nga vendimet më të rëndësishme jo vetëm në planin diplomatik por edhe jetësor për vendin tonë.
Por që të shkohej deri në këtë finalizim, ky vendim ka kaluar në disa peripeci që sot kur lexojmë dokumentet, të irritohemi është pak. Në librin tim “Ambasadorët amerikanë në Shqipëri 1922-2022” e kam trajtuar gjerësisht këtë moment. Jemi 1 vit përpara kësaj firmosjeje dhe Shqipërisë nuk i kishte dalë ende narkoza e komunizmit. Ministri i Jashtëm ishte Reis Malile dhe nga pala shqiptare nuk kishte ndonjë vizion që vendi ynë që kishte 46 vjet i izoluar duhej të hapej. Ishte diplomacia amerikane ajo që kërkonte me shpeshtësi dhe ngulm vendosjen e marrëdhënieve dhe jo pala shqiptare.
Në përfaqësinë tonë në New York vizitat e diplomatëve amerikanë ishin aq të dendura saqë kjo e shqetësoi shumë regjimin. Në një dokument që gjendet në Arkivin e Ministrisë së Jashtme veçohet një përmbledhje e të gjitha veprimeve amerikane, kontakteve, shkrimeve nëpër gazeta por edhe një sugjerim që ministri Reis Malile ua dërgonte diplomatëve tanë në Nee Jork se çduhet të bënin. Ajo që bie në sy është mungesa e sinqeritet të palës shqiptare në raport me atë amerikane por dhe sugjerimi i ministrit që kjo mungesë sinqeriteti të kthehej në veprim zyrtar.
Dokumenti që po publikoj mban datën 15 mars 1990. Nuk mund të gjejmë fjalë që ndonëse ai regjim po lëngonte, ekonomia ishte në zgrip dhe në Lindje kishin ndodhur transformime të jashtëzakonshme, në Shqipëri regjimi kishte guximin ti bënte hile një kërkese të SHBA për të vendosur marrëdhëniet diplomatike. Sugjerimi për diplomatët tanë në OKB ishte vetëm për të përfituar dhe kjo ishte shkruar me disa pika. Por fjalia që bëm më shumë përshtypje është: Ti afrojmë SHBA për ti mbajtur larg! (Qafoku Roland, Ambasadorët amerikanë në Shqipëri 1922-2022), faqe 223. Besoj se ky është kulmi për të kuptuar se çfarë po ndodhte në Shqipëri, jo për këto marrëdhënie, por me atë regjim.
Fati e deshi që vetëm pak muaj më pas të ndodhte hyrja masive në ambasada dhe në 8 dhjetor të niste lëvizja studentore që solli pluralizmin dhe themelimin e të pares parti opozitare. Një vit më pas, pra më 15 mars 1991, në Washington, ministri pasardhës, Muhamet Kapllani, nën urdhrin e posaçëm të kryeministrit Fatos Nao, firmosi sëbashku me Raymond Seitz, zëvendëssekretarin e Shtetit një akt të jashtëzakonshëm. Kapllani ishte i pari ministër dhe zyrtar i këtij niveli i Shqipërisë që shkelte në Departamentin e Shtetit dhe ajo që ra në sy ishte anglishtja e tij e përsosur, mësuar në Universitetin e Tiranës, në vendin më të izoluar në botë. Ah, edhe diçka të fundit, por jo për nga rëndësia. Kapllani ka firmosur nën siglën “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Përjetë me SHBA!