Lana e mallkuar shënjon fatin e PD-së

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Frrok Çupi

Këtu buzë Lanës në kryeqytet është luajtur drama e vërtetë e Partisë Demokratike; këtu lindi e këtu i dha fund. Atë ditë kur po lindte, duket si biblike, por kështu ndodhi: Studentët firmëtarë, që nga qyteti i Studentëve rrodhën përposhtë kodrës, drejt Lanës ku edhe u përleshën me policinë. Pastaj, me Lanën u shënjua fati total i PD. U ndërtuan dhe u shemben dy kulla mesjetare buzë Lanës, të dyja mbanin shpirtin e PD-së.
Kulla e parë,
Ishte ajo që u ndërtua gjatë ‘republikës së parë’ të PD, dhe kulla e dytë, kur PD e kishte varrosur republikën. Nuk e mbani mend të parën? Me siguri që po. Ishte një kullë e paligjshme, ngritur aq afër sa lagej nga uji i Lanës, aty ku sot ndodhet selia e OSHEE, diku në periferi të Pallatit me Shigjeta. Gjithë ndërtimet e paligjshme alias Kandahar të PD buzë Lanës dhe në Parkun Rinia, u shembën; veç ajo kullë e vetme mbeti për vite. U quajt ‘Kulla e gjakut’. Një malësor, militant i PD, ishte ngujuar në atë kullë bash për hir të gjakmarrjes që kishte shtënë me fqinjin e vet atje në Tropojë. Kjo ishte kulla e parë…
Kulla e dytë është kjo që Saliu e mori me dhunë e me zjarr, në 8 janar 2022, ish SHQUP-i. ‘Bash buzë Lanës u ba nami/ Po liftojnë Seferi e Dani’. Folklori i vjetër i vrasjes mes vëllezërve, vinte e përshtatej si një mallkim. Mallkimi i Lanës për PD vjen me ngjashmërinë e lumit Jordan për Palestinën. Edhe lumi Jordan e përshkon mes përmes Lindjen e Mesme dhe fatin e Palestinës. Atu ndodhet Lartësia Golan ku në dekada është bërë luftë e përgjakshme mes Izrael e Palestinë. Aty është Bregu Perëndimor, aty dhe Rripi i Gazës që po luftë përjetojnë. Dhe vetë lumi Jordan, përmes pisllëkut të luftërave nxiton drejt vdekjes që edhe emrin e ka Deti i Vdekur. Edhe pse në jetën e tij lumi i famshëm prej 150 milje i gjatë, ishte quajtur ‘i bekuar’… Jo si Lana, sigurisht. Skena e ‘bekimit’ mu kujtua në datë 8 Janar 2022, në mes të luftës për jetë a vdekje në kullën e PD, mes Saliut dhe Lulit. Disa militantë lanë për pak zjarrin e luftës dhe u krodhën në ujin e Lanës, hidhnin ujë në fytyrë e nuk e di a laheshin a luteshin. Gjon Pagëzori ishte pagëzuar në Jordan, por jo në këtë lloj ujë që mbledh mbetjet e Tiranës. Buzë Lanës PD ka bërë gjithë atë luftë e gjithë atë ‘kataklizëm’ me ujë si Lana ‘qelibar’. Lana e turbullt në 365 ditë, shënjoi jo vetëm fillimin dhe fundin e PD, por gjithë jetën e saj. Jetë në fitore, jetë në gjyq, jetë në revolucion, jetë në sakrificë, jetë në vrasje, jetë në dhunë, jetë në purgator. Të nëntë rrathët e ferrit, PD i kaloi buzë Lanës.
Këtu marshoi PD triumfalisht në 22 mars 1992. Këtu i ndërtuan pikat e fajdeve, në Hotel Dajti i përuroi Berisha skemat mashtruese gjatë një mbrëmjeje Gala. Në Parkun Rinia, që ndodhet po buzë Lanës, u ngritën tempujt e mirëqenies së PD, me birra e me rrape të thara nga urinimet. Vetë Berisha i madh një ditë vendosi të lërë Brrakën dhe të vendosej diku afër Lanës. Këtu u derdhën lot militantësh kur Berisha i PD dha gjasme dorëheqjen në 2013. Diku afër Lanës qeveria e PD vrau katër qytetarë që po protestonin kundër korrupsionit të qeverisë. Madje, krejt buzë Lanës, ndodhi edhe ‘pagëzimi’ i Berishës si njeri i rrahshëm, i dhunshëm por edhe i mundshëm për t’u dhunuar. Në 6 dhjetor 2022 një grusht djaloshari e hodhi përjetë përdhe. Gjithçka ndodhi buzë lumit. Nuk është biblike, por është e shtirë kjo që ka ndodhur. Vetë këta e kanë sajuar fatin e vet, sipas fatit që mund të kishin në Lindjen e Mesme, buzë Jordanit. Në jetën e vet PD ndërtoi disa lumenj si vija ndarëse e përçarëse të kombit. Në vitin 1997, qeveria e PD vuri kufirin ndarës në Vjosë dhe deklaroi se ‘pjesa jugore do të sulmohet me armë e me helmim’. Por shqiptarët nuk e pranuan kufirin në Vjosë. Pas kësaj PD u ngjit në Shkumbin dhe dogji e vrau në Cërrik, në Kuçovë, në Elbasan. Në imagjinatën e PD lumi ndarës si Jordani në Arabi, u vendos të ishte Shkumbini. Por edhe këtu reaguan shqiptarët e nuk e pranuan ndarjen e kombit. Atëherë u përdor lumi Mat si Jordani ndarës… Pastaj Drini. Shqipëria e PD-së mbeti një copë vend me pak fshatra në Tropojë e Has…
… Por prapë për në Lanë e lanë fatin

Të fundit

Interi refuzon 45 mln euro nga Napoli: Nuk e shesim

Me dëmtimin e Romelu Lukakut, i cili pritet të qëndrojë jashtë fushave të lojës për të paktën 3 muaj,...

Ndahet nga jeta ish-kampioni i mundjes Virxhil Maçolli

Është ndarë nga jeta në moshën 72-vjeçare Virxhil Maçolli (Xhili), një nga emrat më të njohur të mundjes pogradecare, por edhe asaj shqiptare. Ish-mundësi kampion...

Hagë, protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK

Protesta e 7 gushtit në Prishtinë, ku u kërkua lirimi i ish-krerëve të UÇK-së, do të vazhdojë më 14 shtator në Hagë, njofton Organizata...

Djathi i kontaminuar vret 2 persona në Francë! Mund të jetë importuar edhe në Shqipëri

Dy të vdekur e dhjetëra të helmuar në Francë nga djathi i kontaminuar me bakterin e llojit të listerisë. Sipas lajmit të publikuar nga britanikja...

“Nuk duam turma!” Protesta kundër turizmit masiv në Europë

Qytete të njohura turistike në Europë po përballen me një valë të re protestash nga banorët vendas, të lodhur nga pasojat e turizmit masiv...

Lajme të tjera

Web TV