Raporti sekret: “Petriti më tha; babai ynë Kadriu, pinte me Mehmet Shehun”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dokumenti sekret/ “Petriti më tha se fëmijët e Mehmet Shehut, ishin shumë të lëvizshëm, bënin qejf dhe ne nuk jemi përzier asnjëherë me ta”. Si i përgjonte Sigurimi i Shtetit të gjitha lëvizjet e familjes së Kadri Hazbiut në Rrëshen dhe Kurbnesh, deri nipat e tij në shkollën 8-vjeçare?!

Nga DASHNOR KALOÇI

“Vëllai im, Petriti, donte vajzën e Themeluesit të Partisë, por në një kohë kur Themeluesi i Partisë, nuk ishte mirë më shëndet, udhëheqësi i tanishëm i Partisë, nxiti gruan e Themeluesit të Partisë, që kjo fejesë të mos bëhej dhe kjo i tha babait tim se; kjo fejesë nuk mund të bëhej se, do flasë populli. Babai im, e thirri Petritin dhe i tha: Harroje këtë muhabet! Këtë gjë, udhëheqësi i Partisë e bëri, se po të bëhej kjo fejesë, do të forcohej miqësia dhe pas vdekjes, karrigen e Themeluesit të Partisë, do ta merrte babai im. Gruaja e Themeluesit të Partisë, për problemet e fëmijëve, nuk e pyeste themeluesin e Partisë. Kur u shkarkua babai im dhe me të vazhdonte hetuesia e lirë, në shtëpinë tonë ishim mbledhur të gjithë dhe ne e pyetëm se si ishte puna? Babai im, na mblodhi dhe na tha: ‘Unë kam punuar me ndershmëri, por kështu e shikon të arsyeshme Partia. E vërteta do dali një ditë në shesh, por mua atëhere do më ketë mbirë bari në sy! Nga padrejtësitë që i bënin babait tim, mua më hipi gjaku në kokë dhe desha të merrja në bagazh, automatikun dhe të mos lejoja ta merrnin babain, por babai më tha: Jo kështu Agron, se unë nuk vë pushkë kundër Themeluesit të Partisë”. Kështu thuhet në mes të tjerash në një dokument tepër sekret të Sigurimit të Shtetit që mban datën 3 mars të vitit 1987, ku është e zbardhur e gjithë biseda e djalit të dytë të Kadri Hazbiut, Agronit, me një shokun e tij të punës në Kurbnesh të rrethit të Mirditës, ku ndodheshin të dy të internuar dhe e gjitha ajo bisedë mes tyre, i është dërguar më pas Ramiz Alisë. Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, i cili është pjesë e një dosje voluminoze që është nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë pjesë e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), në ngarkim të Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, përveç bisedave të bëra të Agron Hazbiut me shokun e tij (A.M.), i cili i’a ka deklaruar ato të gjitha dhe me detaje të hollësishme Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Mirditës, pjesë e asaj dosje voluminoze, janë edhe me qindra e qindra raporte e informacione sekrete me denoncime dhe përgjime ndaj familjes Hazbiu, të cilat fillojnë që në tetorin e vitit 1982, (kur filloi goditja ndaj Kadri Hazbiut) dhe mbarojnë në fillimin e vitit 1991, kur filloj shembja e regjimit komunist dhe ajo dosje u mbyll, për t’u arshivuar në arkivin e Ministrisë së Brendshme. Por Ramiz Alia, njeriu që bashkë me Nexhmije Hoxhën, ndikuan tek Enveri për prishjen e fejesës ndërmjet vajzës së tij Pranverës dhe Petritit, djalit të Kadri Hazbiut, i arrestuar në tetorin e vitit 1982, si “armik i popullit”, nuk është mjaftuar vetëm me e goditjen dhe eliminimin e tij fizik, por ai ka vazhduar edhe ndaj familjes së Hazbiu, e cila ishte e internuar diku larg në malet e Kurbneshit të rrethit të Mirditës. Siç do të shohim edhe nga dokumentet në fjalë, pasi ai është njoftuar nga Sigurimi i Shtetit në fillimin e marsit të vitit 1987, lidhur me ato që ka thënë Agron Hazbiu, ai (Ramizi), në krye të atij dokumenti, ka vënë shënimin me dorën e tij, duke shkruar: “Se mos na arratisen, djemtë e armikut…Të veprohet…”! Dhe vetëm 15 muaj më vonë, Agron Hazbiu, u gjet i vdekur në minierën e bakrit në Kurbnesh, ku sipas versionit zyrtar, ai kishte bërë vetëvrasje, duke lidhur dinamit në trup. Por a ishte vërtetë ajo një vetëvrasje, apo Sigurimi i Shtetit, kishte zbatuar porosinë e Ramiz Alisë, (të shkruar me dorën e tij: “…Të veprohet”), duke pasur frikë nga i biri i Kadri Hazbiut, i cili, përveçse dikur në vitin 1982, kishte dashur të kapte automatikun, në mbrojtje të babait të tij, por edhe aty në internim, ishte shprehur edhe për hedhje dinamiti ndaj dikujt…! Lidhur me këtë dhe të tjera, do njihemi nga një numër i madh dokumentesh arkivore të nxjerrë nga dosja voluminoze në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, të cilat publikohen për herë të parë dhe ekskluzivisht për gazetën FJALA në disa numra të saj.

Vijon nga numri i kaluar
DOKUMENTI SEKRET ME SHËNIMIN OPERATIV TË PËRPILUAR NGA PUNËTORI OPERATIV, MIHAL MONKA, MBI MBLEDHJEN E TË DHËNAVE DHE INFORMACIONEVE PËR AGRON HAZBIUN DHE FAMILJEN E TIJ
S E K R E T
EKZEMPLAR I VETËM
RRËSHEN, MË 27.9.1983
SHËNIM – OPERATIV
Unë Punëtori Operativ i zonës Kurbnesh, Mihal Monka, së bashku me zv/kryetarin e Degës së Brendshme, Vesel Avdullai, në datat 23 dhe 24.5.1983, kemi biseduar me mësuesit e shkollës së mesme “Shkurte Cara”, Kurbnesh, Dhimitër Filto dhe Dhimitër Murati, punëtorët Mark Përdoda dhe Ndrec Shkurt Beleshi, për të sqaruar dhe verifikuar informacionin e qytetarit Ndue P….,nga fshati Kthellë e Epër, që informon se, Agron Hazbiu i ka dhënë një komplet sportive, Gjon Mardhoçit nga fshati Kurbnesh dhe ketë e dinë mirë e, kanë qenë prezent dhe qytetarët e mësipërm.
Nga biseda e zhvilluar me këta qytetarë, midis të tjerash, ata shpjeguan:
1. Dhimitër Filto: Unë nuk di gjë që Gjon Mërdhoçi, të ketë kostum ose komplet sportiv të mirë, e nuk kam luajtur me të tillë.
2. Dhimitër Murati: shpjegon se para dy tre muajsh, kur isha te fusha e sportit, Gjon Mardhoçi, uli pak pantallonat anash e më tha se; kam një palë të mbathura të mira sporti, por për të luajtur, nuk m’i ka dhënë dhe nuk e di se kujt ja kishte marrë, duhet t’ja ketë dhënë për të luajtur, mësuesi i fizkulturës Robert Mella, se ky i fundit ka luajtur me kostum sportiv.
3. Ndrec Shkurt Beleshi: shpjegon se vetë Gjon Mardhoçi, më ka thënë në frontin e punës, mbasi punoja bashkë me të, se kam një palë tuta të jashtme sporti, ato unë nuk i kam parë dhe nuk e di se ku i ka gjetur, se nuk e kam pyetur.
4. Mark Përdoda: shpjegon se, siç më ka thënë Zef Ndok Lugja, nga fshati Kthellë, përse Gjon Mardhoçi, i ka marrë një vajze të kursit një bluzë trikotazhi, që e kishte blerë në dyqan, dhe unë, më ka thënë Zefi, ja mora Gjonit me dhunë, e ja dhashë asaj vajzës, se e kam timen.
Sqarim:
Robert Mella, mësues fizkulture në shkollën e mesme “Shkurte Cara”, ka qenë atlet në Klubin Sportiv “17 Nëntori”, e ka luajtur futboll, me kompletin e kësaj skuadre.
Punëtori Operativ
Mihal Monka
DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E PUNËTORIT OPERATIV, MIHAL MONKA, ME TË DHËNAT E BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “SHKËLQIMI”, NË BAZËN “DRITA”, MBI NDJEKJEN E SURVEJIMIN E FAMILJES SË KADRI HAZBIUT
Mori: P. Operativ, Mihal Monka
Dhënë: B.p. “Shkëlqimi”
Në bazën “Drita”
Raport i datës 11.10.1983
Burimi njofton se ai, më datën 7.10.1983, ishte për vizitë mjekësore në Rrëshen, aty nga ora 10.00, po kalonte nga spitali, nga ana e pasme, ku bëhen vizitat dhe para portës kryesore të dezhurnit, ai pa Petrit Hazbiun, ai nuk u takua dot me të, dhe rreth orës 10.30, u fut në dyqanin e materialeve të ndërtimit, ku aty pa dhe Petrit Hazbiun.
Ai iu drejtua shitëses; a keni llamba elektrike, në këtë kohë, i tha Petriti atij, au nuk po më shef, au më fal se s’të kam parë deri tani, shitësja në këtë moment, u përgjigj, kemi llamba dhe pruri një llambë 40 ë, ai i tha; a keni me voltazh më të madh, shitësja i’u përgjigj; këto kemi, po deshe merre, përndryshe, shko, ai i tha shitëses; tregohu më me edukatë, se me pare jemi tuj e blerë, ai mori llambën, Petriti i tha tij, mjaft pa edukatë janë këta shitësit, nuk sillen hiç mirë, ai i tha Petritit, se shitëset janë me edukatë, por ndonjëherë, kështu bëjnë ato. Ai e pyeti Petritin, pse paske ardhur në Rrëshen, Petriti i tha se; kam ardhur sot me autobuz se, më thanë do të biem vajzën, erdha ta marr. Po ti, pse paske ardhur, e pyeti atë Petriti? Jam shumë sëmurë nga kama dhe kam marrë rekomandim, me u vizitu te kirurgu këtu. Po më vjen keq se, qenke sëmurë, të shkuara, i tha Petriti atij. Ai e pyeti Petritin, a doni të bleni gjë në dyqan, po i tha Petriti, desha të ble një tub sobe, se në Kurbnesh, është dyqani i mbyllur, edhe këtu nuk paska. Ata së bashku dolën nga dyqani, ai i tha Petritit se, kam punë në spital, unë po shkoj, pastaj ndoshta edhe shihemi prap. Petriti i tha; nga lulishtja ose nga posta jemi, eja mbasi të mbarosh punë, se edhe mërzitem vetëm. Mirë i tha ai, dhe u ndanë. Ai pasi bëri një xhiro, u takuan përsëri nga ora 10.35 te lulishtja para berberëve. ulur në karrige, aty ishte Petriti, me djalin e vogël të Elenës (motrës së tij), pasi i dha dorën djalit, u ul në karrige. Hë, e takove vajzën, si u bë puna, e pyeti ai Petritin. Jo, ende nuk e kam parë, në këtë kohë, urdhëroi djalin e Elenës, të shikonte se mos, i kishte ardhur vajza. Ai e pyeti Petritin, kush e ndau shoqin, ti, apo gruaja? Petriti i tha se; ajo e ka bërë ndarjen, unë nuk kisha se për çfarë ta ndaja atë. Interesant, i tha ai, ajo të paska dashur, vetëm pse ishe djali i Kadriut. Jo besa, tha Petriti, ajo më ka dashur shumë, por në këtë rast, ka dashur të shpëtojë veten nga telashet tona. Po vajzën, pse ja ke lënë asaj, i tha ai? Petriti i tha se; vajzën ja ka lënë gjykata, këtu në Rrëshen e kemi bërë. Për mendimin tim, gjyqi nuk ka vepruar hiç mirë që ja ka lënë vajzën asaj, s’kanë se çfarë të bëjnë tani, kanë mbetur për t’u takuar rrallë e për mall, me vajzën time. Jam edhe me leje të zakonit dhe desha ta mbaj ndonjë ditë në shtëpi e, të çmallesha me të. Petrit, i tha ai, a u bëre i njohur me letrën lidhur me çështjen e babait tënd? Po, tha Petriti. Paskësh pasur një njeri në shtëpi që, s’paskëshim njohur. Petriti u përgjigj; në fakt për veprimet që ka bërë baba, nuk dimë asgjë. Në fakt, njeriu ka idealet e tij në jetë dhe punën që bën, por me familjen, njeriu s’duhet të bisedojë, se varesh edhe jeta juaj, jo vetëm e babait tuaj, i tha ai Petritit. Petriti i tha atij: me thënë të drejtën, kam respekt të veçantë për ty, më dukesh njeri i çiltër e i sinqertë dhe lidhur me këtë problem, ta themi hapur, se, neve si fëmijë, nuk kemi ditur asgjë fare për babanë tonë, vetëm atëhere kur plenumi e ka cilësuar armik, bile jemi habitur dhe nënën e kemi pyetur se, mos dinte ndonjë gjë për babain, ajo tha se, jo, dhe rin shumë e mërzitur. Vetëm ti e din mirë, se babai ynë ka pasur shumë shoqëri me Mehmetin, rrinin shpesh bashkë dhe pinin deri në orët e vona. Ai i tha Petritit se; Mehmeti, kishte përzier edhe fëmijët e vet, me veprime agjenturore, nejse, ju Partia ju mbajti afër, ju çoi në Kurbnesh, ju dha punë, se do ua kishte gjetur edhe juve vendin, të ishte ndryshe. Në fakt, vazhdoi Petriti, fëmijët e Mehmetit, kanë qenë shumë të lëvizshëm, bëjshin qejf. Neve si fëmijë, nuk jemi përzier me ta, asnjëherë. Siç thashë më parë, më pyeste baba, vazhdoi Petriti, mos doni të shkoni jashtë në ndonjë shtet, unë i shprehja dëshirën dhe kjo punë rregullohej, kam qenë në Jugosllavi, në Beograd, me thënë të drejtën, më duken njerëz të kulturuar, ata bisedonin me njeri-tjetrin, me zë të ulët dhe ishte qetësi e madhe. Ai i tha: unë nuk i njoh ashtu jugosllavët, mund të them pak gjëra, se ka kohë që jam larguar dhe kam qenë i vogël atëhere.
Ai i tha Petritit se; tani s’ma mbush kurrë mendjen se, babai yt kishte respekt për kosovarët, babai juaj, paska dashur t’ja shes Shqipërinë, Jugosllavisë. Në fakt për këtë, di të them, vazhdoi Petriti, se babai, thoshte se, kosovarët janë burra të fortë dhe të dashur, çfarë të them unë tani për këtë. Babai im, paska qenë armik dhe haram i qoftë buka që ka hëngër. Ai i tha Petritit; tashti mos u mërzit se, s’ke se çfarë t’i bësh, jeta kështu është.
U pa puna ime tani, të punoj atje ku jam por, më dhimbset vëllai i vogël se, është i ri dhe pak mendon, më dhimbset edhe nëna, është sëmurë dhe ilaçe ka pak, nga ai që përdorte. Petriti, e pyeti atë se; si u bë puna e transferimit tënd, ai i tha se, më kanë premtuar një punë, s’ka mundësi shumë, i stabilizuar jam, me familje dhe me punë. Desha të stabilizohem afër qendrave kryesore. E shikon i tha Petriti, se; babai im nuk paska pasur faj, për këtë.
Më fal, i tha ai Petritit, se babait tënd, i pata shkruar një letër (kërkesë), për t’u kthyer në Jugosllavi dhe jo për transferim. Petriti i tha tij se; paske kërkuar për çfarë i kisha kërkuar babait të tij, në bisedën që kemi pasur një muaj më parë. Ai i tha Petritit, kam punë dhe po iki unë, si të duash i tha Petriti, këtej jam unë, kur të vij autobuzi, ishalla na merr e në fakt, të fundit na merr neve, nëse ka vend. Ai duke qeshur, u nda nga Petriti. Rreth orës 13.00. ai hipi në autobus, pas tij hipi dhe Petriti, për të ardhur në Kurbnesh.
Ai shton se, kur u takua te lulishtja me Petritin, e pyeti; deri sa ke kaq mall për vajzën, pse nuk shkon në Tiranë, për ta takuar. Petriti i tha se, është rrugë e largët, megjithëse kam qejf të shkoj, por besoj se e din edhe ti pse nuk shkoj. Ai i tha se; ku e di unë se ku e ke ti fjalën. Petriti tha se, duhet të marr leje për të shkuar. Ai i tha se, nuk di gjë për këtë. Po ku merr leje, e pyeti ai? Te reparti në Kurbnesh. Jo tha ai, këtë nuk e kam ditur.
“Shkëlzeni”
Sqarimi i të dhënës:
1. Petrit Hazbiut këto ditë, ju dha leje për të takuar vajzën në Rrëshen. Në fakt, nuk ka mundur ta takojë, pasi nuk i erdhi nga Tirana. Është në P.P. për agjitacion e propagandë.
B.p. “Shkëlzeni”, u dërgua me detyrë në Rrëshen, Kishte rekomandim nga mjeku për t’u vizituar. Ju dha një vijë sjellje, që në vijë të përgjithshme, e ka konsumuar.
Vlerësimi i të dhënës:
E dhëna kë vlerë operative se, bëhet fjalë për Petrit Hazbiun, djalin e armikut të Partisë Kadri Hazbiu, i cili komenton në lidhje me kulturën e shitësve tanë, e injoron atë dhe ngre lart kulturën e qytetarëve jugosllavë, ku shprehej, gjoja për qetësinë që ishte atje, kulturën, etj.
Po ashtu, lënë dyshime dhe për veprimtarinë e të atit, mbasi shprehet se, kishte shoqëri të ngushtë me Mehmet Shehun, ku bisedonin dhe pinin deri në orët e vona.
Detyra, dhënë B.p.
Ju dha detyrë që, të shfrytëzojë rastet, kur Petriti shkon ose kthehet nga puna, kur paraqitet tek Reparti 44, në orët e vona, me kujdes dhe pa rënë në sy të të tjerëve, etj., bisedo me të për probleme pune, nëse jeni ambientuar, si ti dhe vëllai me punë në minierë, për të ardhurat që marrin, nëse janë të bollshme.
Për lidhjet e tija familjare dhe miqësore, ku i ka dhe nëse kanë pësuar gjë nga qeveria, të shfaqë habi, se si qenka kjo punë, nga një njeri e pësojnë edhe të tjerët, a keni marrë vesh se ka ardhur ndonjëri këtu, apo sa të jesh mirë, të shohin me sy, gjithashtu, më habit fakti i rënies në sy nga ju, të shoqërisë, i pirjes deri në orët e vona me Mehmet Shehun, mund të qëndrosh, por për çudi, edhe ju nuk jeni bërë mbarë fare, për të, që t’i thoshit, që të mos pinte, ta ndihmonit, se mbase pija ka bërë që të komprometohet.
Masat Operative:
– Do të shtohen përgjimet me orë të zgjatura në shtëpinë e tyre.
– Për këtë, B.p., do t’i përgatitet një vijë sjellje.
– Do të forcohen masat e kontrollit fizik ndaj tyre.
– Do të shikohet mundësia e shoqërimit të Petritit në Tiranë, me kombinacion.
– E dhëna të shtypet në tre kopje, 1 për Grupin Operativ, 1 për Petritin dhe 1 për vëllanë e tij, Agronin.
Punëtori Operativ
Mihal Monka
SHËNIM:
Petriti, nuk mund të çohet në Tiranë, si për rrezikshmërinë, ashtu dhe për opinion. B.p. “Shkëlzeni”, t’i jepet detyrë që të rregullojë takime me Petritin, sidomos të shikojë mundësinë që të shkojë në shtëpinë e Petritit, gradualisht, B.p., të afrohet në biseda edhe me Agron Hazbiun e, motrat e tyre.
12.10.1983 ZV/KRYETARI I DEGËS BRENDSHME
VESEL AVDULLAI
DOKUMENTI SEKRET ME SHËNIMIN – OPERATIV TE PUNËTORIT OPERATIV, MIHAL MONKA, MBI MBLEDHJEN E TË DHËNAVE DHE INFORMACIONEVE PËR FAMILJEN E KADRI HAZBIUT
S E K R E T
EKZEMPLAR NR. 3
RRËSHEN, 27.10.1983
SHËNIM OPERATIV
Unë Punëtori Operativ i zonës së Kurbneshit, Mihal Monka, më datë 24.10.1983, rreth orës 7.00 të mëngjesit, isha në një makinë tek agjencia e vjetër, e po prisja shoferin e kësaj makine, Ndre Sulejmani, për të shkuar në Kurbnesh. Brenda në makinë, ishte dhe Gjovalin Gjoci, nga fshati Ndërfushas, me punë shofer në parkun e mallrave. Aty afër agjencisë, është një fushë e vogël futbolli, ku ishte duke u stërvitur një skuadër e shkollës 8-vjeçare, Rrëshen, e drejtues stërvitje, ishte shefi i Klubit “Minatori”, Ndue Ruçi.
Unë vura re se, në këtë skuadër, ishte dhe Arian Medi Çollaku, (djali i vajzë së armikut të Partisë, Kadri Hazbiut, Helenës), që është në klasën e 8-të. Ndue Ruçi i thirri vetëm me mbiemrin “Çollaku”. Kur dëgjoi këtë mbiemër, Gjovalin Gjoci, u shpreh se: “Para një jave, më datën 16.10.1983, unë isha duke pritur makinë tek ura në qytetin e Kurbneshit, mbas dite, aty pashë këtë djalin me të atin, që punon arsimtar në Prosek dhe një djalë rreth 9 vjeç, që prisnin makinë për në Rrëshen, unë gjeta makinë para tyre, ata nuk e di se çfarë bënë”.
Sqarim: Medi Çollaku, është arsimtar në Prosek, me banim në qytetin e Rrëshenit, ka mundësi që të ketë çuar në Kurbnesh, Arianin e Andin, i pari është djali i Mediut (Helena Hazbiut), dhe i dyti, është djali i Agron Aranitasit, (i Mimoza Hazbiut), ku ky i fundit, është me banim në Fushë-Arrëz të rrethit Pukë, që kanë takuar nënat e tyre, që janë me masë internimi, në qytetin e Kurbneshit.
PUNËTORI OPERATIV
MIHAL MONKA
DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E PUNËTORIT OPERATIV, MIHAL MONKA, ME TË DHËNAT E BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “MARTELI”, MBI NDJEKJEN E SURVEJIMIN E FAMILJES SË KADRI HAZBIUT
Mori: P.Operativ, Mihal Monka
Dhënë: B.p. “Marteli”
Në natyrë
Raport i datës 29.11.1983
Ai njofton se, ka punuar në një brigadë me Agron Hazbiun, që në kohën që Agroni ka ardhur me punë në minierë, në disa raste ai ka punuar me Agronin vetëm, në minierë në nivel, gjatë punës ai ka biseduar me Agronin dhe Agroni kishte qejf të bisedonte me të, se sa me persona të tjerë, si p.sh. me Luigj Gjinin, ku ky shpesh herë i thoshte se, je mësuar me çokollata.
Në bisedat që ka zhvilluar ai me Agronin, ai e ka pyetur për të atin, se si sillej tek shtëpia dhe Agroni i ka thënë se, sillej shumë egër në familje, bile kishte raste që 6 muaj, nuk vinte në shtëpi dhe ne më shumë e shikonim në televizor se sa e takoheshim me të, ne fëmijëve na rrihte dhe gjatë verës, na çonte në fshat dhe për të vazhduar shkollën, nuk ndërhynte ky, por ndërhynin të tjerë.
Në një rast, kur Luigj Gjini, i gërthiti, puno, se je mësuar me çokollata, Agroni i ktheu përgjigje Luigjit, si me ironi, vazhdo dhe hidh në furnelë se, po e hodhe këtu, është i dalë materiali dhe në moment, Agroni i tha atij, në furnelin 605.10/E, se ne vlonjatët, e kemi pas për traditë, se armikut, i digjnim shtëpinë, i vrisnim djemtë, i prisnim pemët.
Në një rast tjetër, Agroni i tha atij se, shokët më kanë mbajtur afër në kohën e arrestimit të babait, shumë futbollistë të “Dinamos”, erdhën tek spitali, sepse isha shtruar nga dizenteria, dhe e fejuara ishte shumë e vrarë, bile tani në muajin shtator 1983, më ka dërguar një letër, ku më shkruan se e kam lënë punën, dhe rri e mbyllur tek shtëpia, bile, tha Agroni, po të dua unë me e marr, ajo vjen këtu, se më ka shumë merak.
“Marteli”
Sqarim:
Kjo e dhënë e këtij B.p., u muar në proçesin e tërheqjes, i cili ishte i apasionuar për të bashkëpunuar me organet e Sigurimit të Shtetit.
E fejuara e Agron Hazbiut, quhet A.S.S. që ka punuar në Degën e V-të, të MPBr.
Vlerësimi i të dhënës:
E dhëna ka vlerë operative, se bëhet fjalë për Agron Hazbiun, në përpunim aktiv 2/A, për agjitacion e propagandë, për reagimin e tij për punën e të atit, flet me nënkuptime, se ne sikur të ishin armiq të Partisë, do të na kishin vrarë, kërkon të zbusë luftën e klasave, e flet me konsiderata për të fejuarën, e cila sipas tij, i ka dërguar letër.
Detyra dhënë B.p.
Ju dha detyrë që paraprakisht të kontrollojë dhe të fiksojë kontaktet e tij me persona të tjerë, karakterin e tyre, gjatë punës, sipas rastit, të tregohet i afrueshëm pa rënë në sy dhe t’i ndihmojë e t’i ekspozojë, që mos u mërzitni se kështu e ka puna, se më shikon mua, se nuk ndihem, se kështu e kam pësuar dhe unë.
Masat Operative
E dhëna të shtypet në tre kopje, 1 për Grupin Operativ, 1 për A. S., Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë dhe 1 për dosjen e objektit.
Punëtori Operativ
Mihal Monka
Shënim:
Po nëpërmjet postierit të PT Kurbnesh, nuk mund të mësosh, se është e vërtetë marrja e letrës nga Agron Hazbiu, prej së fejuarës së tij?! Mos prisni, ta kishit sqaruar se, nuk ka ndonjë veprim sekret, ata njihen si të tillë, përse kështu, gjysmak gjërat?!
KRYETARI I DEGËS SË P. TË BRENDSHME
BAJRAM PELO
Vijon numrin e ardhshëm

Të fundit

A ka agjentura të huaja sot në Tiranë ?

Nga ARTUR  AJAZI Për afro 45 vjet, Enver Hoxha thoshte gjithmonë, pas çdo fjalimi në pleniume dhe kongrese se “agjenturat...

Nesër nis muaji i Ramazanit/ Rama uron besimtarët: Agjërim të lehtë!

Kryeministri Edi Rama ka uruar besimtarët myslimanë me një postim për nisjen e muajit të Ramazanit, që do të fillojë nesër. Ai u ka dëshiruar...

Gjykata lëshon urdhër: Albin Kurti duhet të dëshmojë më 4 mars në Prokurorinë Speciale!

Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër me të cilin e detyron kryeministrin Albin Kurti që të paraqitet më Prokurorinë Speciale, në cilësinë e...

Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, pritet nga presidenti Trump

Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë dhe është pritur nga Presidenti amerikan Donald Trump. Dyshja prite të diskutojnë dhe të mund...

Shoferët në alarm/ Mjegulla e dendur në bypassin e Murrizit vështirëson qarkullimin

Bypassi i Murrizit është përfshirë nga mjegulla e dendur dhe reshjet e shiut gjatë ditës së sotme duke krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve. Për...

Lajme të tjera

Web TV