Letra e motrës së Enverit/ “Burri im ka qenë një patriot i mirë, lutem t’i falet jeta”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dëshmia e Donika Omari: “Fahrijen, motrën e Enverit, për të shkruar letrën ku ajo lutej që t’i falej jeta, burrit të saj, Bahriut, e nxiti avokati i njohur, Suat Asllani”. Rrëfimi / “Te shtëpia e Qazim Mulletit që Bahriu e kishte me qera, vinin Mit’hat Frashëri, Dosti, Tromara etj., kurse Enveri, aty priste Nako Spiron, Dr. Dëshnicën, etj.”!

Nga Dashnor KALOÇI

Në fillimin e marsit të vitit 1945, kur ende pa u mbushur as katër muaj nga dita që brigadat partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të komanduara nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha, kishin hyrë si triumfatorë në Tiranë dhe në të gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë, në Kinema “Kosova” të kryeqytetit, do të çelte siparin ‘Gjyqi Special’, ku do të gjykoheshin dhe do të dënoheshin “armiqtë e popullit”. Çfarë ishte ky gjyq dhe kush ishin të pandehurit që do viheshin aty në bankën e të akuzuarit? Ende pa u çliruar mirë Tirana, sipas urdhrave që vinin nga Shtabi i Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të komanduar nga gjeneral-major Dali Ndreu dhe kolonel Hysni Kapo, që ishte i vendosur diku rrëzë malit të Dajtit në fshatin Priskë, disa skuadra partizanësh u futën nëpër lagjet e Tiranës dhe sipas udhëzimeve që kishin marrë nga komandat e tyre, filluan arrestimet ndaj të gjithë atyre personave që kishin emrat në listat që ata dispononin. Ish-kryeministra, ministra, deputetë, prefektë, kryetar bashkishë, ushtarakë dhe funksionarë të tjerë të lartë që kishin shërbyer që nga qeveria e Ismail Qemalit, ajo e Monarkisë së Mbretit, Zog, e deri tek ajo nën pushtimin gjerman të kryesuar prej Ibrahim bej Biçakut, do të merreshin nga shtëpitë ku banonin dhe me pranga në duar, do të dërgoheshin për në zyrat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit (me komandant, kolonel Zija Kambo), pasi më parë u ishte thënë: “do të vini me ne vetëm për një sqarim”?!
Pas 43 ditëve seancash të pandërprera gjyqësore me dyer të hapura aty në Kinema “Kosova”, ku përveç atyre që asistonin në sallën e saj, turma të mëdha njerëzish, familjarësh, të afërmish apo thjesht kureshtarësh që e ndiqnin atë në oborrin e jashtëm të saj, me anë të altoparlantëve që ishin instaluar aty një ditë para fillimit të atij procesi të bujshëm, që ishte pasqyruar edhe në dy gazetat kryesore që dilnin asokohe, “Bashkimi” dhe “Zëri i Popullit”, më 13 prill, kryetari i gjyqit, gjeneral-leitnant, Koci Xoxe, do të shpallte dënimet. Ku nga 60 personat e pandehur që u gjykuan aty, duke u akuzuar si “kriminelë lufte”, 17 do të dënoheshin me vdekje, me pushkatim, dhe do të ekzekutoheshin vetëm një ditë më vonë, diku në veri-lindje të kryeqytetit, në vendin e quajtur, “Kodra e Priftit”. Një ndër gjërat që bëri më shumë përshtypje dhe u duk fillimisht krejt e pabesueshme për të gjithë ata që ndiqnin me mjaft interes zhvillimin e seancave gjyqësore të atij procesi të bujshëm, ishte fakti se, në atë listë prej 17 personash që do pushkatoheshin, ishte dhe Bahri Omari, ish-eksponent i lartë i organizatës nacionaliste ‘Balli Kombëtar’ dhe gjithashtu edhe ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës nën pushtimin gjerman, i cili ishte burri i motrës së “Komandantit”, siç thërritej asokohe gjeneral-kolonel, Enver Hoxha, që i veshur ushtarak dhe me revolverin në brez, drejtonte edhe mbledhjet e qeverisë, si kryeministër i saj! Kush ishte Bahri Omari, ku ishte diplomuar ai, cila ishte e kaluara e tij dhe çfarë raportesh kishte pasur ai me Enverin që nga koha që ishte bërë kunat i tij dhe deri ditën që ai ishte arrestuar si “armik i popullit”, në nëntorin e vitit 1944?! Përse e pushkatoi Enver Hoxha kunatin e tij, Omarin dhe s’i iu përgjigj ai motrës së tij, Fahrijes një ditë pas dhënies së dënimit me vdekje dhe një ditë para pushkatimit, kur ajo i kërkoi të vëllait që t’i falte jetën burrit të saj?! Lidhur me këtë dhe të tjera, bën fjalë ky shkrim të cilën e kemi ndërtuar në bazë të dëshmive që na ka dhënë Profesor Luan Omari, si dhe një numri të madh dokumentesh arkivore, të cilat na i ka pas vënë në dispozicion, vëllai i tij i ndjerë, Fatos Omari, me qëllim që të shkruanim një monografi për të atin e tyre, Bahri Omarin, por që nuk e realizuam dot, pasi ai papritur, u nda nga jeta…?! Lidhur me sa më sipër, etj., si dhe dëshminë e znj. Donika Omari (bashkëshortja e Prof. Luan Omarit), do njihemi në këtë shkrim, të publikuar ekskluzivisht për gazetën FJALA
Nënprefekt në Himarë dhe Drejtor i “Dielli”-t në Boston
I lindur më 10 shkurt të vitit 1889, Bahri Omaroi, do të dërgohej në Stamboll, ku pasi mbaroi shkollën “Rruzhdije” do të ndiqte studimet e larta universitare, pranë “Mylkije Shahanes” duke u diplomuar në vitin 1910, (në degën e Administratës, të atij fakulteti), në kryeqendrën e Perandorisë Osmane. Pas kthimit në atdhe, diku aty në vitet 1911-1912, ai do të emërohej si nëpunës në administratën shtetërore të krahinës së Kurveleshit dhe pas disa kohësh, edhe në detyrën e nënprefektit të Himarës. Pas disa vite pune në atë funksion zyrtar, diku aty nga fillimi i vitit 1914, kur kishte filluar edhe Lufta Ballkanike, në vorbullën e së cilës ishte përfshirë dhe Shqipëria, pikërisht në periudhën kur andartët grekë hynë në territorin shqiptar, (duke bërë masakra çnjerëzore ndaj popullsisë civile të pambrojtur), Bahriu mundi të arratisej për të mos rënë në duart e tyre, duke emigruar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aty në dhe të huaj që asokohe dhe më pas do të bëhej streha e shumë shqiptarëve që për arsye nga më të ndryshmet ishin të detyruar ta braktisnin atdheun, Bahriu aderoi në rrethet patriotike që ishin të organizuar në Shoqërinë Pan shqiptare “Vatra”, ku drejtuesit e saj, i besuan detyrën e drejtorit të gazetës së tyre, “Dielli”, me qendër në Boston. Omari e drejtoi me sukses atë gazetë, (e cila u bë streha e shumë intelektualëve patriot shqiptarë), deri në vitin 1919-të.
Deputet në Parlamentin e parë në 1921-in dhe asamblist

Në përfundimin e Luftës së Parë Botërore, apo siç quhej në atë kohë “Lufta e madhe”, Bahriu do të kthehej në atdhe, duke u rifutur në jetën politike-administrative të vendit dhe në pranverën e vitit 1921, pasi kishte drejtuar për disa kohë gazetën përparimtare “Shekulli”, (duke qenë vetë një nga editorialistët kryesorë të saj), ai kandidoi si deputet i Gjirokastrës dhe fitoi në zgjedhjet e para parlamentare që u zhvilluan më 21 prill të atij viti. Po kështu, dy-tre vite më vonë, më 1923-in, ai zgjidhet si anëtar i Kuvendit Kushtetues (Asambleja parlamentare) dhe në atë parlament, ai u rreshtua përkrah grupit që udhëhiqej nga Fan Noli. Nisur nga ky shkak, në fundin e vitit 1924, me rikthimin e Zogut në pushtet, Bahri Omari, me disa nga miqtë e tij, (ish-deputetë, si: Sejfi Vllamasi, Kol Tromara, Sheh Karbunara, etj.), u larguan nga Shqipëria dhe u vendos si emigrant politik në Bari të Italisë, qytet i cili do të bëhej epiqendra e emigracionit antizogist. Në atë qytet, ku Bahriu ishte një ndër eksponentë kryesor antizogist, ai do të qëndronte për plot 15 vjet, gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut dhe ai ishte një nga njerëzit më kryesorë të organizatës nacionaliste “Bashkimi Kombëtar”, që u formua prej emigrantëve antizogistë. Në prillin e vitit 1939, në prag të pushtimit të Shqipërisë, Bahriu ishte një nga ata emigrantë që iu përgjigj pozitivisht letrës që Mbreti Zog, i’u dërgoi të gjithë patriotëve dhe emigracionit politik shqiptar që ndodheshin jashtë Shqipërisë, (në Europë, SHBA-ës, etj.), për t’u kthyer në atdhe dhe për t’i bërë ballë rrezikut që po i kanosej.
Kthimi në Shqipëri në ’30-ën dhe themelues i ‘Ballit Kombëtar’
Pas kthimit në Shqipëri në vitin 1939, Bahriu do të bashkohej me disa nga miqtë e tij të dikurshëm, si: Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Kol Tromara, Ali Këlcyra, Faik Quku, etj., të cilët do të formonin organizatën nacionaliste ”Balli Kombëtar”. Ajo organizatë do të krijohej vetëm pak ditë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe do të funksiononte si një komitet i fshehtë. Më 5 dhjetor të vitit 1939, Bahriu u emërua në funksionin e Anëtarit të Këshillit të Lartë të Shtetit, detyrë të cilën e mbajti deri ditën që ai u caktua si ministër i Punëve të Jashtme, në qeverinë e kryesuar nga Rexhep Mitrovica (nën pushtimin gjerman) në vitin 1944. Si një intelektual i formuar dhe erudit me një kulturë të gjerë, njohës i shkëlqyer i disa gjuhëve të huaja (anglisht, frëngjisht, italisht dhe turqisht), Bahriu shikonte më tej interesave politike të çastit dhe njohuritë e tij, ai i kishte vënë në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, që kur ishte në Boston të SHBA-së, si drejtor editues i gazetës “Dielli”. Nisur nga ky fakt, gjatë gjithë periudhës së pushtimit të vendit, (1939-1944), Bahriu spikati si një nga intelektualët e politikanët më në zë të asaj kohe dhe si një nga krerët kryesorë të organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”. Në këtë kontekst, Omari ndikoi që, ai formacion politik, të prirej nga idetë e ideologut francez, Eduart Herjo, që ishte ideologu më i madh i Partisë Radikal-Socialiste, më e madhja parti e qendrës së asaj kohe, në Europë. Që nga viti 1939, pas kthimit nga Italia, Bahriu nuk shkoi më në qytetin e tij të lindjes në Gjirokastër, por ishte vendosur në Tiranë, së bashku me familjen e tij, bashkëshorten Farije Hoxha Omari (me të cilën ishin martuar që në vitin 1923) dhe dy djemtë, Luanin dhe Fatosin. Fahrije Hoxha, ishte e motra e Enver Hoxhës, me të cilin Bahriu, kishte marrëdhënie fare normale dhe e kishte ndihmuar atë me të holla, gjatë periudhës që ai ishte me studime në Francë, në fillimin e viteve ’30-të, si dhe e kishte pritur disa herë në shtëpinë e tij në Bari të Italisë, ku Enveri shkonte jo rrallë.
Shtëpia e Omarit te Mullet-ët, bazë e Enverit dhe krerëve të ‘Ballit’
Miqësinë me kunatin e tij, Enver Hoxhën, i cili nga nëntori i vitit 1941, ishte bërë kreu i Partisë Komuniste të Shqipërisë, Bahriu e vazhdoi fare normalisht edhe gjatë gjithë periudhës së pushtimit fashist, deri aty nga viti 1943. Në këtë kontekst, Enveri shkonte normalisht tek e motra dhe kunati i tij, të cilët banonin në një shtëpi me qera (fare pranë Pazarit të Ri), që Bahriu ia kishte marrë mikut të tij, Qazim Mulletit, që asokohe ishte në funksionin e Prefektit të Tiranës. Në atë shtëpi, vinin të gjithë krerët e “Ballit Kombëtar”, si: Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Kol Tromara etj., që ishin edhe miq të ngushtë të Bahriut, si dhe Enver Hoxha, që ishte si i shtëpisë aty. Veç kësaj, në katin përdhes të asaj shtëpie, Enver Hoxha priste dhe përcillte, disa nga krerët kryesorë të Luftës dhe Partisë Komuniste, si: Dr. Ymer Dishnicën, Nako Spiron, Ramize Gjebrenë, Masar Shehun, etj., të cilët shumë herë strehoheshin në atë bazë, ku priteshin si miq, nga i zoti i shtëpisë. Kjo gjë, pra frekuentimi që Enveri do t’i bënte shtëpisë së motrës dhe kunatit të tij, si ilegal, do të vazhdonte deri aty nga fillimi i pranverës së vitit 1943, kur marrëdhëniet e raportet në mes krerëve kryesorë të organizatës nacionaliste ‘Balli Kombëtar’ dhe atyre të Partisë Komuniste Shqiptare, do të ashpërsoheshin shumë dhe në atë kohë, Enveri do të largohej përfundimisht, duke mos shkelur më aty. Bashkë me Enverin, nga ajo shtëpi do të largoheshin edhe disa nga miqtë e Bahriut, si: Dr. Ymer Dishnica, Nako Spiro etj., bashkëpunëtorë të ngushtë të Enver Hoxhës, të cilat ishin gjithashtu dhe në funksione drejtuese në Partinë Komuniste dhe “Frontin Demokratik”, që kryesohej prej saj. Siç dukej, rrugët e tyre këtu do të ndaheshin njëherë e përgjithmonë, pasi ato kishin marrë “drejtime” të tjera, për të mos u takuar kurrë më me njëri tjetrin! Kështu, aty nga korriku i vitit 1943, pas një sinjalizimi që morri Bahriu nga disa miq të tij (thuhet nga Qazim Mulleti), se ai ishte në një listë emrash që S.I.M.I. (Shërbimi Informativ Ushtarak Italian), se ai, do të arrestohej prej tyre, Bahriu largohet fshehurazi nga Tirana dhe me sugjerimin e Mit’hat Frashërit, ai shkon në qytetin e Gjirokastrës, ku aktivizohet me organizatën nacionaliste ‘Balli Kombëtar’. Në atë kohë, së bashku me Ali Këlcyrën dhe Faik Qukun, Bahriu, vihet në drejtim të asaj organizate, duke rakorduar punët dhe veprimtarinë e saj në të gjithë Jugun e Shqipërisë. Në shtatorin e atij viti, pas kapitullimit të ushtrisë italiane dhe hyrjes së forcave partizane në qytetin e Gjirokastrës, të cilat bënë disa reprezalje nëpër shtëpitë dhe familjet e elementëve nacionalistë të ‘Ballit Kombëtar’, (duke ekzekutuar dhe disa prej tyre), Bahriu mundi të fshihej, pasi e parandjeu rrezikun që po i kanosej. Pas largimit të partizanëve nga qyteti i Gjirokastrës, (ku hynë forcat gjermane që erdhën nga Greqia), Bahriu mundi që të largohej fshehurazi që andej dhe shkoj në zonën e Delvinës, nga ku më pas, nëpërmjet rrugës së Bregdetit, u kthye për në Tiranë. Rrugës, në afërsi të Vunoit, ai bie në një pritë partizane (që kishte marrë urdhër për ta vrarë), nga e cila mundi që të shpëtonte, duke u plagosur jo lehtë në këmbë. Në Tiranë, Bahriu u vendos përsëri në shtëpinë e Mulletëve, ku vazhdonte të ishte me qera familja e tij, bashkëshortja, Fahrija me dy djemtë, Luanin dhe Fatosin
Në shkurt 1944, Omari merr postin e Ministrit të Jashtëm
Më datën 8 shkurt të vitit 1944, pas kërkesës së kreut të ‘Ballit Kombëtar’, Mithat Frashërit, Bahri Omari, pranoi që të merrte pjesë në qeverinë e kryesuar nga kryeministri, Rexhep Mitrovica, duke marrë postin e ministrit të Punëve të Jashtme në atë kabinet. Në atë funksion, Omari qëndroi tre-katër muaj dhe gjatë gjithë asaj kohe, ai nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet me disa nga krerët kryesorë të ‘Frontit Demokratik’ që udhëhiqej nga kunati i tij, (Enver Hoxha), si: Shefqet Beja, Muharrem Vllamasi, të cilët vinin pa gjë të keqe dhe pa asnjë lloj frike, në shtëpinë e tij, edhe pse ajo ndodhej përballë asaj të Prefektit të Tiranës, Qazim bej Mulletit. Tre muaj pasi kishte dalë nga qeveria Mitrovica, (duke dhënë dorëheqjen), në shtatorin e vitit 1944, miku i ngushtë i tij, Qazim Mulleti, i cili gjithashtu kishte dhënë dorëheqjen nga funksioni i Prefektit të Tiranës, i propozoi Omarit, që të dy së bashku të largoheshin nga Tirana dhe Shqipëria gjithashtu, pasi siç po shihej, triumfi i forcave partizane të Enver Hoxhës, ishte punë ditësh. Bahriu e refuzoi ofertën e mikut të tij, për disa arsye, ku, pas asaj që ai tashmë ishte i lodhur nga emigracioni i gjatë 15 vjeçar, dhe tjetra, ndoshta dhe më kryesorja, ishte ajo që partizanët që do të vinin në pushtet, do të kryesoheshin prej kunatit të tij, Enver Hoxhës, që tashmë ishte konsoliduar në krye të Partisë Komuniste dhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare gjithashtu. Dhe Omari nuk kishte pse të ndihej i rrezikuar prej tyre, pasi e ndjente veten krejt të pastër dhe gjatë gjithë jetës së tij, (që nga koha e Shpallja e Pavarësisë në 1912-ën, në emigracion në SHBA-ës, duke drejtuar “Dielli”-n, në emigracionin 15 vjeçar si antizogist, në krye të organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar” si dhe ato tre katër muaj si anëtar kabineti i qeverisë Mitrovica), ai kishte punuar vetëm për të mirën e Shqipërisë. Por parashikimi që bënte Bahriu, nuk ishte thënë që të dilte ashtu siç ai e mendonte, pasi, aty nga fillimi i muajt nëntor të atij viti, kur ende forcat gjermane nuk ishin larguar nga Tirana dhe ato partizane kontrollonin vetëm rrethinat e qytetit e Shtabi i tyre që ishte caktuar për të drejtuar luftimet për çlirimin e Tiranës ishte vendosur në fshatin Priskë, një skuadër partizanësh, trokiti në orët e vona në portën kryesore të shtëpinë së Mulletëve ku banonte Bahriu, duke përsëritur “refrenin” e njohur: “do të vini me ne në komandë, sa për një sqarim”. Gjë të cilën ata kishin përsëritur gjithë ato ditë, kudo ku shkonin, sipas listë që u kishte ardhur nga komanda e tyre.
‘Gjyqi special’, Bahri Omari dënohet me vdekje
Për disa muaj, deri nga marsi i vitit 1945-së, Bahriu u mbajt i izoluar në Burgun e Vjetër të Tiranës (te “Mine Peza”) ku ndodheshin të arrestuar edhe shumë nga miqtë e tij, si: ish-kryeministra, ministra, deputetë, prefektë, kryetar bashkishë, ushtarakë dhe funksionarë të tjerë të lartë që kishin shërbyer që nga qeveria e Ismail Qemalit, ato të Monarkisë së Mbretit, Zog, e deri ajo nën pushtimin gjerman të kryesuar prej Ibrahim bej Biçakut. ‘Gjyqi Special’ i kryesuar nga gjeneral-leitnant, Koci Xoxe, me anëtarë: kolonel Halim Budo, Gaqo Floqi, Dr. Medar Shtylla, Faik Shehu, kolonel Beqir Balluku, Bilbil Klosi e major Gjon Banushi dhe prokuror, gjeneral-major Bedri Spahiun, gjyq i cili filloi në muajin mars dhe që zgjati rreth 43 ditë me seanca të pandërprera, më datën 12 prill 1945, dha vendimin, të cilin e lexoi kryetari, gjeneral-letintant, Koci Xoxe. Nga 60 të pandehur që ishin në bankën e të akuzuarit, 17 prej tyre u dënuan me vdekje, me pushkatim, (ndërsa të tjerët me burgime të rënda) dhe një ndër ata që do pushkatohej, ishte dhe Bahri Omari.
Fahrija, lutje zyrtare, t’i falej jeta Bahriut
Dënimi me vdekje i Bahri Omarit, bëri bujë të madhe asokohe dhe aq më shumë, ajo gjë ishte krejt e papritur edhe nga motra e Enverit, Fahrija, e cila menjëherë pas vendimit, shkoi takoi të vëllanë, (Enverin) në vilën e tij, duke i kërkuar që t’ja falte jetën Bahriut dhe ai, të paktën, të dënohej 25 vjet burg, apo qoftë dhe me burgim të përjetshëm. Në ato pak minuta që Enveri e priti motrën e tij në këmbë, i tha asaj që, ai nuk kishte asgjë në dorë, pasi ai ishte gjykuar nga “Gjyqi i Popullit”, që kishte dhënë dënime të merituara për “armiqtë e popullit”. Ndërsa Fahrija nuk po u besonte veshëve me ato fjalë që dëgjonte nga goja e vëllait, të cilat i ranë si bombë, me lot në sy, i kërkoi Enverit, se ku mund “të përplasej” për atë gjë…?! Dhe më shumë për ta larguar, Enveri i tha se, ajo mund t’u bënte një lutje dhe atë t’ia dërgonte zyrtarisht me postë, Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, siç ishte ligji dhe të priste përgjigje nga organet kompetente. Me një farë shprese, Fahrija, u nda nga vëllai i saj dhe menjëherë shkoi në shtëpinë e saj, duke shkruar lutjen ku thuhej:
V.F. L.P.
Tiranë më 13 prill 1945
Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Antifashist N. Çl.
Tiranë
E nënshkruara Fahrije Omari, e shoqja e të dënuarit, Bahri Omari, kam nderin t’ju lutem me zëmrën e plasun të një gruaje të disponu për faljen e burrit t’im Bahriut, tue e mëshirue me an këmbimi të dënimit kapital, në burgim qoftë edhe të përjetshëm.
Burri im, sikurse dihet, ka qenë kurdoherë një patriot i mirë që ka ba sakrifica dhe ka psue vuajtje për vendin t’on.
Prandaj, edhe sikur veprat e tij të ma pasme, të jenë shumë të rënda, e kalumja e tij e ban të meritueshme për një akt mëshire.
Po edhe sikur burri im, të mos ketë asnjë meritë të kalueme, për ato ndjenja dhimbsurie që ka çdo njeri për dëshpërimin e një bashkëshorteje, lutem përunjësisht, për shpëtimin e jetës së burrit tim.
Me nderime
Fahrije Omar
Vijon numrin e ardhshëm

Të fundit

Përplasje e fortë në autostradë/ Makinat e policisë private aksidentohen me një Benz

Një aksident ka ndodhur në autostradën Durrës-Tiranë. Makinat e një policie private janë aksidentuar me një mjet Benz, për shkak...

Evropa mes stabilitetit e populizmit, çfarë mësojmë nga zgjedhjet në Gjermani dhe Kosovë?

Arben Qirezi Fitorja e CDU-CSU-së në zgjedhjet gjermane (nëse 29% mund të quhet fitore) i dha Evropës një frymëmarrje më të lirë nga droja se...

“Nisma Shqipëria bëhet”, Shabani dhe Lapaj zyrtarizojnë koalicionin parazgjedhor

Nisma Thurje dhe Shqipëria Bëhet kanë zyrtarizuar koalicionin parazgjedhor, së bashku me Lidhjen për të Drejtat e Punëtorëve Shqiptarë. Me moton “Shqipëria mbi partinë” dhe...

Dhuna në “Sintagma”, Mitsotakis: Pashë fytyrën më të shëmtuar të vendit

Protesta në dukje paqësore në Greqi është përshkallëzuar në dhunë. Përleshjet shpërthyen në sheshin qëndror të Athinës, Sintagma, ndërsa qindra mijëra njerëz u mblodhën...

Lamtumirë Skype! Microsoft vendos të mbyllë shërbimin pas dy dekadash

Pas dy dekadash në treg, kompania Microsoft ka vendosur që të mbyllë aplikacionin e thirrjeve me video Skype. Skype “nuk do të jetë më i...

Lajme të tjera

Web TV