Dr. Fatos Arapi si një orakull i saj me kumtesën “Ka disa Vlora”. Historiani Sherif Delvina me kumtesën “HIMARA- EPIRI I ARBËRVE”
Nga Kastriot Kotoni
Në vitin 2001 është mbajtur “Konferenca shkencore VLORA NË RRJEDHAT E KOHËS” me nismën e Universitetit Teknologjik ”Ismail Qemal Vlora” dhe Shoqata Kulturore “Ismail Qemal Vlora” dhe Bashkia e Vlorës. I gjithë ky aktivitet u përshkrua nga botimi i një libri nga Profesor. As. Badhosh Gaçe. Ndër kumtesat e shumta që u mbajtën nga personalitetet e fushave të ndryshme shkencore, veçoj atë të Dr. Fatos Arapi me temë “Ka disa Vlora”. Kjo kumtesë është një profetësi e një mendje të mençur e një djali të Vlorës, që ka zgjedhur t’i flasë asaj si një ekonomist i klasit parë. Fatos Arapi kish mbaruar studimet e larta në Sofje të Bullgarisë për ekonomi. Ka punuar si gazetar dhe si petagog i ekonomisë. Si shkrimtar e poet ka fituar disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ka disa Vlora dhe shqiptarët duhet t’i njohin ato. Në një kuadër të gjerë, atje ku historikisht vendoset Shqipëria, vetiu atje është edhe Vlora. Milan Shuflaj thotë se: “Historikisht Adriatiku është një miniaturë, ose së paku një vatër kulture e Mesdheut, sepse gjendet në mes të botëve të vjetra: Lindjes dhe Perëndimit”. Edhe Baldaci pohon se “fatkeqësia kryesore (e popullit shqiptar) ka qenë ajo, që ai të gjendej si në një urë ndërmjet Detit të Zi, Arkipelagut dhe Adriatikut, për herë mes tronditjeve të invazioneve dhe çvendosjes të popujve e interesave…” Eqerem Çabej, gjithashtu, na thotë: “Shqipëria ka qenë më tepër e orientuar nga perëndimi se fqinjët e saj”. Ka edhe një Vlorë tjetër, Vlora pikë strategjike e zhvillimit ekonomik dhe pikë strategjike politiko-ushtarake. Më 1915, në librin e vet “Çështja e Adriatikut” Charles Vellay shkruante: “ E vendosur në mes të udhës midis Triestes e brigjeve të Afrikës, gjithashtu në mes udhës midis Gjibraltarit e Port-Saidit, ajo Vlora, mund të zotërojë njëherësh udhët e Lindjes e të Perëndimit, të Veriut e të Jugut, ajo mund të lejojë apo të pengojë, sipas dëshirës së vet, komunikimin e Evropës Qëndrore me Afrikën Veriore dhe të Orientit me Oksidentin. Vlora është një nga portet më të sigurt dhe më të mëdhenj të Mesdheut dhe mund t’i japë fuqi (Shtetit) që zotëron, përfitime të pallogaritshme. Ka dhe një Vlorë, më të afërt dhe të prekshme në politikën rajonale e ballkanike. Vlorën që e përjetojmë përditë, por fatkeqësisht jo gjithnjë jemi të ndërgjegjshëm për të. Më tej vazhdon Fatos Arapi:- Më 1920, ministri i Jashtëm Italian K.Sforca deklaronte: “Pikëmbështetja e politikës tonë, tashmë, duhet të jetë zotërimi i Vlorës…Ne kurrë nuk të bëjmë një politikë efikase shqiptare e ballkanike, nëse nuk do të ngulemi në bregdetin tjetër…Kjo bazë detare përbën interesin tonë kryesor në Adriatik”. Edhe kryeministri i atëhershëm Xh.Xholiti, pohonte: “Vlora është pikë strategjike që po të pushtohet nga një fuqi jo mike e Italisë, mund të bëhet një rrezik i madh për vendin tonë”. Ka mbi 2000 vjet, pra, gjeostrategjia e këtij bregu të Mesdheut, ndikon fuqishëm mbi ngjarjet( jo vetëm politike) të gjithë rajonit. As konflikti në Kroaci, as ai në Bosnjë, nuk i shtyu ngjarjet në buzë të një lufte gjithëballkanike apo gjithëevropiane, si Lufta e Kosovës apo ngjarjet e tanishme në Maqedoni. Sa më tepër zjarri i luftës u afrohet brigjeve të Mesdheut, aq më i pakontrollueshëm bëhet ai. Nuk egziston problem shqiptar në Ballkan, nuk ekziston problem i Shqipërisë së madhe apo i Shqipërisë së vogël, politika evropiane e di mirë që sot integrimet e vërteta evropiane, pakti i vërtetë i stabilitetit, ka pengesë pikërisht mendësitë dhe konceptet e vjetra me të cilat punojnë kancelaritë e disa shteteve përreth nesh. Paqja ka armik këtu formimin dhe edukatën antioksidentale të këtyre politikanëve, të cilët, përtej retorikës pseudobashkëkohore, mbeten përsëri produkte të pandryshueshuara të përcaktimit të tyre oriental, sidomos prorus. Ndër të tjera thekson Fatos Arapi: Ka një Vlorë tjetër. Më 6 maj 1920, gazeta “Drita” e Gjirokastrës shkruante: “Vlora është e tona dhe duhet të jetë. Se ndofta ajo e bëri Shqipërinë, po ndofta dhe ajo mund ta prishi…. Rreziku vjen nga Vlora dhe jeta e Shqipërisë varet atje. Nuk ka në shesh çështje të Toskërisë, Gjirokastrës e të Shkodrës. Fati i këtyre viseve është i lidhur me Vlorën. Po ashtu, revista me autoritet “Hylli i Dritës”, më 1943, parathoshte mendimin profetik: “Prej Vlone shëtoj dje Shkodra, prej Vlone ka me shpëtu edhe Mitrovica”. Nuk mund të lejohet që politika shqiptare të heshtë dhe ta zbehë karakterin mesdhetar të vendit tonë. Ta konceptosh Shqipërinë vetëm si vend ballkanik, pra si Maqedonia, Bullgaria, apo Serbia, do të thotë që, me ndërgjegje ose jo, t’i kthesh dhunshëm zhvillimet brenda divizës: “Ballkani për ballkanasit” që u dëshmua fatale për fatet e popullit tonë gjatë gjithë shekullit të 20-të. Shqipëria është një vend sa ballkanik, aq edhe mesdhetar, si Greqia, si Turqia. Jemi të vendosur në dy dete kryesore të Mesdheut: Jon e Adriatik. Dhe për fatin tonë të mirë, kemi në dorë kyçin e tyre, Vlorën. Vlora nuk mund të bëhet as greke, as italiane, as serbe. Po të ishte se mund të bëhej, do të ishte bërë në mijra vjet. Pa një Vlorë të zhvilluar, Shqipëria nuk do të jetë kurrë e qetë dhe stabël dhe, pa një Shqipëri stabël nuk ka as Ballkan të qetë. Dëshiroj të vë përpara syve tuaj këtë fakt tronditës: Shqipëria zyrtare ka sot 470 km bregdet. Por tegoni një fshat të mirfilltë modern peshkatarësh. Vetëm një …S’ka asnjë. Po për çfarë turizmi flitet, pa bregdetin e zhvilluar në ekonominë shumë degëshe të tij? Përkundrazi, edhe Janina dhe gjithë jugu i Ballkanit, Leçja dhe gjithë “Çizmja” italike, do të përfitojnë shumë kur Vlora më në fund të zhvillohet normalisht. Nga vetë pozita e saj gjeostrategjike, Vlora është përcaktuar të zhvillohet si një port i madh mesdhetar, qëndër e rëndësishme ekonomike e kulturore, ku takohen jugu e veriu, perëndimi e lindja. Sa më e shpejt të nisë ky ndërtim i domosdoshëm i kryeqendrës sonë të Jugut, aq më dobisjellës do të jetë për të gjithë, për popullin tonë e gjithë popujt fqinjë.
Një tjetër kumtesë interesante me vlera historike është edhe ajo e studjuesit historianit Sherif Delvina me titull “HIMARA- EPIRI I ARBËVE”. Ja seç shkruan Sherif Delvina për Himarën: Në lashtësi, Himara ndodhej në Kaoninë e Epirit e banohej nga fisi i keraunëve. Në veri Epiri kufizohej me malet Keraune( malet e Vetëtimës), e ndërsa në jug me Greqinë, në fund të Gjirit të Ambrakisë. Nga Skylaksi mësojmë se Epiri, përkatësisht Kaonia, fillon me keraunët (Skylaksi 26, 28,). Fisi i keraunëve e kishte marrë këtë emër nga malet Keraune( të vargut të Karaburun- Shëndelli- Çikë) Rripi i ngushtë i prapatokës, që nga Palasa deri në Hundësovë, me dy qendra të paisura me kala , që ruhen edhe sot, kalaja e Himarës përmendet si kështjellë nga autori latin Gai Plini i Dytë( shek, i parë pas Krishtit) në veprën e tij “Historia e natyrës”. Nga studimi i mjaft skeleteve të trevës kaone të kohës së lashtë dhe të mesjetës nga antropologu A. Dhima, theksohet se: në kokë qëndrojnë elementet adriatike e mesdhetare, të njohura si përcaktues në sintezë e etnosit ilir, më pas atij arbëror”. Në vitin 395, më pas Himara u përfshi në Epirin e Vjetër. Ajo përmendet në shekullin e gjashtë nga Prokopi i Çezaresë, historian, bashkëkohës i Justinianit (527-568) pas Krishtit, perandor i Bizantit. Deri në shek. E VIII Epiri i Vjetër, ku përfshihej Himara, ishte pjesë përbërëse e patriakatit romak, na bën të ditur Alain Ducelleir. Në vitin 1199, perandori i Bizantit Aleksi III Komeni, u njohu venedikasve privilegjet në krahinën e Himarës. Në vitin 1275 Karli Anzhu e përmend atë në mbretërinë e Arbërisë. Në shek.XIV princi Balsha II, zoti i Himarës, u vra më 1385 në betejën e Savrës nga turqit. Në zotërimet që trashëgoi gruaja e tij, Komita Muzaka, përshihej edhe Himara. Në regjistrin Osman të sanxhakut të Shqipërisë, të vitit 1431, përfshihej edhe Himara. Ajo është “naije” (krahinë) e përbërë nga 9 fshatra: Balasa,Vune, Belovodë, Stefanaj, Kavalarilediç, Rufani, Selcë, Shalsi dhe Kirderjani me 229 shtëpi, 23 gra të veja dhe 22 beqare. Taksat e të dhjetav, që i paguanin këto fshatra sunduesit Osman, ishin 548 dukatë ari. Ato merreshin për një vit nga krahina e Himarës. Gjergj Aranit Komeni, vjehrri i Skënderbeut, theu në grykat e Kurveleshit ushtritë osmane. Në ushtrinë e tij bënin pjesë edhe himarjotët. Kapedani i tyre Andon Linjerosa, u vra në betejën e 29 qershorit 1444. Kjo krahinë e vazhdoi luftën edhe pas rënies së Krujës në dorë të osmanëve, thekson Sherif Delvina. Dokumentet e vitit 1479, në disa zona malore u krijuan disa Vatra qëndrese; një ndër to ishte edhe Himara. Shumë banorë u shpërngulën në fund të shek. XV për t’i shpëtuar hakmarrjes osmane dhe u vendosën në malësinë e Kurveleshit, ndërsa të tjerët përtej detit Jon, në Italinë Jugore ku edhe sot ruajnë me fanatizëm gjuhën shqipe. Atje himarjoti Lekë Matrënga përktheu nga italishtja dhe botoi në Romë një katekizëm në shqip. Sipas Papadakis “Historia diplomatike e çështjes së Vorio-Epirit, Athinë, 1958, himarjotët përfunduan një traktat me Portën e Lartë duke fituar venomet më 1518, qeveriseshin vetë, të mbanin armë dhe t’i paguanin haraç sulltanit. Joanis lenclavi në “Pandectae” botuar më 1587, kur na flet për luftërat e himarjotëve kundër turqve më 1572, na bën të ditur në CHR, viti 1572, f.364, se popullsia e Himarës dhe krahina e tyre janë pjesë e Arbërisë. Karakteri etnik thjesht shqiptar i kësaj krahine nuk vihet në dyshim edhe nga shumë autorë të tjerë. Në letrën që himarjotët i dërgojnë Papës më 12 korrik 577, shkruajnë: ..nga Himara, domethënë nga Epiri i Arbërve”. Ndër të tjera, i krenohen për mbretin e tyre Skënderbeun, dhe përfundojnë letrën duke kërkuar ndihmë: “Për këtë qëllim Gjikë Nikolla e Gjergj Katasi, nënshtetasit tanë, vijnë pranë Shënjtërisë suaj si përfaqësuesit tanë e kërkojnë ndihmë të ngrenë peshkopatën, dhe armë për t’u rezistuar turqve”. Në fillim të shekullit XVII në Himarë erdhën misionarë bazilianë. Shumica e tyre ishin arbëreshë. Në vitin 1630 erdhi në Himarë misionari katolik Neofit Rodino një mësues i palodhur. Një nga nxënësit e tij, që më vonë u bë prift ishte Papa Dhimitri nga Dhërmiu, nga familja Gjoleka. Neofiti përktheu në shqip katekizmin. Murgu Zef Skiroi u mësonte katekizmin edhe në sheshe publike në gjuhën greke (gjuhë e ritit), edhe në gjuhën shqipe. Ai së bashku me himarjotin tjetër Matrëngën misionarin katolik, bënë shumë për përhapjen e arsimit shqip. Shkollat e Himarës u mallkuan nga dhespoti i Janinës dhe i Delvinës”,-thotë shkrimtari ynë i shquar Petro Marko. Ndër të tjera Sherif Delvina citon edhe Likun që vizitoi Himaën në fillim të shek.XIX, i cili vë në dukje se gratë e Himarës flasin shqip, ndërsa burrat përveç shqipes dinë edhe italisht, ose greqisht. Millingeri, mjeku i Bajronit, shkruan shprehimisht se dyqind vullnetarë himarjotë, që po i shkonin në ndihmë revolucionit grek, të gjithë veshur me fustanella, nuk dinin asnjë fjalë greqisht. Më 1829 Greqia fitoi pavarsinë. Kryetari i parë i shtetit grek(1827-1831) u zgjodh Konti Jan Kapodistria,ish-ministër i Jashtëm i Rusisë. Bazë e politikës së tij shtëtërore u bë vija e arrogancës shtetërore dhe e shtypjes së minoriteteve. Në sfondin e ideologjisë grekomadhe shqiptarët i futën si viktima e parë që duhej të flijoheshin. Që të zinin mirë themelet e Megaliidesë, u planifikua të merrej Epiri, kjo tokë etnike nga rusofili Jan Kapodistria. Për të vënë në zbatim Megaliidenë, u përpoq me mish e me shpirt edhe Spiro Miloja. Më 1829 ai kërkoi që të ngrinte flamurin e Greqisë në Himarë, pastaj në Vlorë e në tërë Shqipërinë e Jugut. Himara, sipas tij, duhej t’i merrej Turqisë dhe t’i aneksohej Greqisë. Ai s’u kthye më në Himarë. Sipas Arvantinoit, të 7 fshatrat e Himarës (Bregu i Sipërm) më 1856 kishte 3300 banorë. (P.Arvantinoi, “Kronologji e Epirit”, Athinë, 1856, volII. F.178). Në vitin 1870 gjejmë kajmekam të Turqisë në Himarë Myslim Gjolekën, të birin e Zenel Gjolekës. Në mesin e shkurti të vitit 1878 shovinistët grekë nisën pushtimin e Lëkurësit me andartë. Në sajë të manovrave të sukseshme të komanduara nga Myslym Gjolka, së bashku me forcat që u erdhën në ndihmë, grekët u shpartalluan. Sipas Megaliidesë, që ishte shtylla vertebrore e politikës së jashtme greke, u shpall botërisht diagnoza: “Epiri vuan nga sundimi Osman. Terapia është helenizimi i shpejtë i tij”. Me trinomin “Patriakanë-qeveri greke-shkolla greke të Hiamarës”, më kot u përpoqën të helenizojnë Himarën, sepse grekët nuk arritën ta ndryshonin substancën krejtësisht shqiptare të saj. Pas revolucionit xhonturk, nëpërmjet doktor Epaminonda Kolekës, filloi në Himarë mësimi i gjuhës shqipe. Pleqësia e Himarës mori një letër në të cilën shovinistët grekë dënonin veprimptarinë e Konom Zotos, sepse kishte lejuar përhapjen e gjuhës shqipe dhe këndimin shqip të Ungjillit. Dënohej gjithashtu veprimtaria e Naqe Konomit, Gaqo Kapore, sepse mësonin gjuhën shqipe në kundërshtim me gjuhën e zotit. Më tej shton historiani Sherif Delvina, se pas luftës së Paë Botërore, Greqia u përpoq të nxisë trazira në Himarë. Ndërsa sot e vazhdon propogandën kundër Shqipërisë lukunia vorioepiriote. Edhe sa kohë do të vazhdojë kështu? Fshatarët e Himarës përbëhen nga farat e 7 fshatrave të Himarës. Vetëm Piluri ka të gjitha farat vendase. Ai ka 12 fara: Dhramaj, Koçaj, Kokaj, Dodëlagji, Lagjin, Todraj, Gjiklimaj, Gjinmashaj, Qesaraj, Krekaj, Majal, Çakalaj. Ndërsa në Himarë kanë ardhur këto fara: Meko nga Nivica e Kurveleshit; Karo, Zhupa, Dhima, Mihaj, Gegëfikaj nga Porgonati; Lekaj, Gjikaj, Beleri, nga Kuçi; Bollano, nga Regjina e Kurveleshit; Bodinoj nga Piqerasi; Zotaj, Totaj, Mitraj nga Vithkuqi; Konomaj nga Sopiku; Zizaj nga Pogoni e kështu me rradhë për çdo fshat. Në këtë krahinë çdo farë kishte në krye kryeplakun. Pleqtë e çdo fare prbënin pleqësinë. Ata zgjidhnin të parin e fshatit. Institucioni i besës kishte pothuajse atë përmbajtje që ka ai në Veri të Shqipërisë për mikun, mikpritjen nderin etj. Ndarjen në fara Pukëvilli e merrte si zakon të vjetër mbarëshqiptar. Vajet dasmat, këngët, çdo gjë e tillë në Himarë është shumë e afërt me atë të Labërisë: këtu përfshihet dhe qendra e Himarës. Në të gjithë folklorin e tyre nuk gjen një krijim të pajtueshëm me folklorin grek. Në veshjet e Himarës përdoren derivatet e veshjes së Labërisë. Shovinistët grekë kanë dashur të ngrenë folenë e tyre në Himarë dhe të ngatërrojnë fenë me kombësinë, por të gjithë himarjotët janë shqiptarë autoktonë dhe këtë e tregojnë në të gjithë aspektet e jetës (madje edhe në vajtimet që i kanë të njëjta me zonat e tjera të Labërisë).
Një vit më parë u nda nga jeta historiani Sherif Delvina, ai gjithnjë ka pasur busull çështjen kombëtare dhe këtë e ka shprehur kodo në media dhe në librat e tija kushtuar kombit.