Nga Nikoleta Kovaçi/
Është e pamundur të mbrohen nga infektimi pavarësisht masave drastike që janë marrë. Ndonëse janë ndaluar rreptësisht të takohen me familjarët e tyre, sigurisht që askush nuk është imun ndaj të qenurit të izoluar dhe në kontakt me personelin. Edhe pse pretendohet se është e mundur të evitohen kontaktet, Ministria e Shëndetësisë, e Drejtësisë, ajo e Brendshmja, po as Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk kanë bërë me dije asnjë masë për të mbrojtur punonjësit e policisë, të burgjeve dhe të shërbimeve të tjera që janë në kontaktin e parë me çdo qytetar, qofshin ata edhe të dënuar që vuajnë dënimin nëpër burgjet tona.
Mbrëmë, një informacion i qytetarëve, dërguar në adresën e një medie online, ka treguar se në godinën e 313-s ka patur një revoltë dhe zëmërim masiv, ku zëri i të burgosurve është dëgjuar deri në atë që quhet “Rruga e Burgut”. Ata kërkojnë mbrojtje dhe medikamente mjekësore për tu vetëmbrojtur nga infektimi me virusin që askush ende nuk e di se nga e ka origjinën dhe si mund të mbrohesh prej tij.
Amnistia
Sipas të dhënave të para bëhet me dije se Qeveria pritet të vendosë për të liruar nga burgu një sërë të dënuarish apo të paraburgosurish për vepra të ndryshme penale, me qëllim uljen e numrit të tyre në vendet e vuajtjes së dënimit si masë për parandalimin e koronavirusit.Ministria e Drejtësisë u ka nisur një kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë që të nxjerrin udhëzime për aplikimin e masave për dënime alternative.
Në kërkesë thuhet se nëpër burgje dhe paraburgim ndodhen rreth 5200 persona, nga të cilët 2600 janë të dënuar dhe 2600 janë të paraburgosur. Për sigurinë e tyre kujdesen rreth 4050 punonjës. Ministria kërkon që për personat që janë nën hetim, të jepen vendime alternative. Dënimet alternative jepen për vepra të lehta penale, si vjedhja, mashtrimi, armëmbajtja pa leje apo aksidentet rrugore. Pritet të lirohen dhe të dënuar mbi 60 vjeç, apo që vuajnë nga sëmundje kronike, të cilët nuk kanë përfituar nga amnistia e miratuar së fundi në parlament. Ministria u kërkon 3 institucioneve që të veprojnë në një kohë sa më të shpejtë.
Masat
Në fakt janë të shumta ankesat e të burgosurve në lidhje me kushtet dhe me ndëshkimet që iu bëhen nga personeli i burgjeve. Jo vetëm në rastin e masave për mbrojtjen nga infektimi me Covid-19 por edhe për ndonjë pakënaqësi të vetë atyre që drejtojnë nëpër institucionet e burgjeve. Janë dëshmi të burgosurish të cilët tregojnë se janë zhvendosur nga një burg në tjetrin vetëm më rrobat e trupit dhe nuk janë lejuar të marrin asgjë tjetër me vete.
Në kuadrin e moslejimit të kontaktit me familjen, atyre iu mohohet edhe e drejta për tu pajisur me rrobat që çojnë familjarët e për pasojë gjendje e shumë prej tyre është në kushte të rënduara jo vetëm higjiene por edhe ushqyese. Sidoqë, drejtoria e Burgjeve në këto masa që janë në vazhdën e akteve normative për vetëizolim, pretendon se po ruan të burgosurit nga infektimi, ndërkohë që bëhet me dije se nuk është marrë asnjë masë për t`i ndihmuar ata të mos e ndjejnë nevojën e të ushqyerit nga jashtë prej familjeve dhe të afërmeve të tyre.