Coronavirus, faleminderit dhe mallkuar qofsh!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Sebi Alla

Veshët nuk më buçasin, zhurmë nuk ka, me përjashtim të një tenxhereje që shfryn lirshëm teksa zien aty në kuzhinë dhe më shumë se shqetësuese më ngjan me një muzikë e klasike që të bën të qash nga emocioni. Stres kam disi nga “arresti shtëpiak” që na ka vendosur “gjyqtari” i rreptë “COVID-19”. E urrej, dhe pse nuk kemi ç’ti bëjmë, si bëmë asgjë të keqe këtij “gjyqtari” që lindi dhe u rrit në Kinë dhe sot po vendos ligjësinë e tij të pashkruar, kudo në botë. Jemi të vegjël para gjëmës dhe po e pranojmë izolimin shtëpiak. Ditari në ditën e pestë në karantinë ka disa fleta për tu mbushur. Ti përvishem me mallkime dhe gjykime coronavirusit është shumë e lehtë, por ja që ai paska disa përfitime, ndoshta nëse vihen në kandar, mund të jenë edhe më të mira se në një “ditë të zakonshme” në Tiranën e para së premtes së shkuar, kur ra çanga: “të gjithë mbylluni në shtëpi”. Kryeqyteti i shpëtoi dioksidit të karbonit që lëshohej vrullëshëm, duke nisur nga papaqët acarues dhe deri tek betonierja zhurmëmadhe që zbrazet diku në një gropë pallati apo kulle shumëkatëshe në ndërtim.

-Tirana është e pastër… Shoh qartë pallatin përballë, aq sa bëj kritikun nëse fqinja i ka larë mirë rrobat e bardha apo janë të strëngura? Në fakt asaj i shkëlqejnë, borë i ka teksa i valëviten në telin e ballkonit. Qenka bërë nikoqire mendoj, mos ka ndërruar garderrobë? Jo, s’ka mundësi, tregu i madh është i mbyllur. Shpejt vi në vete, është vetëm shikimi më i kthejellët, e paskam gjykuar keq fqinjen time, para përhapjes së coronavirusit mendoja se nuk dinte të lante… Në fakt na u desh coronavirusi për të parë qartë.

Po dëgjoj edhe më mirë… Buri makine nuk buçet kërkund, sharje shoferësh majë fuoristradash as për fare. Shpëtova edhe nga “veshi i mesit”… Sinptomë zhurmash të vazhdueshme. U deshe t’i coronavirus për të kuptuar se syri po shkelqen dhe veshët i lëmë të qetë, të paktën për disa kohë, nuk di sesa, por qenka ndjesi e mirë. E ti “COVID-19” faleminderit gjithsesi, edhe pse inatin ia kam, sërish e urrej. Kthej sytë nga TV-të informuese që lajmërojnë se një pacient sot u nda nga jeta dhe bashkë me virusin kishte edhe një mori sëmundjesh kronike, 59 të infektuar, dy jetë të humbura. Ai informacion vijon për disa minuta kthehet e rikthehet sa për ta mbajtur në siglën “lajmi i fundit”. Shkoi gjatë, u bë lajm i vjetër, gjë tjetër nuk ka. Për fat nuk shoh prej pesë ditësh në mediat tona asnjë aksident me pasojë vdekje, plagosje të rënda, gjymtime dhe lëndime. Gjak në rrugë nuk ka, ti coronavirus i frikshëm na shpëtove ndoshta edhe për disa kohë shumë jetë, nga ata që humbin pa kuptim, madje fort të rinj që lenë frymën e fundit në asfat apo nën grumbujt e hekurishteve të makinave që drejtonin. Në rrugë nuk dalloj as policët “jelekverdhë” të bashkisë apo të rendit që bredhin me blloqe të trasha gjobash në duar që i ngjisnin ballinës së xhamit të automjeteve, edhe në skutat e lagjeve më të thella të qytetit.

Lexo edhe :  Nga fshatari kulak me tepricat e grurit, te fshatari evazor me bidonët e qumështit

Më zenë sytë jelekëverdha, por janë zonjat e vërteta të qytetit, pastrueset, që për fat edhe ata po jetojnë këto kohë më pak lodhje në punë. Fshesa e tyre nuk mbledh bishta cigaresh të hedhura në trotuare, apo copa ambalazhi të lëshuara nga qytetarët e “mirë”, që sot dezinfektojnë çdo cep të shtëpisë, heqin edhe merimangat lart në tavane. Bah…, zona e ish-Bllokut bosh. Nuk sheh të rinj që shesin “gazra” me makina të shtrenjta, apo edhe në këmbë, duke i kthyer trotuarët si “pasarelat e Milanos”. Tallavaja s’të huton, pikëz shurme, ambulanca nuk mbetet në trafik, zjarrfikësja çan lirshëm kudo ku është rreziku. Nuk ka as vrasje të mirëorganizuara këto ditë, nga ato që rëndom i quajmë “larje hesapesh”. Mos u bënë më të mirë, kriminelët po “ndërgjesohen” dhe janë futur thellë në “bibliotekën” e shtëpisë? Këtë nuk e beson as bufi që për shkak të mungesës së zhurmës po këndon lirshëm. Nuk kanë nga të shkojnë nëse kryejnë një krim. Rrugët janë të boshatisura, postblloqe kudo, punë me rrezik edhe për më të rrezikshmit e krimit, ndaj ky coronavirusi na solli edhe më pak vrasje. Po sërish inatin ja kam, në akth na ka futur të gjithëve. Coranavirus iksh sa më shpejt dhe tu shoftë ajo farë që të ngjizi, në labarator sikurse thonë disa teori, jo aq konspitative, apo i rritur natyrshëm në llumin e kësaj bote globale. Një vaksinë për ty do dalë, e kur të ikësh ti, që na le në ankth, të tjera ankthe do ketë. Shumë smog që në na i bluan mushkëritë çdo ditë, ngadalë, e ai bashkim kancerogjen e merr me nge derisa na përplas tek ai Spital Infektiv, apo tek Sanatoriumi që sot janë kthyer në karantinë vetëm për këtë “flamë COVID-19”. Për fatin e keq, sërish lajme aksidentesh me të rinj që ndahen nga kjo jetë do të ketë. Makinat do ndizen, ashtu të zhurmshme, madje edhe me më shumë smog që ditën e parë, duke gulçuar atë dioksid të grumbulluara në ditët e pushimit. Vrasjet do shtohen përsëri, krimineli me armë do largohet sërish mes rrëmujës, ahengut, tallavasë së ish-Bllokut, apo në ndonjë copë të madhe periferie. Për kaq kohë sa na hoqe ca aksidente të rënda, vrasje, vjedhje, zhurmë, tym e smog të zi, e mbi të gjitha “gazra injorantësh” që bredhin kuturu, faleminderit coronavirus, gjithsesi mallkuar qofsh!

Të fundit

Celine Dion i mahnit fansat me foto në pishinë

Këngëtarja kanadeze Celine Dion, 57 vjeçe, ka surprizuar fansat e saj duke postuar në rrjetet sociale foto ku shfaqet...

Serbia dhe Kina bashkojnë armët. Stërvitja e parë ushtarake mes dy vendeve

Serbia dhe Kina bashkojnë forcat e armatosura, për stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake, gjatë gjysmës së dytë të korrikut. Siç njoftoi zëdhënësi i Ministrisë...

“Pse disa u legalizuan e disa jo?”/ Tabaku reagon për shembjet në Theth

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër përmes një videoje në rrjetet sociale lidhur me situatën e krijuar në Theth, ku qeveria...

Zaptuan hapësirat publike dhe i kthyen në parkim privat, procedohen dy persona në Vlorë

Policia e Vlorës ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike. Gjatë kontrolleve të kryera në lagjen ‘Ujin e Ftohtë’ konstatuan se dy persona kishin...

Merr flakë autobusi në aksin Gjirokastër-Sarandë

Një autobus që udhëtonte nga Gjirokastra drejt Sarandës është përfshirë nga flakët e zjarrit. Ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Kardhiq, 4 kilometra përpara hyrjes në...

Lajme të tjera

Web TV