BUKUR! VËRTET, SA BUKUR!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Përshtypje dhe imazhe nga përurimi –

Nga Visar Zhiti

BIBLIOTEKA DHE FOSHNJA: …erdhën njerëz të bukur në Bibliotekën e bukur në Downers Grove, Chicago. Salla e bukur, me ato radhët e gjata me karrige, që nga pianoja e deri te dera në fund, po mbushej me shpejtësi dhe, teksa uleshin, vazhdonin bisedat me njëri-tjetrin. Po bëhemi Shqipëri dhe këtu, e madhe në zemër, ja, kemi shqiptarë të Shqipërisë, nga Kosova e Çamëria, nga Maqedonia e Veriut (e Jugut për ne) e nga Mali i Zi, po, po, por jemi dhe amerikanë… Kishin ardhur dhe nga qytete të tjerë, madje dhe nga shtetet pranë, ishte dhe një nga Gjermania, Altini, të rinj plot, por edhe flokëzbardhur siç janë luleborat këtej dhe shkonin te tryezat ku ishte libri, e merrnin dhe kërkonin autorin. U krijuan radhë të vogla e të shpeshta para tij, donin një autograf… Shih, shih, dhe një fëmijë i vogël, e mbajnë në krahë, s’është bërë ende një vjeç, e kanë marrë me vete mami me babin Bledi Stefa, Davidi i bukur, dua dhe unë ta marr në krahë, pranë është dhe një babi tjetër, i Olivias, që i bëri 40 ditë. Në karrocën e tij Davidit mbase i kishin vënë ndonjë libër me figura, por ai xhaxhi që çeli veprimtarinë, Taipi, edhe ai sapo është bërë gjysh me Elirën, tha se jemi mbledhur të gjithë për një libër tjetër, “Këpuca e aktorit” të xhaxhi Visarit… Do të flasim për të sotmen dhe të ardhmen, duke kujtuar dhe të shkuarën, kështu është romani që na ka mbledhur këtu. FILLUAM: …E organizojmë këtë takim ne, Klubi Shqiptar i Librit, e vazhdoi fjalën e tij të mirëseardhjes Taip Beshiri, jemi një grup shokësh e miqsh, që mblidhemi shpesh e vendosëm të hapemi më shumë me ju. Së pari tha ai, do të lexoj përshëndetjen që Presidenti i Shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, Adnand Mehmeti, dërgonte nga New Yorku. Dhe ia lë drejtimin e veprimtarisë Dr. Jani Gjonit. Ai menjëherë foli se ç’ishte ky roman, arketipin dhe vlerat që sjell, “Këpuca e aktorit” si metaforë e ecjes dhe ftoi Odise  Priftin të thotë dy fjalë për jetën e autorit dhe veprat e tij.

Dhe u vazhdua me diskutim e parë nga Doktor Minella Aleksi, ndërkohë dhe ai autor i një libri dhe i shumë artikujve në media, ai lexoi shkrimin e tij kritik që kishte botuar në gazetën ExLibris, ku ndër të tjera cekte raportet e romanit “Këpuca e aktorit” më të vërtetat dhe historinë, me shpërpjestimet dhe zbehjet që krijohen me ata që bëjnë histori… Edhe Inxh. Artan Nati, që po shkruan dendur artikuj në gazeta, shikoi lidhjet e romanit me mitologjinë e lashtë, por dhe me politikën e ditës. Edhe Inxhinieri tjetër Milto Skrami në fjalën e tij zbuloi vlera të tjera, që e bëjnë romanin modern, tërheqës, ndër më të rëndësishmit në botimet e reja. Përsëri vjen në foltore Taipi dhe lexon fjalën e Doktor Xhabir Alilit, i cili ka ikur në vendlindje, në Maqedoni. Edhe shoku ynë i grupit Dhimo Jano ka ikur në Greqi dhe mungon diskutimi i tij, por jo meraku për këtë takim. Ja, në foltore shkon Dr. Ernest Nasto, Fjala i tij ngrihet dhe kap pjesën qiellore, andej nga na vijnë shpirtërat, bukuria e tyre hyjnore, Nënë Tereza, thotë ai, At’ Fishta, Frashëri… Atjoni, Hiri (Grace) etj, etj.

Po si u shkruar ky roman?

Drejtuesi i takimit, Jani, fton të flasë bashkëshorten e autorit, Eda Agaj Zhiti dhe ajo nxjerr disa ”sekrete”, por dhe i thur një himn bibliotekave, që ruajnë kujtesën e botës. Jam e emocionuar, tha ajo, kam përballë mësuesin tim të parë, tim atë…Profesor Gezim Basha kërkon fjalën. Ka ardhur nga larg. Jep lëndën e letërsisë në një kolegj në shtetin pranë, është kritik letrar dhe përkthyes, e paraqet drejtuesi i veprintarisë. Gëzimi sjell vërtet gëzim mendimi dhe emocionesh. Me elegancën e fjalës u thotë të pranishmëve se letërsia lexohet vetëm si e tillë, as si histori e as si politikë. Në romanin “Këpuca e aktorit”, që sa nis, shohim presat e kovës së një ekskavatori si thika, ato lajmërojnë një krim shtetëror dhe në fund lexojmë, ‘…jam shtatzënë dhe ndjeu brenda vetes qiell plot dritë.’ Kjo është shpresë dhe poezi, autori është poet… Gëzimi lavdëroi veprimtarinë, praninë, nivelin e lartë të diskutimeve, rrallë kam parë takime të tilla shqiptarësh, përfundoi ai. Foli dhe një mërgimtar i hershëm, Fejzi Sulejmani, i arratisur nga Shqipëria dikur dhe me znj. Vjollca nisën pyetjet nga salla. Po i shikoja me dashuri njerëzit përballë. Davidi i vogël aty ishte ende, në krahët e të atit dhe lëshonte zëra gazmorë. Ishte hera e parë që merrte pjesë në përurimin e një libri. Dashi xhironte me celular. Te tryeza e librave rrinte në këmbë bashkëqytetari im, lushnjari Bujar… Të njohur plot. Të gjithë dinin të dëgjonin bukur… Pranë familjarëve dhe Leka Brisku, diakoni i parë shqiptar në shtetin Illinois, ja dhe Edlira… në rreshtin tjetër, Elsa me Nikon, ja dhe Nikoja tjetër me Merin… Imelda… Rita, Vjollca… Mirela me Nasin… Nebiu, Turi më tutje, Tasi, Elvisi… Labi… Ray me bashkëshorten, Fatmiri me bashkëshorten, Mirjani me bashkëshortin, Mondi… Agroni… Arben Bejleri… Mynyri, Artedi… etj, etj, ndjeva dritën e yllësive të kaq shumë syve që më rrethonin bukur… e ç’mund të thosha, që sjell përshëndetjet nga Shtëpia Botuese Onufri në Tiranë, nga drejtoresha, znj. Hudhri, të redaktorit nga Rumania, Dr. Luan Topciu, të miqve nga Miçigani, nga Wisconsin? Këtu folën kaq bukur të gjithë dhe ju jeni kaq të bukur të gjithë, veçse mirënjohje pafund… dhe erdhën të tjerë përsëri të më kërkoni autografe, u ula sërish në tryezën mes dy vazosh të mëdha me lule të bukura, lule motre, flatra shqiponje… dikush vinte me dy libra, donte autograf për një të tijin, që s’erdhi dot, ishte në punë, për në Shqiperi e donte një tjetër autografin, me tre libra, me pesë… çastet m’u bënë lule… një vazo tjetër e përhershme… dolëm… sheshi para Bibiotekës ishte plot me vetura, në shumë prej tyre në ndenjësen tjetër ishte dhe një libër i ri, ku do ta çonin, në shtëpi, në të ardhmen?… Eda ashtu ishte lutur.

Lexo edhe :  Rama synon 1 milion vota gjithësej dhe 84 mandate për PS-në, por…

FJALA NGA DR. JANI GJONI

“KEPUCA E AKTORIT” NJË ARKETIP LETRAR MJESHTËROR

Libri “Këpuca e Aktorit” i shkrimtarit Visar Zhiti është një vepër letrare e rëndësishme dhe e vlefshme që sapo erdhi në peisazhin e letërsisë shqiptare. Ajo është shtesa e fundit nëtërësinë e veprave të sjella nga Zhiti përpara publikut lexues. Nëpërmjet këtij romani, autori trajton tema të gjëra dhe komplekse që reflektojnë përvojën e jetës dhe mendime të thella të artikuluara në mënyre poetike për njerezit, vendin dhe historinë e Shqiperisë. Libri është një arketip letrar i krijuar me mjeshtëri nga Visar Zhiti, që çon lexuesit në një udhëtim të larmishëm dhe tërheqës në horizontin historik dhe shoqëror të Shqipërisë. Struktura narrative e tij mpleks në mënyrë të përsosur elemente të mitologjisë, besimit dhe historisë moderne, duke ofruar një eksplorim shumëdimensional të përvojës njerëzore në shoqerinë tonë. Libri ndahet në tre pjesë kryesore të cilat janë rrjedhim i natyrshëm i ngjarjeve në epoka të ndryshme, dhe që nga faqet e para, lexuesi zhytet në një botë magjepsëse, e ngjashme me epikat e mëdha homerike. Prania e personazheve si Hektori, Moisiu, Maria, Hëna, Donika, e Nënë Tereza krijojnë një tablo të gjallë që lidh të kaluarën e largët dhe të afërt me kohërat moderne. “Kepuca e Aktorit” është në mënyrë simbolike udhetimi në kohë i Shqipërisënëpërmjet karaktereve e ngjarjeve të goditura të përshkruara me mjeshtëri nga shkrimtari. Ndërsa lexuesit vazhdojnë të thellohen në lexim, ata zhvendosen në histori, në periudhat e turbullta të Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore ku fati i Shqipërisë dhe i popullit të saj varej në kufijtë e një ekzistencializmi delikat. Tregimi mjeshtëror i Zhitit i jep jetë këtyre udhëkryqevehistorike me magjinë e metaforës, duke kapur thelbin e çdo kohe me detaje të kuptueshme për këdo. Përmes protagonisteve, lexuesit përjetojnë vështirësitë dhe sakrificat e individëve të kapur në marrëzinë e luftës, shohin jetët e tyre të përpjekura me fatet e kombëve. Aftësia e autorit për të lidhur së bashku narrativat dhe periudhat e ndryshme lejon një kuptim të ndërvarur e më të gjërë të identitetit të Shqipërisë dhe vendit të saj në kontekstin kohor. Autori shkel qetësisht tabutë e racave, kombësive dhe përkatësive tribale, duke ecur në territorin e egërsisë njerëzore, por pa e tejkaluar ne kufinjtëe vulgaritetit. Gjuha e pasur e shkrimtarit dhe ngjyrat e fuqishme që përdor krijojnë një tablo të plotë dhe një përshkrim romantik të Shqipërisë në fillimet e saj në shekullin e 20. Një aspekt i rëndësishëm i librit është stili tekstual i Zhitit, i cili është i veçantë, unik dhe virtual. Ai shpreh ide dhe emocione nëpërmjet fjalëve të thjeshta e simbolike, duke krijuar një atmosferë poetike të veçantë. Shqipja e tij është e pastër dhe e qartë, ai përdor imazhe të fuqishme për të dhënë situata komplekse. Në përgjithësi, libri “Kepuca e Aktorit” është një vepër e thellë dhe e frymëzuar nga ndjenjat patriotike. Zhiti shpalos talentin si shkrimtar nëpërmjet tregimtarisë origjinale dhe trajtimit estetik të temave të rëndësishme. Ky libër ofron një perspektivë marramendëse mbi identitetin, dramën dhe kuptimin e ekzistencës së njeriut, duke bërë që lexuesi të reflektojë dhe të përsiasë për çështjet e shumta.

 

Të fundit

Dëme kolosale/ Të burgosurit angazhohen në shuarjen e zjarreve në Los Angeles

Shumë prej zjarrfikësve që punojnë gjatë gjithë kohës për të luftuar zjarret e mëdha në Los Angeles janë të...

Virozat e stinës/ Mjekja: Situata në terren shqetësuese!

Mjekja pediatre Valbona Shahinaj, e ftuar në emisionin Kjo javë në News 24 tha se jemi në kohë viroze. Shahinaj theksoi se situata në...

Trump konsideron Groenlandën si “domosdoshmëri absolute”, Danimarka propozon bisedime

Danimarka i ka dërguar një mesazh privat ekipit të Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, duke shprehur gatishmërinë për të diskutuar mbi rritjen...

Përplasen dy tramvaj në Strasburg, dhjetëra të plagosur

Të paktën 30 persona janë lënduar pasi dy tramvaj u përplasën në një aksident të tmerrshëm në Francë. Një operacion i madh shpëtimi është duke...

Zgjedhjet në Gjermani, Olaf Scholz zyrtarisht kandidat i socialdemokratëve për kancelar

Kongresi i partisë SPD në Berlin ka emëruar Olaf Scholz si kandidatin e saj për kancelar në zgjedhjet e ardhshme federale në fund të...

Lajme të tjera

Web TV