Lionel Messi fitoi trofeun e parë në tokën amerikane teksa ylli argjentinas ishte protagonist në finalen e Ligës së Kupës për Inter Miamin ndaj Nashville, të fituar me penallti pasi koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1. Ishte pikërisht Kampioni i Botës ai i cili zhbllokoi shifrat në pjesën e parë teksa realizoi një kryevepër në minutën e 23-të.
36-vjeçari shënoi me të majtën në hyrje të zonës kundërshtare dhe e dërgoi topin në trekëndësh për të mos i lënë asnjë mundësi reagimi portierit kundërshtar. Për Messin ishte goli numër 10 në shtatë ndeshje me skuadrën amerikane.
Gjithsesi, Nashville barazoi shifrat në pjesën e dytë me anë të Picault. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund dhe për të vendosur fituesin u desh lotaria e penalltive. Nga 11- metrat, ekipi i Messit ishte më i saktë teksa ishte argjentinasi ai që mori përsipër penalltinë e parë duke realizuar me saktësi.
Pas një maratone të vërtetë penalltish, ishte Inter Miami që fitoi pas 10 penalltive të sakta ndërsa Nashville mbeti në kuotën e nëntë penalltive. Në këtë formë, klubi i Beckham iu gëzua trofeut të parë në epokën “Messi”, por edhe të parit në historinë e Inter Miami. Nga ana tjetër, për argjentinasin ky ishte trofeu i 44 në karrierë, trofe që e shndërron edhe në lojtarin më të titulluar të historisë së futbollit.