Kosova në kohë virusi

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kosova në kohë virusi nga Erl Kodra

Kriza politike në Kosovë është shumëdimensionale. Kompleksiteti i saj ngërthen krejt elitën politike, por mbi të gjitha, Kryeministrin Albin Kurti.

Ka një plan amerikan për një marrëveshje përfundimtare Kosovë – Serbi. Unë po e quaj që në fillim “Plan Amerikan”, domethënë, me emrin e tij të vërtetë, duke mos ia cituar emrat e tjerë, domethënë, “Plani Thaçi – Vuçiç – Rama”, ose çdolloj emri tjetër me të cilët është përfolur përgjatë këtyre dy viteve.

Plani është gatuar në kohën kur në Prishtinë dhe Tiranë ishin të zënë me punë të tjera, duke bërë “politikë të madhe” me financat e shtetit, ndërkohë që Serbia lobonte fuqishëm në Amerikë, Rusi, Kinë, dhe mbarë botën kundër shtetësisë së Kosovës.

Në Shtëpinë e Bardhë është një president i çuditshëm, krejt açik të tjerëve, që e ka përmbysur politikën e jashtme të SHBA-ve, duke e thyer traditën, dhe e cila mund të rezultojë në një prishje përfundimtare të ekuilibrave global. Se qysh mund të jenë këto ekuilibra në të ardhmen, mbetet për t’u parë, por me siguri, ato nuk do të jenë këto që kemi patur. Në këtë kontekst, Kosova mund të mos ketë rëndësinë që ka patur, po ashtu rajoni ose më gjerë se kaq. Është krejt e pamundur të parashikohet se si mund të jetë bota pas 5 vitesh, sepse ngjarjet e mëdha janë në zhvillim e sipër.

Ashtu siç është edhe pandemia globale me SARS – CoV 2, e cila padyshim do të lërë pas shumë viktima, katastrofë ekonomike dhe frikë për të ardhmen e afërt. Mundet që edhe rendi botëror të ndryshojë. Madje për këtë po flitet hapur.

Shtetet e Bashkuara (Presidenti Donald Trump) e kanë ndarë mendjen që Marrëveshja Kosovë – Serbi të realizohet shpejt, brenda disa muajve të ardhshëm. Në këtë objektiv janë angazhuar direkt Richard Grenell, Ambasador i SHBA-ve në Gjermani, dhe së fundi Drejtor i Agjensisë Kombëtare të Sigurisë, Robert O’Brien, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare, Mike Pompeo, Sekretar i Shtetit. Këto janë nivelet më të larta të administratës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbi këta zyrtarë qëndron direkt Presidenti i SHBA-ve, njeriu më i fuqishëm i Planetit Tokë.

A u morëm vesh deri këtu?!

Koalicioni LVV – LDK mezi u ngjiz, megjithë përpjekjen e gjatë plot dritëhije mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës. Vonesa e pajustifikuar paralajmëronte këtë situatë të pazakontë. Ajo çfarë e kthen gjendjen në diçka të turpshme është fshehja pas një fjalori shterpë, të drunjtë dhe të padenjë. Ikja pas sofizmave leksikor nuk të shpëton nga përgjegjësia, për më tepër kur veprimet duken ashiqare që janë vetëm një lojë e vogël dhe e pisët. Të shpjegohem troç.

Të gjithë politikanët në Kosovë e dinë se taksa 100 % me Serbinë do të hiqet nga presioni amerikan. Kushtet kur u vendos ajo nga Ramush Haradinaj nuk janë të njejtat. Haradinaj drejtonte një qeveri të pamenaxhueshme, që vetëm një njeri si ai mund t’i dilte në krye t’i mbante në vathë.

Sot presioni amerikan për heqjen e taksës është evident, i qartë, i prerë, aksiomatik. Edhe Albin Kurti e di, madje ai e hoqi atë që prej dy ditësh, pavarësisht artificave që ai po përdor. Pas kësaj heqje vjen pjesa tjetër, ku do të shtrohet direkt në tavolinë “Plani Amerikan” për Marrëveshjen Kosovë – Serbi, me postulatin në krye:

“Merre ose lëre!”

Duket qartë se Albin Kurti ka frikë nga ky moment. E kuptueshme, gjithkush do të kishte frikë. Por Albin Kurti gaboi rëndë.

Në të vërtetë, do të ishte 1000 herë më mirë që Albin Kurti të kishte një qasje tjetër. Që ditën që u krijua qeveria e Kosovës, ai duhej të tregohej shumë luajal me amerikanët, shumë bashkëpunues, shumë ndërveprues. Ai duhej të shkonte direkt tek plani, duke lënë të kuptohej se ai “nuk ka ndonjë gjë kundër planit amerikan, por ai duhet të dijë, të informohet dhe të mbështetet nga dhe tek aleatët strategjik”. Me këtë lëvizje ai do të hynte brenda tavolinës ku do të debatohej plani, do të ishte pjesë e tij.

Lexo edhe :  PS dhe modeli i saj i përçudnimit të rinisë

Por Albin Kurti ndoqi rrugë tjetër, duke u fshehur, herë nga telefonatat që vinin nga Washingtoni, herë pas lojrave të vogla me taksën, herë pas retorikave me leksik të fortë por pa asnjë thelb. Ditë pas dite ai gatoi izolimin e tij, me duart e tij. Fjalori kundër Presidentit Hashim Thaçi, duke e kërcënuar me shkarkim që prej ditës së parë pas zgjedhjeve, kishin krijuar një atmosferë të helmatisur.

Albin Kurti nuk bëri asnjë veprim që t’a pastronte këtë atmosferë, përkundrazi, ai përditë hidhte helmin e tij, duke e ditur, se ky helm do t’a helmonte atë të parin.

Veprimi final i Kryeministrit, në të vërtetë ishte i jashtëzakonshëm. Ai e rrëzoi vet qeverinë e tij, me shpresën se me këtë veprim, do të shtyjë ditët e tij si Kryeministër, ose nëpërmjet përçarjes së partnerit të koalicionit, ose nëpërmjet artificave ligjore me Gjykatën Kushtetuese, dhe kështu, do të fitonte kohën e duhur, duke e bërë të pavlefshme në kohë për interesat e rizgjedhjes se Presidentit, Marrëveshjen Kosovë – Serbi.

Kështu, Albin Kurti kreu aktin final të zhytjes në moçal, duke luajtur pisët, me lojtarë po aq të pisët sa ai. Në të vërtetë, ai duhej të sillej ndryshe, si burrat, ballë për ballë.

Albin Kurti duhej të pranonte gjithçka që i kërkojnë amerikanët, deri në momentin e Planit për Ndarjen e Kosovës. Këtu duhej të thoshte thjesht:

Jo, faleminderit!

Dhe të jepte dorëheqje. Ose të bënte çdo lloj veprimi, përveç pranimit të atij Plani.

Lojrat e tjera, fshehja nga telefonatat, fshehja pas taksës, fshehja pas shkarkimit të Ministrit të Brendshëm, mospjesmarrja në tavolinën e bisedimeve, e kanë kantandisur Kryeministrin e Kosovës në një lider të vogël, disi frikacak, të pabesueshëm dhe të paaftë për t’u bërë ballë kulisave.

Atyre (kulisave) është e pamundur t’u bësh ballë duke u fshehur. Njeriu duhet të largohet nga lojra të tilla, të cilat nuk është në gjendije t’i përballojë.

E mira do të ishte që politika shqiptare të ishte unike në këtë pikë. Do të ishte dashur që Presidenti Hashim Thaçi të refuzonte kategorikisht çdo lloj diskutimi për territore. Po ashtu, do të ishte dashur që edhe Kryeministri Edi Rama të refuzonte pa ekuivok çdo ide për shkëmbime të tilla, duke deklaruar se Shqipëria dhe shqiptarët nuk pranojnë prekjen e kufinjve. Shqipëria mund të mos jetë faktor në arenën ndërkombëtare, por ajo është faktor kryesor dhe përcaktues në fatin e shqiptarëve në Ballkan. Fjala e Shqipërisë zyrtare ka peshë, edhe si aleate e NATO-s, por edhe si shtet bërthamë për botën shqiptare.

Por për fat të keq, “do ishte dashur” mbetet vetëm një dëshirë. Sepse gjërat kanë shkuar në rrugë pa kthim; duke i lënë shqiptarët në mëshirë e rastësisë.

Këto ditë kam lexuar me dhjetra artikuj, kam komunikuar me shumë miq, në përpjekje për të kuptuar më mirë të gjitha kulisat. Dëgjova me vëmendje edhe fjalën e dobët të Albin Kurtit, ndërsa përpiqej të shpjegonte se sa e jashtëzakonshme paska qenë “tradhëtia” e Ministrit të Brendshëm.

Në të vërtetë, unë pata përshtypjen se, nëse Ministri i Brendshëm nuk do t’a kishte bërë atë dekleratë, Albin Kurti mundet të kishte gjetur ndonjë arsye tjetër, ku me shumë gjasë mund të kishte qene ndonjë nga statuset e gazetarit Berat Buzhala.

Të fundit

“Sistemi i pensioneve në Shqipëri drejt një reforme të dytë

Sistemi i pensioneve në Shqipëri po përballet me vështirësi të shumta, që burojnë nga informaliteti në tregun e punës,...

Pakti i qyteteve të lira/ Veliaj: Angazhohemi për të qenë transformues dhe inovatorë

Kryetarët e bashkive të qyteteve të mëdha në Europë dhe botë janë bërë bashkë në Tiranë. Punimet e samitit Pakti i Qyeteve të Lira...

Shurupi magjik i kollës me shegë dhe mjaltë/Ja si ta përdorni

Kolla nuk duhet nënvlerësuar apo anashkaluar. Ajo shkakton vështirësi në sistemin imunitar dhe e drobit organizmin. Pasi dobëson mekanizmat mbrojtës të imunitetit, kolla e ka rrugën...

Çfarë mund të bëjë Sali Berisha për të hequr ‘non gratën’? Beqiri: Mënyra e vetme për…

Sali Berisha nuk e heq dot ‘non gratën’ as në SHBA dhe as në Britani. Për të arritur këtë ka vetëm një mënyrë, që...

‘Berisha nuk jeton dot pa Metën’/Çupi: Burgosja e ka dëmtuar më shumë se arresti shtëpiak

Analisti Frrok Çupi komentoi për ‘Tirana Live’ lajmin se Meta mund të ketë blerë mandatin e deputetit në listat e Partisë Demokratike. Analisti u shpreh...

Lajme të tjera

Web TV