Ajo është pa diskutim një nga vajzat më të bukura të showbiz-it shqiptar. E bekuar me linja perfekte, por edhe tipare tipike prej mesdhetareje, Adrola Dushi di të tërheqë mbi vete vëmendjen e të gjithëve jo vetëm në pasarelë, por edhe jashtë saj. U bë disa kohë që emri i saj po lakohet në shtypin rozë për një lidhje të mundshme me Capital T, por asnjë prej tyre nuk ka pohuar gjë, të paktën në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Së fundmi ajo ishte e ftuar në “Pardon My French”,ku ka folur në lidhje me gjithçka që po ndodh me jetën e saj. “Falë Zotit, gjërat kanë marrë rrjedhën e duhur në jetë time. Jam shumë e lumtur dhe shumë e qetë. Faleminderit nga Zoti.”- tha ajo fillimisht.
E pyetur në lidhje me karrierën e saj në modeling, që tashmë është e ndarë mes dy shteteve, por së fundmi kryesisht e përqëndruar në Shqipëri, u shpreh:
“Momentalisht jam në një luftë të madhe me menaxherin tim në Amerikë, mesazhet e të cilit janë ‘Ah, moj Adrola, pse nuk erdhe’. Jam mirë me karrierën, por gjëja që them që jam mirë është fakti që kam mësuar t’i ndaj gjërat dhe të di cilat punë vlejnë për mua dhe cilat nuk vlejnë për mua, cilët njerëz vlejnë afër meje dhe cilët nuk vlejnë afër meje. Kjo është arsyeja se pse jam shumë mirë, sepse kam mësuar shumë që ta dua veten. Jo që të lyhem bukur dhe të vesh këpucë të bukura, por të dua qenien time.”
Megjithatë, modelja duhet të ketë një arsye të fortë që ka zgjedhur Shqipërinë para SHBA-së, të paktën momentalisht dhe sipas Adrolës është:
“Kur ika nga Shqipëria para disa vitesh, ika me idenë që nuk do të kthehesha më. Do të kthehesha patjetër, por jo për punë apo ku di unë që të isha shumicën e kohës këtej. Unë nuk u ndava kurrë nga Shqipëria të them të drejtën. Duhet një shkëputje herë pas here, por që unë nuk jam shkëputur kurrë nga Shqipëria, kam shumë njerëz që dua këtu, kam shumë njerëz që nuk rri dot larg, kam edhe shumë punë realisht që më duan patjetër këtu për shkak të kontratave 1 apo 2-vjeçare. Shkoj edhe në Amerikë, por tani është koha më pikante në New York të them të drejtën, është Fashion Week dhe të gjitha me radhë dhe unë thjesht po mungoj. Për momentin janë Fashion Week për veshjet e ditës dhe Fashion Week që bëhet në tetor për fustanet e nusërisë. Më pas janë edhe kompanitë e tjera që unë kam punuar prej vitesh me ta. Photoshooting, video, flokët, make-up.”
Pra arsyeja janë, siç mund ta keni kuptuar, njerëzit që nuk i rri dot larg./E.Ç