Nga Leonard Veizi
Në shekullin e XX, bilanci i ushtrisë italiane, në Shqipëri, nuk ishte aspak mbresëlënës. Në dy luftërat botërore, veç të tjerash, marina italiane do të linte në brigjet shqiptare dhe dy nga anijet më të mëdha të flotës së saj. Njëra prej tyre, “Regina Margerita”, një anije e rëndë lufte, e cila në vitin 1916 do të përfundonte në thellësinë e detit të Vlorës. Tjetra, anija-spitali “PO” do të fundosej në vitin 1941. Ndërkohë që edhe SS Lins, i mbiquajtur “Titatiku austriak” në vitin 1918 u bombarduua dhe u mbyt vetem pak milje nga Kepi i Rodonit. E megjithëse të zhytura në afërsi të brigjeve shqiptare asnjë prej anijeve të mëdha të flotës italiane, dhe as ajo austriake nuk u dëmtua nga forcat vendase, por nga kundërshtarët në rrethanat e përplasjeve të armatosura…
“Regina Margerita”, kryqëzori italian shpërtheu në brigjet e Vlorës
Ajo njihej si anija më e fuqishme e flotës mbretërore italiane. “Regina Margerita”, u projektua si një kryqëzor. Me një gjatësi.6 metra, gjerësi 23.8 metra e lartësi 8.9 metra, ajo lundronte me shpejtësie 20 nyje e barabartë me 37 km tokësore. Ishte e armatosur me topa të kalibrave të ndryshëm ku më të mëdhenjtë ishin 4 topa 305/40 mm, 4 të kalibrit 203/40 mm,12 copë 152 mm, 20 copë 76 mm, etj. Si një anije pa të dytë të atyre përmasave deri në atë kohë, “Regina Margerita” do të luante rolin e flamurmbajtëses të flotës italiane. Ishin ditët e Luftës së Parë Botërore. Dhe veç kësaj kryqëzori në fjalë do të përfshihej edhe në Luftën Italo-Turke.
Në radën e Vlorës
Në muajin prill 1916 “Regina Margerita” mbërriti në radën e Vlorës nën komandën e kapitenit Giovanbattista Bozzo Gravina duke marrë funksionin e anijes udhëheqëse të divizionit naval e cila udhëhiqej nga kundëradmirali Cusani Visconti. Nuk ishte angazhimi i parë i këtij kryqëzori në ujërat shqiptare. Italia kishte vendosur hegjemoninë e saj mbi ishullin e Sazanit dhe mundohej të kontrollonte ngushticën e Otrantos. Mbas një cikël operacionesh në Vlorë, në muajin dhjetor të vitit 1916 jepet urdhri për rikthimin e “Regina Margherita” në bazën e Tarantos. Motivacioni fliste për kryerje punimesh mirëmbajtje. Ditën që duhej të lundronte për në Taranto rajoni i Vlorës u përfshi nga një mot me erë e dallgë e kushte shumë të vështira meteorologjike. Rreth orës 21.00, pas zvogëlimit të shtrëngatës, “Regina Margherita” me 889 burra në bord fillon lëvizjen për të dalë nga gjiri i Vlorës e shoqëruar dhe dy nga anije gjuajtëse “Indomito” dhe “Ardente”. Thuajse 30 minuta nga nisja e lundrimit, rreth orës 21.34, ndërsa gjendej në korridorin e kanalit të daljes së zonës së minuar ndërmjet Ishullit të Sazanit dhe Kepit të Gjuhës, dëgjohen dy shpërthime të forta. Sipas dëshmive të kohës, të marra prej të mbijetuarve, shpërthimi përfshiu pjesën fundorë të anijes dhe qendrën e saj deri në lartësinë e kaldajave. Kjo shkaktoi shpërthimin e kaldajave me avull si dhe të depos së eksplozivit. U deshën vetëm 5-6 minuta nga shpërthimi që anija të përfundonte në fund të detit. Komandanti i kryqëzorit dhe 614 anëtarët e ekuipazhit u mbytën. Vetëm 18 oficerë dhe 257 detarë u shpëtuan, falë ndihmës së anijeve të tjera. Kjo ishte një nga humbjet më të mëdha të Flotës Italiane në Luftën e Parë Botërore. E ndërtuar nga konstruktori Benedeto Brini, si një anije moderne, “Regina Margerita” konsiderohej e pamposhtur. Por nuk ndodhi kështu.
Historia e kryqëzorit
Viti 1901 është viti i përfundimit të ndërtimit të kryqëzorit Regina Margherita me një peshë prej 14. 574 tonelatash. Më parë ky kantier detar nuk kishte ndërtuar anije të këtij kapaciteti. Mbreti Umberto vendos që anijes t’i vihej emrin e bashkëshortes së tij. Me këtë rast ai nxori dhe një dekret mbretëror që mban datën 24 shtator 1898. Por Umberto nuk pati fatin ta shikonte të përfunduar anijen, pasi u vra në Monza në 29 korrik. Në vazhdim, do të ishte djali i tij, Viktor Emanueli III, që në 30 maj 1901 do të prezantonte publikisht këtë vendim. Kjo anije i dorëzohet Marinës Mbretërore në datën 14 prill 1904 dhe në datën 11 maj të të njëjtit vit, në bazën e marinës në Spezia, i dorëzohet flamuri i luftës nga vetë Mbretëresha Regina Margherita me motivacionin: “Për nderin e Italisë”. Për vetë rëndësinë e sajë anija “Regina Margherita” mbeti një anije flamur dhe në dispozicion të admiraliatit deri në datën 15 dhjetor të vitit 1910. Në fillim të vitit 1913 “Regina Margherita” caktohet me Forcat Detare të Bashkuara për patrullim dhe vëzhgim në Mesdheun Lindor në mbrojtje të ishujve të pushtuar të Egjeut.
Konspiracioni mbi shkatërrimin e kryqësorit
Ende edhe sot nuk dihen shkaqet e vërteta të mbytjes së kryqësorit “Regina Margherita”: ishte një silurë e lëshuar në det nga ndonjë nëndetëse austriake që e shkatërroi, apo anija hasi aksidentalisht në ndonjë minë. Në relacionin zyrtar për mbytjen e kësaj anije, autoritetet deklarojnë: “Mbytja e anijes nuk mund të lidhet me veprime armiqësore, por më një fatkeqësi fatale të lidhur me shumë rrethana që e kanë shtyrë Komandën në vlerësime dhe vendime të gabuara“. Ndërsa të gjitha burimet dokumentare austro – gjermane ja atribuonin mbytjen e “Regina Margherita” një nëndetëse gjermane që i përkiste bazës detare austro -hungareze të Polas në Kroaci. Por këtë të dhënë e konfirmonin edhe historianët më në zë të marinës austro – hungareze. Së fundi, në një dokument gjerman të asaj kohe lexohet: “11 Dezembr 1916. Montag vor Valona sinkt Regina Margherita auf einer von U C- 14 gelegten Mine (ca. 600 +)”, ku praktikisht thuhet se anija ishte shkatërruar nga një minë e lënë në det prej nëndetëses UC -14. Ky version i fakteve mund të jetë edhe shpjegimi thirrjes të bërë nga komandanti i anijes Bozzo në çastin e shpërthimit të parë: “E kemi nga austriakët, ata na e kanë bërë!”.
Rigjetja e mbetjeve
Për shumë vite mbi vendndodhjen e anijes nuk ishte mësua asgjë. Në gushtin e vitit 2005 një ekspeditë italiane, me ish-oficerë marine e zhytësa, mbërritën në Shqipëri. Qëllimi i misionit të tyre ishte të gjenin reliken e anijes së Luftës së Parë Botërore. Ekspedita e IANTD kërkonte rrënojën e “Mbretëreshës Margerita” me objektivin kryesor që të kishin një mundësi e të përkujtonin njëqind vjetorin e fundosjes së saj. Nisur nga rëndësia e përvjetorit, pas marrëveshjeve me autoritetet shqiptare, ekspedita e IANTD filloi kërkimin në Vlorë nga 8 deri në 11 dhjetor 2005, me patronazhin e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë. Në këtë rrënojë, të cilësuar me rëndësi të madhe historike, morën pjesë trajnerë, instruktorë dhe zhytës të IANTD, ekspertë në përdorimin e përzierjeve trimix dhe nitroks dhe me aftësi të dobishme për kryerjen e detyrave të ekspeditës; ato janë: Udhëheqësi i ekspeditës Fabio Ruberti, Udhëheqësi dhe organizatori i ekspeditës Cesare Balzi, video operatori Massimiliano Canossa, menaxheri organizativ Carla Binelli, menaxheri i sigurisë Fabio Agostinelli, fotografi Andrea Bolzoni, fotografi Nicola Boninsegna, zhytësi Michele Cocco, zhytësi Jacopo Ruberti, zhytësi Ilir Capuni.
I pari që kontaktoi me anijen e mbytur ishte Cesare Balzi, i cili përcaktoi dhe thëllësinë në të cilën ndodhej relika: 68 metra. Udhëheqësi i ekspeditës Fabio Ruberti me këtë rast ka publikuar dhe një artikull ku flet me detaje rreth historisë së kryqësorit “Regina Margherita” dhe zbulimit të relikeve në afërsi të Vlorës prej ekspeditës së IANTD Zbulimi, shkaktoi një interes të madh në mjaft media ndërkombëtare, ndërsa u pasqyrua fjalë në të gjitha gazetat kombëtare, si dhe edicioni i lajmeve në kanalin kryesor të informimit për Italinë TG1.