Në Gjykatën e Durrësit zhvillohet seanca për ish-deputetin Mark Frroku dhe 7 personat e tjerë, që u përfshinë në konfliktin te Kepi i Rodonit.
Siç shihet nga FOTO, Frroku ka mbërritur në Gjykatë i prangosur. Mark Frroku u arrestua së bashku me 7 persona të tjerë, Antonio Lazari, Pal Doda, Martin Lazeri dhe banorët e fshatit Shetaj, Bajram Kaçuli, Ylli Reka, Erjon Reka dhe Orgito Reka pasi një sherri për një pronë tek Kepi i Rodonit më 29 Tetor.
Sherri mes tyre ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie.
Por banorët e fshatit Shetaj, nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.
Fillimisht ata kanë konfliktuar fizikisht më pas sherri ka agravuar në përdorimin e sendeve të forta dhe armës.
“Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte. Në vendngjarje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri”, raportoi policia./ S.M