“Drejtësia e re” do t’iu kushtojë shtrenjtë shqiptarëve.
Pritshmëritë për ndryshimin rrënjësor të sistemit të drejtësisë, ku pika më e fortë mbetet fitimi i besimit të publikut, do të kenë kosto të kripur për buxhetin e shtetit, ne thelb për xhepat e shqiptarëve.
Buxheti i shtetit me gjithë vështirësitë që u përball pas tërmetit të 26 nëntorit, që la pas 51 të vdekur, qindra të pastrehë e mijëra shtëpi të dëmtuara, nuk u kurseu asnjë qindarkë për “Drejtësinë e re”.
Reforma në Drejtësi, si një parakusht për drejtësi sociale dhe integrim evropian mbështet nga buxheti me 3. 3 miliardë lekë.
Në buxhetin e vitit 2020 janë vënë në dispozicion 2 miliardë lekë për institucionet e reja të Reformës në Drejtësi dhe 1.3 miliardë lekë shtesë për mbështetje buxhetore.
Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, në mënyrë të veçantë të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), që do të merret me hetimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar, pritet të shoqërohet dhe me miratimin e pagave për prokurorët, të cilët do të jenë pjesë e kësaj njësie.
Paga për një prokuror të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion pritet të nisë nga 1500 euro dhe të arrijë shumën e 2500 eurove, me qëllim parandalimin e korruptimit të tyre.