NGA EDUART GJOKUTAJ
Ndërsa viti 2023 u mbyll, ekonomia shqiptare po ecën më mirë se sa pritej nga parashikimet e fundvitit të kaluar. Por mund të thuhet se ky ritëm nuk përkon me pritshmëritë e bizneseve të vogla dhe të mesme dhe të qytetarëve. Sektori i ndërtimit bashkë me një pjesë të shërbimeve të lidhura me industrinë e turizmit shmangën një zhvillim më të ulët. Ndërkohë, disa sektorë që prodhojnë produkte për eksport janë në nivele rritje me një ritëm të paqëndrueshëm dhe pasiguri të niveleve të larta për vitin 2024. Papunësia ka qenë e ulët, por më e rëndësishmja është papunësia e lartë te të rinjtë me mbi dyfishin e nivelit mesatar të papunësisë. Inflacioni po bie megjithëse shfaq një kokëfortësi dhe rezistencë që ndihmohet nga informaliteti i lartë dhe ndikime të tjera që vijnë nga paratë informale të qarkulluara me nivele rekord në vitin 2023.
Në përgjithësi ekonomia shqiptare i tejkaloi parashikimet e ekonomistëve vendas dhe të huaj për vitin 2023. Për 2024 duket se ekonomistët po shfaqin një qasje të kujdesshme në parashikimet e rritjes ekonomike të deklaruar nga qeveria në nivelin poshtë 4%.
Parashikimet me prirje optimiste të kërkojnë të besosh se nuk do të ketë një ngadalësim të rritjes, ndoshta vetëm një zhvillim të butë në një ekonomi të karakterizuar nga norma më të ulëta interesi dhe inflacion më të ulët.
Parashikimet me prirje më realiste apo dhe pesimiste pretendojnë nga analizat e bëra se ekonomia duhet të jetë më e fortë se sa pritet dhe se uljet e normave të interesit duhet të vijnë më shpejt dhe të jenë më të harmonizuara me politikën fiskale dhe masat nxitëse për ekonominë prodhuese.
Ndërkohë, në këndvështrimin e ekspertëve tanë duke parë në vitin 2024, gjykojmë se kushtet ekonomike pritet të përkeqësohen në mënyrë modeste, megjithëse rritja reale e PBB-së dhe ritmi i fitimeve të sektorëve që patën performancë të mirë gjatë 2023 pritet të mbeten pozitive dhe inflacioni i përgjithshëm pritet të bjerë në rreth 3%. Por, çmimet e disa produkteve dhe shërbimeve do të rriten, edhe nga nivelet e fryra të kostove brenda vendit, por norma do të jetë më afër niveleve në përputhje me dy vite më parë.
Normat e interesit, pasi kanë arritur kulmin në vitin 2023 (3.25%) do të jenë në trajektoren rënëse por jo të menjëhershme, por ndoshta me disa faza.
Ne besojmë se normat e interesit do të mbeten mbi normën e inflacionit. Kjo do të thotë se kursimtarët do të përfitojnë në 2024 më shumë se në 2023 nga investimi afatgjatë dhe kjo mund të kthehet në favor pas dy viteve të fundit të cilat nuk konsiderohen në total si pozitive. Tashmë, kursimtarët mund të fitojnë kthime reale pozitive.
Ndryshimet demografike do të jenë faktori kryesor ndikues i kërkesës së tregut të punës në 2024-ën, pasi të rinjtë do të vazhdojnë të synojnë tregun e huaj të punës dhe ajo pjesë që synon tregun e brendshëm do të vijojë të stepet nga moszbatimi i legjislacionit të punës së denjë në sektorin privat, por edhe të mungesës së zbatimit të meritokracisë të ligjit të shërbimit civil.
Ndërkohë, pensionistët do të jenë nën një presion të shtuar të pamjaftueshmërisë së përballimit të nivelit jetik. Me gjasa mundet të ketë presione për rritje të masës së përfitimit. Studimi per perspektiven e skemës se pensioneve, që qeveria thotë se është duke e përfunduar me konsulencën e Bankës Botërore dhe të FMN-së ndoshta do të japë një skemë të plotë dhe konsistente për brezin që pritet të rritë numrin e përfituesve nga skemat e pensionit publik dhe privat.
Zinxhirët e furnizimit të dëmtuar në shumicën e sektorëve prodhuesë ende duket se nuk kanë hyrë në normalitet funksional dhe dëshmi e kësaj është fakti që produktet vendase nuk po ofrojnë shpresë për një ulje të prekshme të çmimeve për konsumatorin.
Perspektiva ekonomike në 2024 mbetet e pasigurt, pasi nëse nisemi duke vërejtur perspektivat e rritjes për ekonominë e partnerëve tanë tregtarë duket se nuk kanë qenë kurrë më të këqija, për shkak të mbartjeve të problemeve të krizës sistemike që tashmë po kalojnë ekonomitë e mëdha europiane, por edhe ndikimeve nga konfliktet dhe prishjet e stabilitetit politik në nivel më të gjerë se Europa.
Në një shikim më të detajuar të parashikimeve ekonomike e fiskale për vitin 2024 duket se adresimet më të nevojshme dhe më të vlefshme për tu reaguar dhe gjithëvepruar janë:
- Harmonizimi i politikave monetare dhe fiskale për zbutjen e inflacionit në mënyrë të moderuar
Tendenca rënëse ka rifilluar në vitin 2023 dhe pritet të vazhdojë deri në vitin 2024. Por, që inflacioni të jetë me ndikime pa shumë efekte anësore (rritje të varfërisë dhe të nivelit të jetesës si dhe të kostove të bizneseve) nevojitet që të studiohet në detaje një qasje e re për një Kontratë të re Sociale në drejtim të instrumentave të uljes së varfërisë (politikat për minimumin jetik etj.), rritjes së fuqisë blerëse nëpërmjet stimulimit të produktivitetit të prodhimeve ushqimore dhe hapje të dialogut deliberativ me bizneset sipas sektorëve për të filluar një qasje të re për mënyrën e qeverisjes së bizneseve dhe stimujve që u duhen për të ndërvepruar me kushtet e reja të tregut për kostot e shtuara të punës dhe prodhimit. Kjo do të thotë një asistim të tyre për ti orientuar drejt një modeli të ri biznesi.
Ndërkohë, nevojitet një skemë e stilizuar anti informalitet që kombinon tregun e punës dhe sektorët më informalë e ngulitur në kuadrin fiska bazuar te gjithpërfshirja e burimeve dhe modeleve pasi edhe pse sektori informal gjatë viteve ka zbutur presionet inflacioniste që vijnë nga kërkesa dhe goditjet financiare, tashmë me avancimin e teknologjisë duhet të zhbllokohet kanali i transmetimit të politikës monetare për ti bërë ndërhyrjet e politikës fiskale më efektive në stabilizimin e inflacionit. Kanalet përmes të cilave duhet të funksionojë politika fiskale janë fleksibiliteti më i lartë që duhet të ofrohet prej tregut të punës dhe ulja e kostos së kredidhënies (duke qenë se sektori informal është i përjashtuar nga tregu i kredisë).
Nëse këto veprime nuk zbatohen të plota dhe në kohë atëherë edhe politika monetare nuk do të jetë efektive. Ja pse është e rëndësishme që në vitin 2024 pararoja e zbatimit të politikës anti inflacioniste duhet të jetë politika fiskale, pasi skema e reagimit nga Banka e Shqipërisë i ka konsumuar në masë të madhe gjithë veprimet që zbatohen për të ndikuar mbi inflacionin.
- Mobilimi i burimeve të vendit dhe atyre jashtë për të rritur shfrytëzimin e potencialeve të ekonomisë nëpërmjet riorganizimit strukturor të saj dhe pa dëmtuar mjedisin
Ne presim që rritja reale e PBB-së të ecë në vijën midis një zgjerimi të lehtë dhe tkurrjes për pjesën më të madhe të vitit të ardhshëm. Pas një rritjeje reale të PBB-së prej 3.8% (më mirë se sa pritej në 2023), ne parashikojmë një ritëm zgjerimi nën trendin prej 2.8% në 2024. Ndër përbërësit kryesorë të PBB-së, shpenzimet konsumatore ka të ngjarë të rriten me një ritëm më të vogël në vitin 2024, ndërkohë që shpenzimet fiskale mund të luhaten nga një kontribues pozitiv në 2023 në një zvarritje modeste e tyre për shkak të humbjes së elasticitetit të sektorit publik në të qenit eficient, por edhe për arsye se të papritura të ndryshme të lidhura me goditje nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm do ta detyrojnë qeverinë të reagojë pa dëshirën e saj për alokime të burimeve të paparashikuara.
Rëniet në investimet e biznesit dhe aktivitetin e ndërtimit në vitin 2024 do të vendosin kushte detyruese për performancën e tyre rritëse në 2024.
Ndërkaq, edhe nëse perspektiva e kreditimit mbetet e heshtur mes normave aktuale të larta të interesit, forca e vitit 2023 në sektorin e shërbimeve ka të ngjarë të ketë rritje modeste.
E gjithë sa analizojmë ka nevojë për angazhim të energjive dhe politikave drejt investimeve në drejtim të edukimit dhe kushteve lehtësuese për futjen masive të teknologjisë në sektorin privat, si dhe krijimin e kushteve për ndërlidhje të sektorëve novatorë drejt kësaj teknologjie. E gjitha kjo nismë që i përket sektorit privat duhet të stimulohet nga politikat publike duke synuar mobilizimin e burimeve të dy sektorëve për të qenë pjesë plotësuese të njeri-tjetrit.
Fillimisht, mobilizimi i burimeve nënkupton lirimin e burimeve të bllokuara apo të papërdorura si dhe sa duhet.
I gjithë procesi nevojitet të koordinohet dhe organizohet me politika të reja që nuk vijojnë të kenë qasje optimiste dhe pak realiste duke bërë të qartë kush janë burimet thelbësore për zhvillimin, zbatimin dhe vazhdimin e punës për arritjen e misionit kombëtar, atë të integrimit ekonomik. Thënë ndryshe, mobilizimi i burimeve nënkupton zgjerimin e marrëdhënieve me ofruesit e burimeve, aftësitë, njohuritë dhe kapacitetin për përdorimin e duhur të tyre .
Një moment me rëndësi është edhe analizimi lidhur me normat më të dobëta të rritjes së PBB-së reale vjetore në dy vitet e fundit.
Analiza duhet të kryhet si një oponencë kritike pasi për hatër të një rritje të sforcuar ekonomike duket se ka shkaktuar pasoja në mjedis dhe në burimet natyrore. Në emër të zhvillimit të ekonomisë, qeveria dhe bizneset kryesisht të mëdha bashkë me rrjetin e tyre kanë përfituar duke minuar efektet e modelit të qëndrueshëm dhe në funksion të zhvillimit ekonomik gjithpërfshirës.
Gjatë viteve të fundit, shqetësimet mjedisore kanë filluar të rriten nga shoqëria civile dhe ambjentalistët duke u shfaqur madje edhe me ide të reja të rritjes ekonomike paralelisht me mbrojtjen e mjedisit. Kështu, p.sh. vendimet anti mjedisore dhe madje të pajustifikuara si duhet edhe ekonomikisht të ministrisë përgjegjëse për politikat energjitike kanë vepruar negativisht në këtë drejtim. Zhvillimi i qëndrueshëm duhet të arrihet përmes higjienës mjedisore.
- Moslejimi i zhvleftësimit të mëtejshëm të Euros, dollarit amerikan etj.
Nëse nuk do të adresohen drejt zgjidhjes së afërt të problematikave të ofertës së madhe të valutave të huaja në tregun e lirë monetar të vendit gjasat janë që edhe në 2024 zhvlerësimi i tyre do të përforcohet. Por, përtej problemit të mprehtë që krijon gropa të thella në ekonomi dhe tregun e punës, me gjasa do të pasohet nga rritja e presionit social për papunësinë që do të krijohet si dhe nevoja që do të lindë për tu përballuar nga buxheti sipas legjislacionit në fuqi.
Ndërkohë, zhvleftësimi i valutave kryesore (euro dhe dollari amerikan) do të japë efekt pjesor edhe në një ngadalësim relativ të rritjes reale ekonomike (eksporti i turizmit dhe prodhimeve) dhe inflacionit, si dhe tejkalim të deficitit të llogarisë korente, i cili si pjesë e PBB-së do të krijojë paqëndrueshmëri për sektorët e tjerë.
Ndikimin me te madh do ta japin kategoria e eksportuesve qe punojnë me lende te pare te porositësve (fasonet) dhe qe kane nevoje te orientohen, asistohen dhe te shërbejnë si një skenar rrugëdalje edhe per sektorë te tjerë qe mund te jene ne te njëjtat kushte ne 2024.
- Nxitja fiskale në vitin 2024 duhet të jetë më e madhe se sa pritet për ekonominë shqiptare.
Edhe pse deficiti buxhetor në vitin fiskal 2024 parashikohet të jetë në nivelin e 2.5% të PBB-së dhe borxhi publik synohet të jetë poshtë nivelit të 60% të PBB-së duhet synuar që ky objektiv të mos mbështetet në të njëjtat vendime si në vitin 2023 (moskryerje e shpenzimeve publike dhe rritje e të ardhurave tatimore në mënyrë disproporcionale midis sektorëve).
Synimi i politikës fiskale gjatë vitit 2024 duhet të jetë të ardhura tatimore më të larta, por jo duke u bazuar vetëm në disa tatime dhe në një bazë të ngushtë tatimore.
Në të kundërt të kësaj, një nxitje fiskale nevojitet aty ku do të shihet nga matjet direkt të ekonomisë dhe familjeve. Politika fiskale kokëforte e deritanishme nuk ka arritur të krijojë të ardhura në rritje të qëndrueshme dhe është bazuar pak te ngushtimi i evazionit.
Nëse do të duhej të ndiqej politika e nxitjeve fiskale për sektorët e ekonomisë dhe familjet duhet që të ardhurat e qëndrueshme të synoheshin duke rritur bazën e taksimit të individëve duke rritur barrën për taksimin e kapitalit, për tatimin e pasurisë, zgjerimin e bazës për kontributet sociale, për taksat kombëtare kryesisht mbi pasuritë natyrore dhe duke ngushtuar barrën e taksave të konsumit në këmbim të zgjerimit të bazës së tyre duke ngushtuar territoret e informalitetit.
Ndërkohë, nëse rritet me të paktën 5% performanca e administrimit (miradministrimi) dhe ulja e korrupsionit do të arrihej një kontribut fiskal për buxhetin shumë më pranë parimit të drejtësisë tatimore dhe drejt rritjes së pajtueshmërisë vullnetare.
Ndërsa kryerja në kohë e shpenzimeve buxhetore duhet të kthehet në matjen parësore të performancës së ministrive dhe institucioneve, pasi rritja e pagave të administratës duhet të marrë kuptim pikërisht nëpërmjet rritjes së performancës së kryerjes së shpenzimeve në kohën e parashikuar dhe me ndikim në uljen e denoncimeve të korrupsionit.
Ne presim që deficiti buxhetor të përmbushet sipas objektivit të Ministrisë së Financave, duke reflektuar si shtrëngimin e rripit në anën e shpenzimeve të kompensuara pjesërisht nga shpenzimet më të larta të interesit për borxhin e qeverisë dhe kryesisht edhe kostoja e rritur e pagave. Ndërkohë, në këtë deficit duhet të mbahet parasysh edhe presionet e ndryshme ndaj buxhetit, që mund të vijnë nga të papriturat që po i shoqërojnë ekonomitë e vendeve në kohën e sotme.
- Tregu i punës po tregon shenja normalizimi deri në fund të vitit 2023, por papunësia mund të shkojë më e lartë në vitin 2024, ndërsa mbetet e ulët në kontekstin historik.
Momenti në tregun e punës ka filluar të zbehet me vendimet e qeverisë për punonjësit e saj, si dhe vendimmarrja e bizneseve për rritjen e pagave dhe uljen modeste të papunësisë, si dhe uljen e normave të lënies së punës dhe ndihmën e përkohshme. Rritja e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore dhe modelet e rritura të imigracionit gjatë vitit të kaluar kanë shtuar ofertën e punës, ndërsa rritja e kostos së punës ndikon një kërkesë të moderuar për punë. Duke marrë parasysh sfidat për të shtuar dhe mbajtur punëtorët që zëvendësojnë largimet dhe lëvizjet nga një sektor tek tjetri, bizneset mund të jenë më ngurrues se normalisht për të larguar punëtorët në një mjedis ekonomik me rritje të ngadalësuar.
Megjithatë, më pak aktivitet punësimi mund të jetë i mjaftueshëm për të bërë që shkalla e papunësisë të rritet në segmentin e moshave të reja deri në fund të vitit të ardhshëm për shkak të dyndjes së punëtorëve nga jashtë. Përfitimet reale tashmë të ngadalësuara të pagave të rritura mundet të ngadalësohen më tej në kontekstin e një tregu më të çorientuar të punës dhe që nuk përmbush kërkesat e punonjësve të rinj për aktivitete prodhuese bazuar te teknologjia.
Politikat aktuale të nxitjes së punësimit nga ana e qeverisë duhet të marrin parasysh pikërisht këto tendenca dhe të japin një formulë bashkëpunimi me sektorët e ndryshëm që hasin probleme. Ky koordinim dhe organizim duhet të ishte i plotë me fillimin e vitit. Por edhe nëse mbyllet në fundin e pranverës mund të shërbejë në drejtim të sektorëve të shërbimeve të lidhura me turizmin dhe teknologjinë informative dhe duhet të synojë pikërisht ato sektorë që synojnë të rinjtë duke riorientuar me këtë rast edhe politikat e arsimit profesional dhe përmbushjes së premtimeve për rritjen e praktikës mësimore dhe veçanërisht rritjes së shpenzimeve për kërkimin dhe zhvillimin.
- Pikat e nxehta të zinxhirit të furnizimit janë kryesisht të nevojshme për tu riparë, ndërsa ristrukturimi i zinxhirit të furnizimit duhet të ndodhë pasi forcimi i disa oligopoleve po deformon konkurencën dhe ndikon në ngadalësimin e rritjes ekonomike.
Gjatë vitit të kaluar, ashtu si edhe në vitet e kaluara, ndërsa kostot e lëndëve të para, mallrave dhe kostot e transportit kanë rënë, konsideratat e zinxhirit të furnizimit duhen zhvendosur nga taktika afatshkurtra në strategji afatgjata të minimizimit të kostove duke siguruar elasticitet dhe përshtatshmëri sipas modeleve të reja të të bërit biznes.
Legjislacioni i miratuar në vitin 2023, duke përfshirë edhe një numër aktesh ligjore që pritet të miratohen gjatë gjysmës së parë të vitit 2024, duhet të shihen edhe me konsiderimin për të ofruar nxitje për disa industri strategjike duke përfshirë burimet e rinovueshme, prodhimet ushqimore dhe nxitja e prodhimeve elektronike dhe softuerike.
Kjo do të rezultonte në rritjen e investimeve të biznesit në strukturat e prodhimit të teknologjisë së lartë. Pritshmëria jonë është se rregullimet e zinxhirit të furnizimit duhet të vazhdojnë me një ritëm të përshpejtuar, pasi edhe ndryshimet më të thjeshta janë të kushtueshme dhe komplekse.
- Rritja e presionit fiskal në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Mjedisi fiskal i normave të taksimit aktuale ka ndikuar në sektorin e pasurive të paluajtshme të ndihen të favorizuar në raport me taksimin e punës. Kjo ndodh në të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme, si ato rezidenciale, po ashtu edhe në ato komerciale. Me këtë rast, edhe pse ligji i ri për taksimin e pasurisë pritet të hyjë në zbatim në vitin 2026, nevojitet një angazhim i burimeve të pushtetit vendor, me një mbështetje shumë më të fuqishme se më parë nga pushteti qendror për të arritur në një zgjerim të bazës së ardhme të taksimit të pasurisë, por edhe për të rritur kontributin fiskal nga pasuria gjatë vitit 2024 duke vendosur edhe objektiva konkretë dhe të arritshëm për barrën fiskale nga kjo taksë shumë e rëndësishme, por e neglizhuar nga qeverisja dhe në favor të korruptimit të zyrtarëve të niveleve të ndryshme.
Ne nuk presim që kjo të jetë një çështje sistematike, por ndërkohë parashikojmë se të ardhurat e buxheteve vendore duhet ta konceptojnë në zbatim se kjo është premisa e humbjeve të mundshme të burimeve për kalimin e një pjese të pengesave ekonomike, të krijuara nga mosveprimi dhe korrupsioni.
- Rreziqet gjeopolitike do të mbeten në një masë më të madhe ndikuese në një pjesë të ekonomisë
Tensionet e ngritura midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si dhe vazhdimi i luftës Rusi-Ukrainë dhe konflikti në Lindjen e Mesme tregojnë të gjitha pasiguritë dhe rreziqet e vazhdueshme për vitin 2024 dhe ndoshta edhe më tej. Ndërsa ndikimi i drejtpërdrejtë ekonomik ka qenë i kufizuar deri më tani, rreziku më i madh është për një goditje të ofertës që lidhet me importet dhe eksportet që bizneset dhe ndërmarrjet publike kryejnë me vendet e ekspozuara direkt.
E gjithë pjesa ndikuese është e lidhur me dobësimin e mëtejshëm të zinxhirit të qarkullimit dhe zgjatjen e ristrukturimit të ekonomisë. Zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm në 2025 mund të jenë më me ndikim se ndikimet e fundit në gjeopolitikë duke pasur parasysh ambicien e socialistëve për të vijuar rrugëtimin e tyre të pushtetit edhe pse shfaqin dukshëm shenja lodhje dhe velje me pushtetin dhe benefitet e shumëfishta që u kanë ardhur prej qeverisjes së pazakontë 10 vjeçare.
Përmbledhtazi për sa shprehur më lart, mendojmë se të gjitha këto masa nëse fillojnë, forcohen dhe performojnë në harmoni midis njera-tjetrës do të ketë një hap shumë të madh në drejtim të:
– Përmirësimit të nevojshëm të mjedisit për biznesin për të kapur ritëm më të lartë të konvergjencës me nivelet e BE-së dhe OECD-së;
– Forcimin dhe standartizimin e aftësive të punonjësve dhe sektorëve duke ndikuar direkt në performancën e treguesve me objektiv afatmesëm për të arritur nivele mbi gjysmën e mesatares së BE-së dhe OECD;
– Finalizimin e progresit drejt konvergjencës në infrastrukturë duke lënë hapësirë për të rritur shpenzimet sociale dhe drejtpërdrejt konsumin;
– Rritjen e performancës në drejtim të dixhitalizimit duke investuar edhe drejt ndërlidhjes mes sektorëve publikë dhe privat për të arritur drejt niveleve të BE-së dhe OECD.
Nëse qeveria do të vijojë të fokusohet vetëm në qasjen politike në funksion të fitimit të zgjedhjeve të ardhme dhe nuk do të heqë dorë nga egoizmi politik mendimet tona konkludojnë se pritshmëria për zgjerim të aktivitetit ekonomik do të përmbyllet si një ëndërr e një nate vere, gjë që parashikohet të përkthehet në rritje më të ulët vjetore ekonomike të vitit 2024.