Covid-19/ Përse ballkonet na frymëzojnë?

Nga Vittoria Traverso, BBC

Përktheu:Alessia Selimi

Ballkonet janë krijuar gjithmonë për të mahnitur dhe frymëzuar masat. Por mes pandemisë së koronavirusit, ato kanë marrë një rëndësi të re.

Federico Sirianni, një kantautor nga Torino, Itali, ishte mësuar të luante koncerte të vogla në lagjen e tij. Por, kur kohët e fundit ai u bashkua me muzikanten Federica Magliano për të luajtur një koncert live në ballkonet e ndërtesës së tyre për fqinjët e karantinuar, gjithçka mori tjetër kuptim. “Shumë njerëz na falënderuan, duke u shprehur se ndiheshin më pak të vetmuar”-tha Sirianni.

Si miliona italianë, Sirianni është kufizuar në shtëpinë e tij që kur vendi lëshoi ​​një bllokim mbarëkombëtar në 9 mars për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit. Dhe, si miliona njerëz në qendrat urbane në mbarë botën, qeveritë e të cilave kanë vendosur masa të ngjashme, Sirianni është duke rizbuluar ballkonin si një burim shprese.

Ballkonet po u kujtojnë gjithashtu njerëzve rëndësinë e të qenit të lidhur me komunitetin, vendin e tyre. Në muajin e fundit, italianët kanë kënduar njëzëri në ballkone himnin kombëtar e jo vetëm, si dhe kanë duartrokitur personelin mjekësor në përpjekje për të rritur moralin kolektiv të vendit. Shumë nga këto praktika të pandemisë publike janë përhapur shpejt në të gjithë botën.

Megjithatë, përkundër rëndësisë kulturore, në dukje të re, nga ballkonet, këto platforma antike janë përdorur prej kohësh për të mahnitur, unifikuar dhe frymëzuar masat. Mbi të gjitha, ka ekzistuar një ballkon në Verona ku Shekspiri parashikoi një nga skenat më të famshme romantike në letërsinë perëndimore. Po ashtu edhe një ballkon në Cape Town, ku Nelson Mandela iu drejtua masave dhe i premtoi një kapitull të ri në historinë e Afrikës së Jugut. Këtyre ballkoneve i bashkohet ballkoni i Vatikanit, ku Papa ende bekon miliona besimtarë çdo të diel.

Ballkonet kanë qenë një element arkitektonik për mijëra vjet dhe rolet e tyre kanë evoluar për t’u përshtatur me kulturat dhe zakonet vendore ndër shekuj. Në librin “Drita e Diellit dhe Hija në Qytetet e Para”, arkeologia urbane Mary Shepperson sugjeron që ballkonet mund të datojnë 3 mijë vjet para erës sonë në Iran, ku mesopotamasit e lashtë kërkonin fillimisht të mbivendosnin hije në rrugë. Megjithatë, shumë historianë besojnë se mikenasit kishin filluar ndërtimin e ballkoneve në atë që tani është Greqia për qëllimin e kundërt: për të rritur dritën natyrale dhe ventilimin e ajrit.

“Në Egjiptin e Lashtë: Anatomia e një qytetërimi”, arkeologu britanik Barry Kemp përshkruan sesi ballkonet u dizajnuan si një “mjedis teatral” për udhëheqësit që të paraqiteshin para popullit të tyre. Një nga ballkonet më të hershme, maenianum, ishte një platformë e hapur për perandorët dhe senatorët që të shihnin po ashtu gladiatorët që përlesheshin në Colosseum. Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, Adolf Hitler njoftoi aneksimin e Austrisë nga ballkoni i Pallatit Mbretëror në Vjenë. Shtatë vjet më vonë, Winston Churchill u bashkua me familjen mbretërore britanike në ballkonin e Pallatit Buckingham për të festuar fundin e luftës.

Ballkonet evoluan. Kësisoj edhe modelet e tyre. Duke filluar nga Mesjeta, ballkone të mbyllura, të njohura ndryshe si mashrabiya, u ndërtuan në pjesën më  të madhe të botës arabe për banorët që të shijonin flladin e freskët, ndërsa respektonin ligjet islamike të intimitetit. Në Rilindje, ballkonet e balustruara u bënë pjesë e shumë ndërtesave italiane pasi arkitekti Donato Bramante zbuloi modelin e Palazzo Caprini të lidhur me parimet e tij në Romë.

Venecia është veçanërisht e famshme për ballkonet, pasi arkitektët kërkuan mënyra për të ofruar qasje në ajër të pastër në një qytet të egër. Për vizitorët nga Evropa veriore, platforma të tilla të inkuadruara shpesh dukeshin si çudira ekzotike. Në udhëtimin e tij të vitit 1611, Coryat’s Crudities, udhëtari britanik Thomas Coryat shpjegon se vetëm në Itali kishte vërejtur ekzistencën e “tarracave të vogla”, qëllimi i të cilave është lënia e njerëzve të mendojnë dhe shikojnë pjesët e qytetit rreth e rrotull tyre. 

Sot, ballkonet ikonike të mbyllura të Maltës dhe ballkonet e mbyllura në mënyrë të ngjashme të Andalucisë, Spanjë, ka të ngjarë të jenë ndikuar nga ish-zaptuesit e territoreve. Nga ana tjetër, ballkonet prej hekuri të punuar nga Hanoi në New Orleans janë trashëgimi nga ish-sundimtarët e tyre francezë.

Në shekullin XIX, Evropa iu nënshtrua një periudhe urbanizimi intensiv dhe ballkoneve më pas u bënë simbole të një stili jetese moderne metropolitane, duke frymëzuar shumë shkrimtarë, poetë dhe artistë. Piktori francez Eduard Manet prodhoi mjaft reagime me veprën e tij të vitit 1869 “Ballkoni”, me portretin e urbanistëve që shikonin jetën e rrugës nga një ballkon. Piktori italian Umberto Boccioni përshkroi intensitetin e jetës urbane të shekullit XX në veprën e tij të vitit 1911 “Rruga përshkon shtëpinë” , ku zhurmat dhe kaosi i rrugëve duket se hyjnë në hapësirën private të një shtëpie përmes ballkonit.

Lexo edhe :  Avioni bën ulje emergjente, pasagjerja e dehur krijon kaos në bord

Ballkonet veprojnë si hapësira që lidhin jetën publike dhe private. Sipas Sheila Crane, kryetare e Departamentit të Historisë Arkitektonike në Universitetin e Virxhinias, një pjesë e magjepsjes sonë kolektive qëndron në pozicionin e tyre unik si porta hyrëse.”Ballkonet veprojnë si hapësira liminale që lidhin jetën publike dhe private,” tha ajo, duke cituar një shkrim nga libri “Rhythmmanalysis” i sociologut francez Henri Lefebvre i vitit 1992, ku ai nderon “shpikjen e mrekullueshme të ballkonit”, si vend ku mund të kuptohen më mirë ” ritmet fluturuese të jetës urbane ”.  Në qytetet përtej Mesdheut, këto “ritme fluturuese” të frymëzuara shpesh nga ballkonet ishin të pavdekshme në artin e shekullit XX. Në filmin e vitit 1960 “Nga një Ballkon Romak”, një bisedë në një ballkon çon në një lidhje epike dashurie. Dhe në novelat e Elena Ferrante të vendosura në vitet ’50, ballkonet shpesh shërbejnë si ambiente që mjegullojnë linjat midis jetës publike dhe private.

Megjithatë, përveç rëndësisë së tyre kulturore, ballkonet shpesh kanë shërbyer si hapësira për të filluar ndryshimin politik. Gjatë luftës së pavarësisë së Algjerisë me Francën në vitet ‘50 dhe ‘60, ballkonet u bënë vendi i protestave të pavarura masive pasi qeveria ndaloi tubimet publike. Siç shpjegon Crane, gratë pro pavarësisë dilnin në ballkone dhe këndonin ululime – një seri tingujsh të niveleve të larta të përdorura për të shprehur zi kolektive – ndërsa ato në favor të Francës do të performonin koncerte des casseroles, duke përdorur tenxhere dhe tigan si instrumente.

Shfaqjet e koordinuara kujtojnë rolet shoqërore dhe teatrale që kanë luajtur ballkonet historikisht. “Deri në ardhjen e TV, shikimi i njerëzve nga ballkonet ishte një argëtim i spikatur në mbrëmje”- tha Carolin Aronis, një studiuese dhe pedagoge në Universitetin e Kolorados Boulder, e cila ka shpenzuar vite të tëra duke studiuar ballkonet e Tel Aviv dhe Mesdheut. “Por teknologjitë siç janë telefoni, TV dhe ajri i kondicionuar gradualisht i çuan njerëzit në ambiente të mbyllura”- u shpreh më tej. Sipas Aronis, në 50 vitet e kaluara, ballkonet në të gjithë botën kanë humbur një pjesë të rolit që luanin dikur në jetën urbane.

Por sot, izolimi i detyruar i pandemisë koronavirus është, në një farë mënyre, duke krijuar një përvojë të re unifikuese. “Unë kam jetuar në këtë apartament për tre vjet dhe deri më tani nuk kisha folur me fqinjët”-tha Antonia De Zarlo, një 28-vjeçare, studente për mjekësi. Më 23 mars, në ditën e diplomimit, fqinjët e surprizuan atë duke i dhuruar në ballkon përmes një shkopi brumërash një kurorë dafine. Postimi në Facebook i Zarlos, u bë viral shumë shpejt. “Sot, teknologjia nuk po i largon më njerëzit nga ballkonet e tyre”-tha Aronis. “Por, po i ndihmon ata në rizbulimin si hapësira sociale”-shtoi ajo. Dhe në të vërtetë, falë mediave sociale, performuesit e ballkoneve përftojnë spektatorë si fizikë ashtu dhe virtualë. Kur Siranni performoi më 16 mars nga ballkoni i shtëpisë së tij, rreth 3 mijë njerëz nga e gjithë bota e ndoqën live nga Facebook-u.

Rosalba Durante, pensioniste nga Torino, po punon për një mënyrë se si të kalohet ushqimi nga ballkoni i një fqinji në atë të tjetrit. “Po strapacohemi që të gjithë. Kësisoj, është e rëndësishme të gjenden mënyra për t’u argëtuar së bashku”-tha Durante. 

Gjëra të ngjashme po ndodhin anembanë botës. Beth Poe dhe bashkëshorti i saj prej 38 vitesh, Joe, kanë jetuar në kushtet e karantinës në ambientet e ndryshme të një azili në New Orleans. Beth qendron në parkun e makinave, ndërsa Joe qendron i ulur në një karrige me rrota në ballkonin e katit të tretë. Në Madrid banorët e lagjes Hotaleza po organizojnë lojra të ndryshme fati. Ndërsa njerëzit e qyteteve të ndryshme të Indisë mbajnë koncerte, duke perfomuar me enë shtëpie- ngjashëm me aktivitetin e para 50 viteve të grave algjeriane.

Aronis shpreson që këto momente ndërlidhjeje të na drejtojnë në rivlerësimin e ballkoneve si hapësira sociale. “Ballkonet na ofrojnë diçka që teknologjia nuk na e mundëson dot: sensin e komunitetit dhe ndjesinë autentike e të qenit krah njëri-tjetrit”– tha ajo.

Fjala.al