Vëzhgim/ Përgjumja e Tiranës në ditët e luftës së paprinciptë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Në rrugë, përtej dritares së dhomës së gjumit, nuk ndihet më zhurma karakteristike e autobusit urban, dhe as boria e tij e çmendur, që në mungesë të një gjeli natyral apo të një zileje ore manuale, të bën zgjimin e detyruar të paktën në orën 05.30.

Vendin e ndotjes akustike e ka zënë cicërima e zogjve.

Tirana gdhihet e qetë, thuajse e përgjumur. Disi e paralizuar. Ditët e zhurmshme e plot nerv tanimë duken të largëta e nostalgjike. Pas orës 05.00 tek-tuk makinat nisin të lëvizin. Furgonët që mbajnë stampuar mbi karroceri gjithfarë emrash firme nisin të shpërndajnë kolitë me pije të gazuara dhe ujë të ambalazhuar, nëpër supermarkatat e mëdha apo dyqanet e thjeshta të lagjeve. Ndërsa policët e patrullave ndërrojnë turnet, furrat kanë nxjerrë kontingjentin e parë të bukëve të ngrohta. Mungojnë byreqet artizanalë për një mëngjes fast food, por dhallë të konservuar gjen kudo.

Teksa dielli është ngritur aq sa duhet në lindjen e tij, nga vendparkimet anësore të rrugëve nisin të shkëputen me droje makinat e vogla. Nuk ka “shpejtësi skëterrë”, as xhirime gomash dhe as thyerje padashur të semaforit. Mungon entuziazmi, edhe pse dielli mjaftueshëm i ngrohtë të jep adrenalinë pa kursim. E megjithatë, njerëzit nisen për të punuar, aty ku ligji nuk arrin t’i kufizojë.

I parë nga lart, përmes një syri montuar mbi dron, apo thjesht nga dritarja e katit të fundit të një pallati 12-katesh, qyteti duket si i rënë në një letargji të padurueshme. Njerëzit somnambul, me maska mbi fytyrë e doreza kirurgu në duar, vazhdojnë të lëvizin për t’i dhënë impulsin e munguar jetës, sepse një farmaci duhet të qëndrojë gjithmonë e hapur gjithsesi, një klinikë analizash mjekësore gjithashtu, dhe po të hapura duhet të jenë markatat me mallrat e shportës. Ato funksionojnë sot në luftën e heshtur ndaj virusit keqbërës, por kanë qenë hapur dhe dje, nën bombardimin e vazhdueshëm të aviacionit armik. Në kohë lufte gjithçka është simetrike, pavarësisht kur ndodh ajo. Shumëkush, zgjedh të vdesë më mirë nga një predhë e nxehtë plumbi se sa nga uria apo mungesa e një medikamenti të domosdoshëm.

Drejtuesit e automjeteve edhe pse vetëm në kabina, sërish kanë mbuluar gojën dhe hundën, si masë sigurie. Nga altoparlantët e dyerve, ku dikur shpërthente muzikë tallavaje apo këngë patriotike me tematikën e trimërisë së lartë, tani dëgjohen veç lajmet më të rejat rreth “Covid-19” dhe bëmat e tij në botën e brishtë të perëndimit. Duket si epoka e zbarkimit në Normandi, ku marrja e terrenit nga ana e aleatëve të jepte mundësinë që për disa çaste të merrje frymë i lehtësuar, edhe pse mund ta kuptoje mirë që në koston e luftës do të kishte kapica të vrarësh. Por, për dikënd kjo është thjesht një statistikë e asgjë më shumë.

Në fillimin e muajit të dytë të karantinës frika është trembur disi. Njerëzit kanë filluar t’i shpëtojnë ngujimit barbar, edhe pse jeta e tanishme nuk ka asnjë lidhje me jetën e mëparshme, përveç faktit që marrim frymë si qenie njerëzore, dhe bëjmë gjërat që na detyron instinkti bazë. Për më tej, jeta jonë krejt e zbrazët, mbushet nga ekrani i madh i televizorit dhe ai i vogël i smartfonit. Të dyja me një fuqi përbindëshe na ka lodhur e dërmuar në mënyrë të pandërprerë për të vazhduar lojën absurde deri në çastin kur do të na nxjerrë jashtë për të qenë vetë fitues, i asgjëje. Ajo që nuk besohej se do të ndodhte në fillim, tani ka filluar të ndodhë. Njerëzit qëndrojnë larg njëri-tjetrit, në heshtje. Thuajse të huaj. Nuk sheh më shtrëngime duarsh dhe as përqafime patetike. Ky është hapi i parë i shkëputjes së qenies humane nga jeta emocionale. Pas kësaj do të vijë ftohtësia, neveria dhe për më tej urrejtja për njëri-tjetrin.

Lexo edhe :  Një shkallë emergjence për të shpëtuar jetën

Por ende jemi larg kësaj, edhe rruga e nisur sot do kohë të na çojë në destinacionin e përcaktuar.

Po jetojmë vakancën e karantinës së detyruar. Njerëzit shfrytëzojnë ditët plot diell të prillit për të pirë një kafe në këmbë tek lokalet që e ofrojnë përmes ekspresëve joprofesionalë. Ata që nuk heqin dot dorë nga alkooli e marrin nga një faqore rakie në xhep. Dhe ulen nëpër bordura duke mbajtur një sy vrojtues e vigjilent ndaj uniformave blu, të cilët kanë marrë urdhra të prerë për të mos lejuar qëndrimin në grumbuj. Nuk flitet më për tubime të paligjshme, por për të ndarë hallet përmes fjalëve mbi të ardhmen e afërt ende të pamundur.

Kohë lufte. Gjithçka duket ilegale.

Pas mesit të ditës, atëherë kur minutat nisin të numërohen me shpejtësi drejt fundit, ritmi në rrugë bëhet më i shpejtë, sepse gjithkush kërkon të mbarojë ato pak punë që mundet brenda orarit të liridaljes. Dhe vetëm pak para se të hyjë në fuqi urdhri i kazermës, fluksi bie në mënyrë të ndjeshme, si me dorë.

Në orën 13.00 qyteti një milion banorësh, dikur fort i zhurmshëm, i rrëmujshëm por dhe fort jetësor, pushon së ekzistuari. Rrugët mbeten nën pushtetin e policisë dhe trupave ushtarake që bredhin me makinat e rënda HMMWV, nga kullat e të cilave tunden mitralozat e një lufte të paprinciptë. Në studiot e zbrazëta e të thata të televizorëve moderatorët përpiqen të sjellin diçka të lëngshme përmes lidhjeve skype. Ndërsa të tjerët, shikues të thjeshtë që kanë kthyer sytë nga ndihmat humanitare si dhe telespektatorët milionerë me llogari offshore përtej oqeanit, shtyjnë orët deri në pasmesnatën e thellë, duke gërmuar vazhdimisht për gjetjen e një lajmi të mirë, mbi mundësinë e prodhimit të një vaksine të re, që do të na çlironte të gjithëve nga dyert e blinduara të apartamenteve.

Leonard Veizi/Fjala/

Të fundit

Vota e diasporës: Mbi 125 mijë shqiptarë kanë aplikuar për regjistrim

126 mijë emigrantë shqiptarë kanë shprehur vullnetin për të votuar, përmes postës në zgjedhjet e datës 11 maj. Numri i...

Gripi në kulmin e tij, infektimet në rritje

Gripi sezonal është në kulmin e qarkullimit në të gjithë vendin. Infektimet nga AH1N1 dhe AH3N2 vijojnë të rriten veçanërisht tek të miturit dhe...

Veliaj: Vota e emigrantëve, një ide e hershme e PS

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj, ka folur për votën e emigrantëve. Në një intervistë për podcastin “Majtas”, Veliaj theksoi se...

Meta do të futet në listat e PD-së në Tiranë, Xhixho: Edhe pse në burg…

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta përmes një mesazhi audio nga qelia përshëndeti një ditë më parë Konventën zgjedhore te Partisë së Lirisë. Në...

Qindra lëkundje tërmeti në dy ditë, mbyllen shkollat në ishullin më të njohur të Greqisë

24 orët e fundit kanë qenë shqetësuese për Greqinë. Konketisht për ishujt Santorinit dhe Amorgos të cilët janë lëkundur nga disa tërmete të forta...

Lajme të tjera

Web TV