Dossier/ Viti 1956, si u kryqëzua Enver Hoxha në Konferencën e Tiranës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

ARKIVA/ Konferenca e Tiranës pas Kongresit XX

Në fondin Nr 2 dosja I ½ Komiteti i Partisë për Tiranën, ndodhen dosjet në të cilën janë rezervuar materialet që kanë të bëjnë me një nga pikat e tensionit më të lartë në rradhët e udhëheqjes komuniste në Shqipëri. Ishte pikërisht Konferenca e III e Partisë së Qytetit të Tiranës, ajo që ka ndezur gjakrat e ka nxjerrë problematikat e mëdha që kishin pushtuar drejtimin 15- vjeçar të shtetit nga Partia e Punës. Konferenca u zhvillua mbas Kongresit  XX të Partisë Komuniste të BRSS dhe në prag të Kongresit III të PPSH-së. Në presidiumin e Konferencës ishin të reshtuar: Beqir Balluku si i deleguari i KQ, Andon Deçka, Dashnor Mamaqi, Deko Rusi, Fiqrete Shehu etj. Sekretaria e Konferencës ishte e përbërë nga: Ajet Samarxhiu, Andon Andoni, Nuhi Gërxhalliu, Thoma Duro, Vasil Miçi. Kjo Konferencë ishte planifikuar që të mbante punimet e saj ndërmjet datave 14-19 prill të vitit 1956. Fillimisht është mbajtur Raporti i Byrosë Provizore të partisë së Punës për qytetin e Tiranës, i përgatitur në 52 faqe dhe që është lexuar nga Sekretare e parë e Komitetit të Partisë së Tiranës, Fiqrete Shehu. Në përgjithësi raporti ka përshkrua punë e partisë, arritjet dhe problemet e hasura, vërejtje në parim dhe me emra konkretë. Por deri këtu asnjë gjë nuk krijonte kontraditë. Ajo do të fillonte më pas. Pikërisht atëhere kur një lumë pyetjesh iu drejtuan për përgjigje të deleguart të Komitetit Qendror, Beqir Ballukut.

ARKIVA/ Si u zhvillua Konferenca e III e Tiranës. Kritikat për kultin e individit “Bllokun” dhe mjerimin në popull. Ç’u tha për rehabilitimin e të goditurve

Nga Leonard Veizi

Ishte koha kur Nikita Hrushovi organizoi goditjen vendimtare ndaj figurës së Stalinit. Strategu, kufoma e të cilit mbahej në mausole, tashmë nuk ishte më i tillë. I kishin rënë gradat e spaletat, dhe për më tepër trupi i tij i balsamosur u dogj. Në mausoleun gjigand mbeti vetëm Vladimir Iliç Lenini. Në këtë mënyrë Kongresi i XX-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, do të ndryshonte kursin e ashpër të bllokut lindor të socializmit. Skema kishte rënë me shpejtësi dhe ishin çliruar tabutë e ngritura deri në atë kohë. Kulti i individit nuk ekzistonte më. Figura e Stalinit nuk ishte më në “majën e Olimpit”. Të gjitha difektet e tij të karakterit njerëzor dhe të drejtimit të shtetit të madh komunist, u vunë në shënjestër të kritikave nga më të ashprat. Kthesa e madhe kishte filluar…

Fillimi premtues

Në Tiranën e kuqe, atmosfera e kongresit të XX-të të PKBS ende nuk shfaqte ndonjë surprizë. Në rrethet e ngushta të intelektualëve e komunistëve moderatorë, informacioni filtronte në formën e një thashethemi entuziast. Kulti i individit, ajo që deri dje konsiderohej herezi po të prekej, tashmë mund të shkallmohej.  Punimet e Konferencës së Tiranës nisën me duartrokitje e ovacione, pasi kryeqyteti përbënte dhe peshën kryesore të organizatave të partisë dhe nga ajo konferencë do të dilnin shumë delegatë për në Kongresin III. Në sllogan shkruhej: Konferenca e Partisë për qytetin e Tiranës për dhënie llogari e zgjedhje”. Fillimisht u lexua raporti 52 faqesh i përgatitur nga Byroja Provizore.

Pyetjet nga salla

Në seancën e dytë erdhën pyetjet nga salla. Një ortek i paparë: Pse nuk është bërë analiza e Kongresit të XX-të? A ka kult individi në Shqipëri? Duhen rehabilituar figurat e goditura? A e di partia mjerimin në popull? Po tek fshatarësia? Çdo të bëhet me familiaritetin në Komitetin Qëndror. Po me pagat e diferencuara dhe komoditetet e tjera që ofron posti? Më të guximshmit për të marrë fjalën ishin ata që punonin në Radio-Televizion e Kinostudio. U ngritën të diskutonin drejtori i Kinostudio “Shqipëria e Re”, Nesti Zoto, gazetari i “Zërit të Popullit” Adriatik Kanani, punonjës i KQ Vandush Vinçani. Ndërsa gazetari i Radio Tiranës, Vehip Demi, në këtë konferencë zëvendëson drejtorin e këtij institucioni, Petro Kito, që ndodhej me shërbim jashtë shtetit. “Ne duhet të pranojmë, – tha ai, – se akoma ka frikë, droje, për të shprehur mendimet, për të kritikuar lirisht. Komunistët e Radio Tiranës kritikojnë Komitetin e Partisë për mosmarrje masash që materialet e Kongresit XX të ishin punuar në organizatat e partisë e të masave. Duhej sqaruar me durim çështja e kultit të personit që u ngrit në artikujt e “Pravdës”.  Fill pas këtyre fjalëve, Vehip Demi, i duartrokitur nga e tërë salla, vazhdon: “Ne duam të pyesim ministrin e Tregtisë, Kiço Ngjela dhe ministrin e Financave, Abdyl Këllezi, se nga dalin fondet që duhen për të mbuluar shpenzimet e “Bllokut”. Në cilin kapitull të buxhetit futen ato? Ne duhet të pranojmë se masat jashtë bisedojnë shumë për çështjen e “Bllokut”.

E papritura

Pyetjet i ishin drejtuar të deleguarit të KQ për Konferencën e Tiranës, Beqir Ballukut. Por ai ishte mbërthyer keq në ‘kurthin” e papritur. Në të njëjtën kohë, Enver Hoxha i qetë, kishte vendosur të kalonte fundjavën në Vlorë. Gjatë ditës së shtunë, kur dhe nisi debati në konferencë, Beqir Balluku është munduar t’i japë zgjidhje të papriturave që i dilnin njëherazi. Por kur e pa që nuk ia dilte dot, informoi për gjithçka Enver Hoxhën. Edhe pse ajo çka ishte ndërmarrë në Kongresin e XX, vetëm sa ishte shtruar për diskutim në Byronë Politike dhe jo më poshtë, dukej se fryma liberale e saj ishte pushtuar një shtresë të gjerë të komunistëve shqiptarë. Në vendet lindore ajo ishte prezantuar më shumë.

Urgjenca

I gjendur përpara këtij fakti të ri, Enver Hoxha ndërpret pushimet dhe në seancën e mbasdites së të djelës, mbrin me “ZIM”-in e tij, në Tiranë. Pakush e dinte që ai do të merrte pjesë në konferencë. Enver Hoxha nuk ishte i ftuar në punimet e Konferencës së Tiranës dhe s’kishte mandat të deleguari, por ai kishte statusin e Sekretarit të Parë, dhe pati fuqinë për të ndërhyrë në punimet e Konferencës. Ai e mori fjalën në konferencë me një fjalim të përgatitur me shpejtësi. Pranimi i gabimeve nga ana e Enver Hoxhës u bë me një sqarim të gjatë, në të cilin në fakt duket se ai nuk pranoi asgjë si gabim.

Shënjestra

Por Enver Hoxha e ndërpreu fjalimin në një pikë kulmore, natën e së dielës së 15 prillit. Ishte tepër vonë. Pjesëmarrësit duhet të pushonin. E nesërmja ndihej se do ishte një ditë e tensionuar. Disa nga anëtarët e konferencës kishin “grisur” diskutimet paraprake. Vetëm se këtë herë balancat kishin ndërruar kah. Enver Hoxha nuk e ndjente veten më të kryqëzuar. Pas kthesës së bërë në Konferencë kanë marrë fjalën në favor të tij: Ramiz Alia, Ndreko Rino, Milo Leka, Ismail Uznova, Myqerem Fuga, Ligor Harrizi, Maqo Çomo, Hapi Përpunja, Petro Dodi. Diskutimet u bënë në seancën e VI të Konferencës, nën frymën e goditjes së armiqve, të cilët sipas tyre kërkonin të konfrontonin partinë me udhëheqjen e saj. Në shënjestër u vunë: Pëllumb Dishnica, Hulusi Spahia, Pajo Islamaj, Niazi Jaho, Nesti Zoto, Vehib Demi, Peço Fidhi, Ihsan Budo, Iljaz Ahmeti.

Lexo edhe :  Seanca e përbashkët e Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës nis me himnet kombëtare

DELEGATËT/ Pyetjet më pikante

-Pse nuk është bërë analiza e Kongresit të XX?

-A ka kult individi në Shqipëri?

-Si është çështja e kultit të individit te ne dhe në Byronë Politike?

-Duhen rehabilituar figurat e goditura?

-A e di partia mjerimin në popull?

-Po tek fshatarësia?

-Çdo të bëhet me familjaritetin në Komitetin Qendror?

-Po me pagat e diferencuara dhe komoditetet e tjera që ofron posti?

-Nga dalin fondet që duhen për të mbuluar shpenzimet e Bllokut?

-Në cilin kapitull të buxhetit futen këto shpenzime?

KULTI/ Enveri pranon gabimet në parim

Në diskutimin prej 25 faqesh të ish-sekretarit të Parë të KP-së i PPSH-së Enver Hoxha, mes të tjerash thuhet: “Kulti i individit” dhe rrëzimi i tij, ishte një nga pikat më të diskutuara të Konferencës së Tiranës në vitin 1956. Pas ballafaqimit me tezat e Kongresit të XX të Bashkimit Sovjetik, të cilat deri në atë kohë ishin mbajtur “të heshtura”, Enver Hoxha nuk mund të qëndronte indiferent, kur gjithsesi salla e mbushur me delegatë, kërkonte shfajësimin e drejtuesit më të lartë të partisë. Në fjalën e tij Enver Hoxha tha: “Këtu u ngrit çështja e kultit të individit me të gjitha aspektet e saj përsa i përket personit të Josif Stalinit, masat që janë marrë në Bashkimin Sovjetik, në demokracitë popullore dhe në vendin tonë. Kjo çështje e ka preokupuar dhe vazhdon ta preokupojë partinë tonë. Por këtu u shtrua pyetja se përse nuk u shtrua në partinë tonë kjo çështje? A e ka parë KQ në dritën e Kongresit të XX? Këto pyetje janë të drejta. Po ua shpjegoj më gjerë… Ka patur kult individi tek ne apo jo? Ka patur dhe do të ketë jo sot dhe mot, por për shumë kohë. Kjo rrjedh nga mbeturinat mikroborgjeze që ekzistojnë në ndërgjegjen e njerëzve, kjo do të thotë që njeriu të bëhet megalloman, mendjemadh, arrogant, mos peshojë zërin e masës, të të pëlqejë mendja, të mendosh se ajo që bëre ti është më e mira. Shfaqje të kultit të individit tek ne kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë”.

KTHESA/ Sulmi i Ballukut: Fiqret Shehu nuk zbuloi dot armiqtë

Duke mbajtur dukshëm anën e Enver Hoxhës, i deleguari i Komitetit Qendror, Beqir Balluku u drejtohet rebeluesve të Konferencës së III tëTiranës: “Si goditej udhëheqja e partisë? Në një mënyrë të hollë, në një mënyrë prej faraoni. Kundër udhëheqjes sonë flet Vehib Demi. Ato që thotë BBC-ja, ai i solli në konferencë. Gjoja në emër të organizatës bazë të radio Tiranës”. Ndërkohë në fjalimin e tij Enver Hoxha ishte shprehur: “Të thuash se ajo është në gjendje të mjerueshme do të thotë të sjellësh këtu parrullat e Radio Londrës e të Zërit të Amerikës”. Më pas Beqir Balluku porosit: “Duke shkuar poshtë sqaroni anëtarët e partisë hapur se si u zhvillua kjo konferencë. Ç’punë bëri kjo, por me konditë që konspiracioni të ruhet”. Në këtë mënyrë Konferenca e III e Tiranës u mbajt nën trysni që atmosfera e saj të mos kishte mundësi të përfshinte hallkat e tjera të organizatave bazë, për më tepër ajo të mos bëhej publike në pjesën tjetër të popullit, e cila nuk bënte jetë partie. Por Sulmi i Ballukut do të vazhdonte: “Përgjegjësi për gjendjen e krijuar në organizatën e qytetit të Tiranës ku sekretar i Parë i Komitetit të Partisë ëshët shoqja Fiqret Shehu, që është përgjegjëse kryesore. Por përgjegjësi kanë dhe sekretarët veç e veç. Një mungesë tjetër e madhe ka qenë ajo e një pune të fortë kolektive në mes tre sekretarëve Vasil Miçit, Midhi Vjeros dhe Niazi Jahos. Sekretari për propagandën, shoku Njazi Jaho, ka qenë dhe është në pozita antiparti. Ai në mënyrë negative ka influencuar, ka futur pikëpamjet e tij tek sekretarët Vasil Miçi dhe Midhi Vjero. Para një situate të tillë shoqja Fiqret Shehu, sekretare e parë nuk ka marrë masa, nuk ka mundur të zbulojë një gjë të tillë të sëmurë dhe të vejë situatën në vend. Situata e krijuar në Komitetin e Partisë krijoi atë që të shtunën në mëngjes, në këtë konferencë, elemente me qëllime të caktuara anti parti, tentuan dhe takuan vijën e partisë, ato hodhën shpifje të ulta kundër udhëheqjes së partisë. Ku u zhvilluan këto pikëpamje të sëmura antiparti? Në organizatën bazë të Ministrisë së Indistrisë vetëm? Jo. Zhvillimi i konferencës vërtetoi se sëmundja prej kohësh ka ekzistuar në: Ministrinë e Industrisë, Radio Tirana, Kinostudio e disa të tjera. Tendenca të theksuara antiparti dhe me atake demostrative kundër vijës së partisë u shfaq në Konferencë Vendush Vinçani i organizatës bazë të Komitetit Qendror. Siç u vërtetua në konferencë nga demonstracionet e bëra, kjo na tregon se edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Bujqësisë ka pyetje tendencioze që nuk justifikojnë veten. Nuk është ekzakt të themi siç tha shoqja Fiqrete se këtu ka një “kompllot të madh”. Kjo nuk është kështu. Ta shikojmë me masën që është, pa e zvogëluar as pa e zmadhur”.

EPILOGU/ Ja cilët ishin armiqtë e konferencës

Në fund të fjalës së tij Enver Hoxha tha: “Partia jonë di t’i nxjerrë lakrat në shesh. Për këtë atak kundër vijës së partisë bërë me rastin e konferencës së saj kanë përgjegjësi shumë të rëndë dhe janë në pozita thashethemesh armiqësore kundër partisë: Pëllumb Dishnica, Hulusi Spahia, Pajo Islamaj, Niazi Jaho, Nesti Zoto, Vehib Demi, Peço Fidhi, Ihsan Budo, Iljaz Ahmeti Këta shokë kurrë nuk kanë qenë në rregull me vijën e partisë, me gjithë ndihmën që i ka dhënë partia jonë. Çështja e këtyre shokëve të shikohet në mënyrë të posaçme në organizatat e tyre”.

Të fundit

FJALA E ATJONIT E RE SIÇ ISHTE I RI

Pasionant i fjalës, Atjon V. Zhiti, e kërkonte dhe e donte atë. Gazeta jonë ka botuar më parë shkrime...

Në ditëlindjen e Stalinit, Tirana vazhdon të përkujtojë “21 Dhjetorin”

Nga Leonard Veizi   Në një ditë të zakonshme të dimrit në Tiranë, kur ajri është i mbushur me grimca të pamasa ndotjeje dhe aromë kafeje...

Magdeburg: Çfarë dimë deri tani për sulmin vdekjeprurës në tregun e Krishtlindjeve

Pak pas orës 20:00 (koha e Greqisë) një BMW SUV i zi u përplas me shpejtësi të lartë në turmën e mbledhur në një...

Haradinaj “nxin” Kurtin para Ramës: Mbështet interesat e Rusisë dhe Serbisë

Ramush Haradinaj akuzoi Albin Kurtin për politika të pakoordinuara që, sipas tij, kanë dëmtuar rëndë pozitën e Kosovës. Ai theksoi se vendi ndodhet nën...

Berisha sulmon Dumanin dhe del kundër SHBA: E ka vendin në burg

Ish-kryeministri Sali Berisha vazhdoi edhe dje me akuza të ashpra kundër kryetarit të SPAK, Altin Dumani, duke e cilësuar si një figurë të kapur...

Lajme të tjera

Web TV