Masakra në ditën e Vitit të Ri/ Biden takohet me familjarët e 14 viktimave në New Orleans

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Presidenti Joe Biden u takua të hënën me familjet e viktimave, mori pjesë në një shërbesë lutjesh dhe u ndal në një memorial të improvizuar në Nju Orlins për nder të atyre që humbën jetën në sulmin vdekjeprurës në Ditën e Vitit të Ri në lagjen historike të qytetit.

Zoti Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden e bënë ndalesën e tyre të parë në një përkujtimore në rrugën Bourbon, aty ku një veteran i ushtrisë kreu sulmin duke përplasur një kamion me turmën, duke vrarë 14 vetë dhe duke plagosur 30 të tjerë.

Lule, mesazhe dhe kryqe ishin vendosur në trotuar për të nderuar viktimat. Më pas çifti u drejtua për tek katedralja St. Louis aty pranë. Presidenti dhe zonja e parë u takuan privatisht me familjet e atyre që humbën jetën, të mbijetuarit dhe forcat lokale të zbatimit të ligjit.

Më pas, ata morën pjesë në një shërbesë ndërfetare.

Zoti Biden ka bërë dhjetëra vizita në zona që janë goditur nga dhuna, fatkeqësitë natyrore dhe të tjera gjatë katër viteve të tij në detyrë. Atij i kanë mbetur vetëm dy javë në detyrë, kështuqë vizita e së hënës në Nju Orlins mund të jetë e fundit e kësaj natyre.

Është një detyrë solemne e presidentëve, megjithëse jo çdo udhëheqës e ka përqafuar një rol të tillë me aq ndjeshmëri sa 82-vjeçari Biden, i cili ka përjetuar shumë tragjedi personale në jetën e tij.

Gruaja e tij e parë dhe vajza e tij e vogël vdiqën në një aksident me makinë në fillim të viteve 1970, dhe djali i tij i madh, Beau, vdiq nga kanceri në 2015.

“E kam përjetuar një gjë të tillë. Nuk mund t’i thuash asgjë dikujt që ka pasur një humbje kaq tragjike,” u tha zoti Biden gazetarëve të dielën.

Zoti Biden shpesh flet privatisht në raste të tilla me familjet, nuk ngurron të japp numrin e tij personal të telefonit në rast se njerëzit duan të flasin më pas dhe flet për dhimbjen hapur dhe në mënyrë personale.

Pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë kanë kapur momentet kur veterani 42-vjeçar i ushtrisë amerikane Shamsud-Din Jabbar shtypi me kamion turmat e njerëzve në fillim të ditës së Vitit të Ri në Nju Orlins.

Lexo edhe :  Koncert bamirësie për viktimat e zjarrit në Los Anxhelos

Një flamur i zi i Shtetit Islamik u gjet në kamionin e tij, duke nxitur FBI-në ta hetojë incidentin si një akt terrorist.

Presidenti amerikan Joe Biden thotë se agjencitë federale të zbatimit të ligjit po hetojnë të gjitha lidhjet e mundshme të sulmuesit.

“Forcat federale të zbatimit të ligjit dhe agjencitë e zbulimit po hetojnë në mënyrë aktive çdo kontakt të huaj apo vendas të sulmuesit, që mund të jetë i rëndësishëm në zbardhjen e rrethanave të sulmit. Ne do të vazhdojmë pa pushim luftën kundër ISIS-it dhe organizatave të tjera terroriste kudo që ato janë. Ato nuk do të gjejnë asnjë strehë të sigurt këtu”, tha Presidenti Biden.

Katërmbëdhjetë persona u vranë në sulmin e Vitit të Ri në Nju Orlins dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Autori i sulmit, veterani i ushtrisë Shamsud-Din Jabbar, vdiq pas shkëmbimit të zjarrit me policinë.

FBI-ja thotë se Shamsud-Din Jabbar kishte fshehur pajisje shpërthyese të improvizuara në disa rrugë, përfshirë një kryqëzim, ku zakonisht ka shumë lëvizje të njerëzve.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë se ky është një rast tjetër i ekstremizmit të dhunshëm në vend.

“Po përballemi me lloje të vështira kërcënimesh dhe kjo është arsyeja pse ne si komunitet, jo vetëm qeveria federale, por zyrtarët dhe banorët shtetërorë dhe lokalë, duhet të jemi vigjilentë ndaj tyre dhe të marrim masat e nevojshme për të shmangur aktet e dhunës”, tha Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas.

Më vonë, në ditën e Vitit të Ri, dhe më shumë se dy mijë kilometra larg në Nevada, anëtari i forcave speciale të ushtrisë amerikane, Matthew Livelsberger, hodhi në erë një kamion të kompanisë Tesla, që e kishte me qera, pranë hotelit “Trump International” në Las Vegas.

Mjeku ligjor i Qarkut Clark konfirmoi se Livelsberger, një ushtar i dekoruar, për të cilin zyrtarët thonë se vuante nga stresi post-traumatik, vrau veten, pak para se kamioni të shpërthente. Zyrtarët thonë se askush tjetër nuk u lëndua rëndë.

Forcat e zbatimit të ligjit thonë se deri më tani nuk kanë gjetur asnjë lidhje midis sulmeve./K.K

Të fundit

Agravon debati mes Laertit dhe Jozit, këngëtari: S’ke karakter! O pis

Ka agravuar debati mes Jozit dhe Laertit, ku nuk kanë munguar as ofendimet mes tyre. Aktori iu drejtua Jozit duke...

Balla takim me diasporën shqiptare në Greqi/ Regjistrohuni në KQZ për votën e 11 Majit

Drejtuesi Politik për Diasporën në Partinë Socialiste, Taulant Balla, u takua me emigrantët shqiptarë në Kozani të Greqisë. Takimi erdhi në kuadër të turit politik dhe...

Tradita shekullore e tezgjahut/52-vjeçarja tregon sekretin e fijeve që kalojnë nëpër duar

Çdo fije e kalon nëpër duar. Ajo është artizania e vetme e fshatit Prezë, pak kilometra larg Tiranës. Punën me tezgjah Drita Gordi e trashëgoi...

Studentët serbë mbajnë të bllokuar mbi 24 orë një urë në Novi Sad

Studentët në Serbi e zgjatën deri në orët e mbrëmjes bllokimin e një ure mbi lumin Danub në Novi Sad, ku e kaluan natën...

“Nuk mund ta përballojmë”/Gjermania kundërshton kërkesën e Trump për shpenzimet ushtarake

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius ka thënë se Berlini nuk mund të përballojë të shpenzojë 5% të PBB-së së tij për ushtrinë, siç...

Lajme të tjera

Web TV