Ish-presidenti Ilir Meta la qelitë e paraburgimit dhe u paraqit dje në SPAK ku u mor në pyetje për rreth dy orë, kryesisht për çështjet e lobimit në SHBA, që është një nga tre akuzat e ngritura ndaj tij. Në një reagim në rrjetet sociale, Meta tha se dha shpjegime, por edhe pyeti prokurorët për çështjen e “McGonigal” dhe “inceneratorët”, por nuk mori përgjigje prej tyre.
Këtë të martë, ish-presidenti Ilir Meta u paraqit në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku qëndroi për rreth tre orë për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me akuzat që lidhen me lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për zhvendosjen e tij nga paraburgimi 313 në ambientet e SPAK-ut u përdor tuneli nëntokësor që lidh këto institucione, duke shmangur çdo ekspozim para kamerave apo medias. Në shoqërinë e avokatit të tij, Genc Gjokutaj, Meta dha shpjegime për një nga çështjet e hetuara. Avokati sqaroi se ish-presidenti ka qenë bashkëpunues dhe sqarues për aq sa kishte dijeni dhe mbante mend, duke theksuar se të gjitha aktet e çështjes do të shqyrtohen më vonë. “Meta nuk ka zgjedhur heshtjen apo shmangien, por përballjen me akuzat dhe dhënien e shpjegimeve të tij,” deklaroi Gjokutaj. Gjatë marrjes në pyetje, Meta ngriti edhe vetë disa pyetje në lidhje me hetimet e tjera që sipas tij prekin interesin publik. Ai kërkoi shpjegime mbi hetimin e çështjes McGonigal, ish-agjenti i lartë i FBI-së, për të cilin Meta pretendon se ka marrë ryshfet nga Kryeministri aktual. Po ashtu, ish-presidenti pyeti për ecurinë e hetimit mbi fotografinë e realizuar nga bashkëshortja e Kryeministrit me ish-presidentin amerikan Barack Obama, një çështje për të cilën një shtetas shqiptaro-amerikan ka vuajtur dënimin në SHBA. Në një postim në rrjetet sociale, Meta shprehu zhgënjimin që pyetjet e tij mbetën pa përgjigje nga prokurorët, të cilët, sipas tij, deklaruan “moskompetencë” për çështjet e ngritura prej tij. Ndërkohë, ai u kërkoi ndjesë gazetarëve për moskomunikimin me ta pas seancës, pasi SPAK nuk e lejoi të dilte përpara mediave, edhe pse, siç theksoi ai, kishte shprehur gatishmërinë ta bënte këtë, madje edhe i shoqëruar me pranga. Të hënën, në ambientet e SPAK-ut ishte paraqitur edhe ish-bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, e cila refuzoi të jepte shpjegime para Prokurorisë, duke deklaruar se do të flasë vetëm në gjykatë. Hetimet ndaj ish-çiftit Meta-Kryemadhi përfshijnë akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Avokati i Metës, gjatë një deklarate pas përfundimit të marrjes në pyetje, sqaroi se klienti i tij do të vazhdojë të jetë bashkëpunues me organet e drejtësisë dhe do të japë sqarime sa herë të thirret. “Meta ka zgjedhur të përballet me faktet dhe të japë versionin e tij për gjithçka që ngrihet ndaj tij,” përfundoi Gjokutaj. Kjo seancë ishte pjesë e një hetimi të gjerë që SPAK po zhvillon në lidhje me financimet dhe marrëdhëniet politike të ish-presidentit, të cilat, sipas Prokurorisë, përfshijnë shkelje të mundshme ligjore në transaksione financiare ndërkombëtare. Meta u arrestua me urdhër të SPAK në tetor të vitit të kaluar. Ndaj tij dh eish-bashkëshortes Monika Kryemadhi janë ngritur tre akuza, “korrupsion pasiv”, “mosdeklarim pasurie” dhe “pastrim parash”. Meta i ka mohuar akuzat, ndërsa procedimin dhe arrestimin e tij e cilëson si politik, ndërsa prokurorinë speciale sit ë kapur nga kryeministri Edi Rama. Aktualisht Meta është në masën e sigurisë “arrest me burg”.