Banka e Shqipërisë (BSH) bën të ditur se në ankandin që u zhvillua javën e fundit të dhjetorit 2024, u shitën 8,66 miliardë lekë bono thesari. Ndërkohë vlera totale e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë ishte 10,5 miliardë lekë. Sipas BSH-së, bonot me maturim 12-mujor u shitën me një interes (yield) mesatar të ponderuar prej 2,76 %, ose 0,03% më i ulët se në ankandin e fundit.
BSH-ja vëren se yield-et mbeten në nivele më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me gati 0,6%. Rënia e yield-it reflekton ndryshimin e kursit të politikës monetare të Bankës Qendrore që e ka ulur në 2,75% normën e interesit për lekun, nga 3,25% që ishte në fillim të viti 2024.
Bono Thesari janë letra me vlerë të borxhit të lëshuara nga Ministria e Financave në emër të Qeverisë Shqiptare. Bonot e Thesarit janë letra me Vlerë afatshkurtër me maturim deri në një vit. Në Shqipëri emetohen Bono Thesari me afat maturimi 3, 6 dhe 12 muaj./e.t