Mbyllja e institucioneve serbe në dhjetë komuna në Kosovë,BE dhe SHBA-ja kundër vendimit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar të mërkurën vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në vend, duke thënë se ato ndikojnë në synimet e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik.

Disa komuna paralele të Serbisë, ashtu si edhe zyra postare dhe tatimore të saj u mbyllën të mërkurën në dhjetë komuna të Kosovës, në anën jugore të lumit Ibër.

Në një reagim, Bashkimi Evropian tha se veprimet e Kosovës përmbylljen e strukturave të mbështetura nga Serbia – në një kohë fushate zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit – janë në kundërshtim me detyrimet e saj në rrugën drejt Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të normalizimit.

Ambasada amerikane në Prishtinë tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se mbyllja e institucioneve të drejtuara nga Serbia “ndikon drejtpërdrejt dhe negativisht te qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet tjera – dhe mund t’i minojë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”.

“Këto veprime, në kundërshtim me këshillat tona më të mira, e dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për ta ndihmuar Kosovën që të sigurojë një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë qytetarët e saj”, sipas një zëdhënës të Ambasadës amerikane në Kosovë.

Ndërkohë, BE-ja e përsëriti se çështja e strukturave të mbështetura nga Serbia “parashihet të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

Kosova dhe Serbia kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele më 2013 në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

BE-ja gjithashtu i paralajmëroi autoritetet kosovare se vendimi i së mërkurës mund të ndikojë në vendimin e saj për të mos i hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.

“Ndërsa, siç theksohet në konkluzionet e Këshillit për zgjerimin për vitin 2024, BE-ja do t’i heqë gradualisht masat ndaj Kosovës paralelisht me hapat e shtesë të ndërmarrë nga Kosova për t’i ulur tensionet në veri, këto veprime i dëmtojnë këtë qëllim”, tha blloku të mërkurën.

Lexo edhe :  Aksidenti i trefishtë në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë, një i plagosur

Derisa Prokuroria në Prishtinë tha se nuk e autorizoi aksionin e së mërkurës, Policia e Kosovës tha se operacioni u krye me kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe se qëllimi i tij ishte ndërprerja e “shërbimeve të jashtëligjshme” të Serbisë në Kosovë.

Autoritetet në Kosovë thonë se puna e këtyre institucioneve serbe, që ishin në funksion që nga paslufta më 1999, është “e paligjshme”, dhe nisën mbylljen e tyre qysh në fillim të vitit të kaluar.

Në Serbi, kryeministri Millosh Vuçeviq tha se “zhvillimi i situatës” në Kosovë po ndiqet me kujdes.

“Do t’i ndërmarrim të gjitha masat për ta mbrojtur popullsinë serbe nga sulmet e reja të Albin Kurtit [kryeministër i Kosovës], i cili, mesa duket, fushatën e tij parazgjedhore e ka shndërruar në vazhdim të keqtrajtimit të popullit tonë”, tha Vuçeviç.

Mbyllja e institucioneve serbe në 10 komuna të mërkurën – Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec dhe Skënderaj – vjen disa ditë pasi policia mbylli më 8 janar Administratën Tatimore serbe në Mitrovicën e Veriut dhe kompaninë e sigurimeve nga Serbia “Dunav Osiguranj”.

Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.

Pastaj u mbyllën organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ndërkohë u mbyllën edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.

Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë funksiononin në sistemin e Serbisë./K.K

Të fundit

Lufta e Putin po nxit stagflacionin rus

Ndërsa Rusia vazhdon të tregojë qëndresë, sinjalet në të gjithë ekonominë e saj janë alarmuese: inflacioni po rritet dhe...

Cilat janë bankat e reja që do hyjnë në Shqipëri?

Prej 19 vitesh, në Shqipëri nuk është licencuar asnjë bankë e re. Por këtë vit, duket se një bankë e huaj ka shfaqur interes...

Çfarë tregton Shqipëria jashtë vendit?

regtia e jashtme e Shqipërisë për vitin 2024 ka shënuar zhvillime interesante me ndryshime në vlerat e mallrave të eksportuara dhe importuara krahasuar me...

Eksperti i Kriminalistikës: Ka dyshime që Talo Çela mund të jetë vrarë dhe zhdukur

Talo Çela, mund të jetë vrarë dhe zhdukur”, kështu është shprehur eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço në një intervistë të zhvilluar në emisionin “Real Story” në...

Elisa Spiropali takim me Kryetarin e Dhomës së Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar

Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali gjatë vizitës së saj në Mbretërinë e Bashkuar, u takua me Kryetarin e Dhomës së Lordëve, Lord McFall...

Lajme të tjera

Web TV