Kryeministri Edi Rama ka bërë një dalje për median ku ju ka kërkuar emigrantëve që të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 Majit. “Mos e shtyni, regjistrimi mbyllet më 4 mars”
Kryeministri Edi Rama ka apeluar ndaj të gjithë emigrantëve shqiptarë kudo në botë që të përfitojnë nga e drejta për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit 2025. Në një mesazh të drejtpërdrejtë, Rama ka theksuar rëndësinë e regjistrimit në platformën e KQZ-së, duke paralajmëruar se afati përfundon më 4 mars dhe çdo vonesë do t’i përjashtojë ata nga mundësia për të votuar.
Kreu i qeverisë ka bërë të qartë se procesi i regjistrimit në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, www.kqz.gov.al, është një hap i domosdoshëm për të gjithë ata që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe dëshirojnë të votojnë me postë nga vendet ku ndodhen.
Rama tha: “Duhet të regjistroheni nga tani deri në 4 mars, ndryshe nuk votoni dot. Regjistrimi bëhet në faqen e KQZ-së, www.kqz.gov.al, nuk është i vështirë, por do pak durim dhe pak minuta. Mos përtoni dhe mos e shtyni ‘hë nesër, hë pasnesër’, se koha fluturon. Vetëm ata që regjistrohen deri në 4 mars do të mund të votojnë.”
E drejta e votës për emigrantët
Rama përmendi se e drejta e votës për emigrantët ka qenë një kërkesë e kahershme nga bashkëatdhetarët jashtë vendit. Ai shprehu shqetësimin se pavarësisht arritjes së këtij objektivi, shumë prej tyre mund të humbasin mundësinë për të votuar për shkak të mungesës së informacionit apo për shkak të zvarritjes së regjistrimit.
“Prej vitesh shumë prej jush më kanë shkruar: ‘Duam të votojmë, pse nuk votojmë, kur do votojmë?’ Kam një merak tani, se më në fund ua siguruam të drejtën e votës, se mos mbeteni pa votuar për shkak të mungesës së informacionit,” tha Rama. Kryeministri theksoi se qeveria është e përkushtuar të lehtësojë procesin për emigrantët, duke përfshirë mbulimin e kostove për dërgimin dhe kthimin e fletës së votimit me postë.
Pas regjistrimit, KQZ do të dërgojë me postë fletën e votimit, e cila më pas duhet plotësuar dhe kthyer brenda afateve të përcaktuara. “Qeveria do të paguajë edhe dërgimin mbrapsht të zarfit me votën tuaj. Regjistrohuni dhe votoni që ta ngremë edhe më lart respektin për emrin e Shqipërisë dhe të shqiptarit kudo ku ju jetoni,” shtoi Rama.
Rama i ftoi emigrantët të kontribuojnë me votën e tyre për të forcuar demokracinë në Shqipëri, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre do të jetë një mesazh i fuqishëm për rritjen e imazhit të vendit. “Ju e dini se kush e përmbysi emrin e keq të vendit dhe ua ngriti kokën e ulur për shumë vite në Greqi, Itali, gjetkë. Nuk do ta keni të vështirë këtë pjesë të vendimit për kë do të votoni. Por më parë duhet të regjistroheni dhe koha nuk pret,” përfundoi Rama.
Afati i regjistrimit
Me një afat të qartë deri më 4 mars 2025, emigrantët kanë 46 ditë për të përfunduar regjistrimin dhe për të siguruar të drejtën e votës në zgjedhjet e ardhshme. Kryeministri kërkoi angazhim të menjëhershëm nga të gjithë shqiptarët jashtë vendit për të mos humbur këtë mundësi historike./ S,M