Sot në Turqi mbizotëron zia kombëtare e shpallur për të nderuar 76 personat që humbën jetën tragjikisht nga zjarri që ra në një resort skish.
Flakët shkrumbuan ndërtesën 12-katëshe të hotelit Grand Kartal në Bolu, ndërsa në të po qëndronin 234 persona. Zjarri nisi në orën 3 e gjysmë të mëngjesit dhe u deshën 12 orë për ta shuar atë. Një hetim ka nisur lidhur me tragjedinë dhe ka pasur raportime kontradiktore nëse hoteli i përmbushte standardet e sigurisë.
9 persona janë arrestuar deri më tani, përfshirë dhe pronarin e hotelit. Presidenti Rexhep Tajip Erdoan vizitoi qytezën Bolu dhe premtoi se përgjegjësit për neglizhencë do të mbahen përgjegjës. Flamujt në Turqi janë ulur në gjysmështizë në përkujtim të viktimave të zjarrit, ndërsa janë mbajtur edhe funeralet e disa prej tyre.
Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë me kërkimet, ndërsa theksohet se është shumë e vështirë në identifikimin e viktimave./e.t