Një statujë mermeri e një gruaje, e cila besohet të jetë më shumë se 2000 vjet e vjetër, u gjet e braktisur në një qese plehrash pranë Selanikut, njoftoi policia të mërkurën.
Një banor zbuloi statujën 80-centimetra të lartë, pa kokë, pranë një koshi mbeturinash në Neoi Epivates, jashtë qytetit të dytë më të madh të Greqisë. Ai ia dorëzoi atë autoriteteve lokale, të cilat kontaktuan arkeologët për të vlerësuar rëndësinë e saj.
Policia tha se ekspertët, pas një vlerësimi fillestar, përcaktuan se vepra daton nga epoka helenistike, një periudhë rreth viteve 320-30 p.e.s., e cila u karakterizua nga një lulëzim i artit dhe kulturës pas pushtimeve të Aleksandrit të Madh.
Statuja u dërgua për ekzaminime të mëtejshme nga arkeologët. Në fund, ajo do t’i dorëzohet autoritetit lokal të antikiteteve për ruajtje dhe studim.
Policia hapi një hetim për të përcaktuar se kush e hodhi statujën dhe ndaloi përkohësisht një burrë për t’u marrë në pyetje, i cili më pas u lirua pa akuza.
Zbulimet arkeologjike aksidentale janë relativisht të zakonshme në Greqi dhe shpesh bëhen gjatë ndërtimit të ndërtesave ose punimeve publike.
Në dhjetor, punëtorët që instalonin tubacione të gazit natyror pranë Athinës zbuluan një statujë të periudhës romake të Hermesit.
Selaniku disa javë më parë prezantoi një thesar të antikiteteve të zbuluara gjatë ndërtimit të sistemit të metrosë, i cili u hap zyrtarisht në nëntor.
Zbulimet kryesore, duke përfshirë një rrugë mermeri të periudhës romake dhe dhjetëra mijëra artefakte që përfshijnë periudhat greke, bizantine dhe osmane, tani janë ekspozuar në stacionet e metrosë. /E.T