Dekretet Trump dhe ekonomia jonë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Fatos Çoçoli

Më 20 janar 2025, në ditën e tij të parë të punës në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi dhjetëra dekrete që bënë histori. Megjithatë, Presidenti i ri nuk i vendosi menjëherë tarifat 25 për qind mbi importet nga Meksika dhe Kanadaja, ndonëse ky ishte një premtim zgjedhor i tij.

Kjo lëvizje lë të shpresohet se politika e tij proteksioniste(mbrojtëse) për ekonominë amerikane mund të mos jetë aq e ashpër sa ajo që ka deklaruar në garën zgjedhore, duke përfshirë edhe tarifat ndaj vendeve evropiane. Trump e ka shprehur se një nga fjalët që preferon më shumë është pikërisht fjala “tarifë”.

Vendosja e tarifave më të larta doganore për importet evropiane mund të vështirësonte edhe eksportet tona drejt SHBA-ve, të cilat vitin e kaluar ranë me gati 28%, nga 97 milionë dollarë në vitin 2023 në 71 milionë dollarë në vitin 2024. Kjo ulje erdhi jo vetëm për shkak të rënies së fortë të kursit të këmbimit dollar-lekë tek ne edhe gjate vitit 2024, por edhe të sfidave me të cilat përballen disa eksporte tradicionale, si bimët mjekësore dhe aromatike, giza dhe çeliku, etj.

Ndërkohë, Presidenti i ri amerikan, në programin ekonomik të këtij mandati, parashikon të vendosë tarifa doganore të shtuara për importet që do t’i vijnë nga Evropa, si prodhime të industrisë ushqimore, prodhime të modës dhe makina të prodhuara nga vendet europiane, kryesisht nga Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca. Kështu që edhe vendet që mund të kenë pasoja më të thella në tregtinë e tyre me SHBA-të janë kryesisht Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia.

Kjo mund të bëjë që shumë kompani të mëdha evropiane, prodhuese të makinave, por jo vetëm, të ngrijnë investimet e tyre në truallin amerikan, ose të rivlerësojnë strategjitë e tyre të prodhimit dhe eksportit për tregun amerikan.

Shumë prej këtyre kompanive sot, janë në pritje, për të parë konkretisht sa do t’i ngrejë tarifat Trump. Por edhe nëse Presidenti amerikan aplikon tarifa doganore më të rritura për importet nga Evropa, vëllimi ynë i tregtisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte vetëm 270 milionë dollarë vitin e kaluar. Ose vetëm 2.2 për qind i vëllimit të përgjithshëm të importeve dhe eksporteve tona me botën. Pra, ndikimi është i vogël.

Megjithatë, vendi ynë duhet të pozicionohet ndaj disa gjërave të reja që ofron Trump me programin e tij të ri ekonomik. Sot, Presidenti i ri i shtetit më të fuqishëm të botës, me dekretet e tij të ditës së parë, por edhe me shumë dekrete të tjera që do të vijojnë lumë, po synon një administratë federale të vendit të tij më të vogël dhe me më pak harxhime jo efektive dhe jo të leverdisshme(efiçiente) në punën e saj.

Lexo edhe :  Përkushtim për të avancuar procesin transformues drejt përkatësisë evropiane

Synon të kursejë fonde, nga shpenzimet e stërmëdha dhe jo pak herë të tepruara të administratës qendrore amerikane. Do ta bëjë këtë, duke themeluar një departament, dikaster të ri, të quajtur “Departamenti i Efiçiencës(Leverdishmërisë) Qeveritare(DOGE)”.

Në krye të këtij dikasteri të ri, po vendos njeriun më të pasur dhe më krijues të botës sot, Elon Musk, si dhe ish-rivalin e tij në Partinë Republikane, sipërmarrësin e suksesshëm në teknologjinë e lartë amerikane Vivek Ramaswami.

Edhe ky një kampion i qeverisjes së vogël federale. Qeveria jonë duhet të ndjekë këtë qasje me qeverinë tonë qendrore. Kemi një popullsi të tkurrur me 15 për qind, në krahasim me vitin 2011, por ama, administrata jonë shtetërore, e cila i shërben popullsisë sonë, nuk është ulur, përkundrazi.

Duhet të ulim shpenzimet tona administrative me të paktën 15 për qind, pasi po mbajmë në këmbë një administratë që i shërben 15 për qind më pak qytetarëve. Për të mos folur për risitë në shërbimet shtetërore elektronike, që kërkojnë gjithnjë e më pak njerëz që t’i kryejnë këto shërbime për qytetarët.

Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes të kemi një administratë po aq në numër, në mos pak më të madhe, se sa administrata e vitit 2011!

E kemi të domosdoshme, në mos të ngremë edhe ne një ministri të leverdisshmërisë qeveritare, të paktën të kemi një njësi, grup të veçantë pune me ekspertë të emëruar dhe kontrolluar nga Kuvendi, për të parë shpenzimet administrative shtetërore jo të domosdoshme, të cilat, edhe pse me një buxhet ende modest si shtet, nuk i kemi pak, por me qindra milionë euro!

Duhet të kemi edhe ne “Elon Musk-un” dhe “Vivek Ramaswami-n” tonë, pse mund të kursejmë aq shumë fonde edhe brenda një viti, duke e përdorur në mënyrë më të zgjuar dhe më me nikoqirllëk paranë publike, aq sa t’ua rrisim me 7 për qind më shumë pensionin të 723 mijë pensionistëve tanë çdo muaj./    S,M

Të fundit

SPAK i dha leje për të udhëtuar jashtë, Sali Berisha tregon arsyet e vizitës në Gjermani

Kreu i PD Sali Berisha, në një intervistë dhënë për gazetarin ,Osman Stafa ka dhënë më tepër detaje rreth...

Virozat prekin grupmoshat pediatrike, fluks vizitash mjekësore në Korçë

Në repartin e pediatrisë të spitalit të Korçës është vërejtur një rritje e ndjeshme e fluksit të vizitave, që arrijnë deri në 60 raste...

Roma, kryeqyteti i Evropës

Nga Juan González-Barba A ka një kryeqytet Europa, ose më saktë, Bashkimi Evropian? Nëse po, a do të justifikohej me titujt e tij historikë? A...

FSHF organizon mbrëmjen gala ‘Topi i Artë 2024’, ja cilët janë të nominuarit

Mbrëmja Gala “Topi i Artë 2024”, e organizuar nga FSHF, do të nderojë arritjet e shquara të futbollistëve shqiptarë dhe do të vlerësojë ata...

‘Çmendet’ moti/ Stuhia ‘bën kërdinë’ në këtë vend, raportohet për një të vdekur

Një burrë ka vdekur pasi një pemë ra në makinën e tij në Co Donegal gjatë stuhisë Eowyn. Rreth një milion shtëpi, ferma dhe...

Lajme të tjera

Web TV