Parlamenti Europian: Mazhoranca pritet gjerësisht të fitojë zgjedhjet e 11 Majit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Një studim i kërkuar nga Parlamenti Evropian, i cili është publikuar në fillim të vitit, vëren se mazhoranca socialiste qeverisëse “pritet gjerësisht të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.

“Mjedisi politik mbetet thellësisht i ndarë dhe i polarizuar, me parti relativisht të dobëta opozitare dhe një parti të fortë qeverisëse që ka qenë në pushtet që nga viti 2013 dhe pritet gjerësisht të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në 2025”, shkruhet në tekstin e kërkimit.

Bëhet fjalë për një studim të Drejtorisë së Përgjithshme për Politikat e Jashtme të Unionit me titull “Parlamentet në procesin e zgjerimit të BE-së: Forcimi i kapaciteteve të parlamenteve të vendeve anëtare sipas metodologjisë në zhvillim të zgjerimit”.

Ky studim eksploron rolin dhe rritjen e kapaciteteve parlamentare në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke u fokusuar në metodologjinë në zhvillim të BE-së për anëtarësim dhe theksimin e saj në qasjen “themelore”.

Ai shqyrton po ashtu kriteret e Komisionit Evropian për “funksionimin e institucioneve demokratike” në vendet e anëtarësimit.

“Raporti i Shqipërisë, sipas intervistave me aktorë vendas dhe ndërkombëtarë, është i përzier në rastin më të mirë”, vijon studimi duke kujtuar se BE-ja hapi negociatat e anëtarësimit më 15 tetor të vitit të kaluar.

Ato u prezantuan nga qeveria shqiptare si një moment historik dhe arritje e rëndësishme edhe pse kishte aplikuar për anëtarësim në vitin 2009, shton punimi i autorëve me seli në Belgjikë dhe Holandë.

“Pavarësisht reformave të konsiderueshme që janë ndërmarrë, institucionet shtetërore mbeten të dobëta dhe shumë të politizuara, me korrupsionin që mbetet një çështje problematike. Kjo prirje shoqërohet gjithashtu nga një shumicë joproporcionale e fortë ekzekutive dhe një shumicë qeverisëse në parlament që dominon pjesën më të madhe të vendimmarrjes legjislative”, sjell në vëmendje studimi.

Kërkimi analizoi iniciativat për mbështetjen e demokracisë së BE-së për parlamentet në dhjetë vende në zgjerim, përkatësisht Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Gjeorgji, Moldavi, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbi, Turqi, Ukrainë, dhe Kosova.

Lexo edhe :  PD rrezikon të dalë parti e 3-të! Berisha nuk u prit në Gjermani nga emigrantët

Studimi u bazua në hulumtimin në tavolinë, hartëzimin dhe mbi 90 intervista ekspertësh dhe palësh të interesuara.

Në vijim, dokumenti kërkimor i autorëve parashtron se “parlamenti shqiptar shpesh mbetet i dobët, i dominuar nga ndikimi i partisë në pushtet dhe i zhytur në polemika, përfshirë mosmarrëveshjen më të fundit mes parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese”.

Kjo, duke hedhur dyshime mbi ndarjen efektive të pushteteve dhe sundimin e ligjit.

Në këtë pikë, të intervistuarit nga autorët e studimit “kanë veçuar gjithashtu ‘tendencat vulosëse’ të parlamentit kur vjen puna për të valëvitur nismat qeveritare pa analiza, diskutime apo debate efektive”.

“Të intervistuarit vunë në dukje sfidën më të gjerë të një ndryshimi drastik demografik, me një pjesë të konsiderueshme të popullsisë që largohet nga vendi për shkak të mungesës së mundësive – kryesisht njerëz të rinj dhe të arsimuar që do të nevojiteshin për të ndërtuar një brez të ri të të rinjve demokratikë, liderë pro BE-së”, thekson studimi i kërkuar nga PE-ja.

Kërkimi nënvizon drejt mbylljes se “pengesat strukturore për forcimin e vërtetë të shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike, si kapja e shtetit, korrupsioni dhe ngecja e progresit në ndarjen e vërtetë të pushteteve, duhet të kapërcehen ende për një transformim të vërtetë të vendit”.

Sipas punimit, është vërejtur një kulturë më e gjallë e shoqërisë civile, duke u dhënë disa prej të intervistuarve arsye të mjaftueshme për të shpresuar për përparimin e mëtejshëm në procesin e konsolidimit demokratik të Shqipërisë.

Kujtojmë që, ky studim u kërkua nga Komisioni për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) dhe nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të PE-së./  S,M

Të fundit

Ushtria amerikane pritet të fillojë dërgimin e imigrantëve në Gjirin e Guantanamos

Avioni i parë ushtarak me imigrantë të arrestuar pritet të niset të martën drejt Gjirit të Guantanamos, sipas zyrtarëve...

Upss, çfarë ishte kjo? Ledri Vula bën veprimin e papritur ndaj Eglit

Por me veprimin e fundit Ledri ka ndez gjithë rrjetin, shkruan “Kosovarja”. Në ‘story’ Ledri ishte ai i cili ka ripostuar një video te Eglit...

Shurupi magjik i kollës me shegë dhe mjaltë/ Si ta përdorni për shërim të shpejtë

Kolla nuk duhet nënvlerësuar apo anashkaluar. Ajo shkakton vështirësi në sistemin imunitar dhe e drobit organizmin. Pasi dobëson mekanizmat mbrojtës të imunitetit, kolla e ka rrugën...

Mediat greke: Mbi 11 mijë banorë të Santorinit janë larguar nga ishulli

Banorët e Santorinit po largohen masivisht nga ishulli pas lëkundjeve të vazhdueshme sizmike që kanë tronditur zonën. Sipas raportimeve nga mediat greke, mbi 11...

Administrata Trump harton urdhrin ekzekutiv për të eliminimin e Departamentit të Arsimit

  Administrata Trump ka filluar hartimin e një urdhri ekzekutiv që do të nisë procesin e eliminimit të Departamentit të Arsimit, masa e fundit e...

Lajme të tjera

Web TV