Problemet me sistemin e numërimit të votave janë duke shkaktuar vonesa në nxjerrjen e rezultateve për kandidatët për deputetë në Kosovë pas zgjedhjeve të së dielës.
Për të disatën herë, sistemi nuk ka qenë funksional në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë. Vonesat kanë bërë të shtohen për dyshime në integritetin e procesit zgjedhor. E ndërsa priten rezultatet finale për të mësuar se kush do të arrijë në fund të krijojë qeverinë e re të vendit, ekspertët mendojnë se në bisedimet për koalicionet të mundshme paszgjedhore, mund të përfshijnë edhe postin e kreut të shtetit. Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 7 prill 2026.
Bazuar në rezultatet aktuale, tre janë skenarët që shohin analistët për formimin e qeverisë së re. I pari nënkupton një qeveri të formuar nga Lëvizja Vetëvendosje me komunitetet joserbe, një përfaqësues të komunitetit serb dhe ndonjë deputet nga tre partitë e deritashme opozitare. Një koalicion i Lëvizjes Vetëvendosje me njërën nga partitë aktuale opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës ose Lidhjen Demokratike të Kosovës, si dhe me komunitetet joserbe, shihet si skenar i dytë për formimin e qeverisë së re dhe krijimin e shumicës parlamentare. Si skenar i tretë konsiderohet një koalicion ndërmjet tri partive politike PDK, LDK, AAK dhe komuniteteve joshumicë serbe.
Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane tha për REL se në rast se Vetëvendosja arrin ta formojë qeverinë e re me pakicat joserbe, çështja e postit të presidentit të Kosovës nuk do të jetë në tavolinën e “pazareve politike”.
Por, në të dy skenarët tjerë, një gjë e tillë sipas tij, nuk mund të shmanget dot, sepse do të jenë më shumë aktorë të përfshirë, e secili do të kërkojë pjesën e tij, e kjo lë të ekspozuar edhe postin e presidentit, edhe pse sërish thekson se një pozicion i tillë nuk do të përbëjë interesin primar të subjekteve politike në llogaritjet e tyre për krijimin e ekzekutivi të ri por më shumë pjesë e plotësimit të një marrëveshjeje të mundshme./k.k