Protestuesit në Serbi shndërrojnë tragjedinë në lëvizje për ndryshim

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Studentja e biologjisë Marija Petroviç thotë se, kur ajo dhe kolegët e saj, filluan të protestojnë kundër qeverisë së Serbisë pas rrëzimit të çatisë në stacionin e trenit në Novi Sad, që shkaktoi vdekjen e 15 personave në nëntor, ata nuk e kishin menduar se do të fitonin kaq shumë përkrahje nga publiku për një kauzë, e cila që atëherë ka nxitur mijëra protestues të mbushnin rregullisht rrugët e këtij vendi.

Pas tragjedisë kishte pak shenja se protestuesit, që po fajësonin qeverinë për korrupsion dhe nepotizëm, do të siguronin përkrahje më të gjerë.

“Nuk e menduam që do të kishim kaq shumë përkrahje, por njerëzit filluan të na bashkohen, mësuam si të organizohemi në fakultetet tona dhe në rrugë. Momentet e para ishin shumë më ndryshe nga ajo që po përjetojmë tani, ngaqë nuk besonim se kaq shumë njerëz do të na bashkoheshin. Por, tani në rrugë po shohim që ajo që po bëjmë është shumë e rëndësishme, që njerëzit po pajtohen me ne dhe mendojnë se ajo që po bëjmë është gjëja e duhur”, thotë studentja Marija Petroviç.

Tre muaj më vonë, demonstratat janë rritur duke u shndërruar në lëvizjen më të madhe protestuese në Serbi ndër vite. Studentëve, të cilët janë shumë të organizuar, iu bashkuan dhjetëra mijëra mësimdhënës, avokatë dhe punonjës të tjerë, duke bllokuar autostrada e sheshe, shkaktuar krizë kështu një krizë politike.

“I lamë mënjanë ideologjitë personale për shkak se kjo që po bëjmë këtu, është shumë më e rëndësishme. Po përpiqemi t’i bëjmë institucionet funksionale. Vendi po digjet aktualisht, nuk mund të mendojmë për orenditë, kur po përpiqemi të ndalim zjarrin. Nuk kemi as vullnetin e as kapacitetin të mendojmë në atë mënyrë. Kjo më ka bërë më tolerante ndaj botëkuptimeve të të tjerëve, përderisa po luftojnë për të njëjtin qëllim”, thotë zonja Petroviç.

Qeveria e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç mohon përgjegjësinë për tragjedinë si dhe për akuzat më të gjera rreth blerjes së votuesve, kufizimit të lirisë së mediave, dhunën ndaj kundërshtarëve dhe lidhjet me krimin e organizuar.

Lexo edhe :  Tërmetet/Amorgos shpall gjendje të jashtëzakonshme-Gjashtë tërmete të forta në Santorini

Por Kryeministri i Serbisë Milosh Vuçeviç dhe ministrat e ndërtimit dhe tregtisë kanë dhënë dorëheqjen. Kjo nuk i ka qetësuar protestuesit të cilët thonë se po protestojnë kundër një regjim autokratik.

Studentët protestojnë çdo ditë, duke ngjyrosur duart me bojë të kuqe si metaforë për, siç thonë ata, duart e përgjakura të qeverisë. Studentët flenë në ndërtesat universitare dhe po ushqehen me donacione. Mësimi është ndërprerë.

“Gjatë dy muajve të fundit po jetojmë së bashku në fakultetet tona, po hamë bukë bashkë, po bëjmë gjumë bashkë, po i kalojmë ditët bashkë. Përvoja ime nuk është më e veçantë apo më e rëndësishme se ajo e moshatarëve të mi. Ne vetëm jemi zëri përmes të cilit të gjithë moshatarët dhe kolegët tonë flasin. Ne veprojmë si komunitet, nuk kemi drejtues, as individë. Ne besojmë se komuniteti, pjesë e të cilit jemi, është shumë më i mençur dhe më i zgjuar se një individ i vetëm”, thotë studentja Petroviç.

Mesazhi i protestave – që qeveria t’i kryejë detyrat e saj me ndershmëri dhe se demonstratat nuk do të ndalen, deri sa kjo kërkesë të realizohet – po kontrollohet me rreptësi.

Zonja Petroviç thotë se protestuesit janë përballur me kërcënime dhe sulme fizike, por ato e kanë përforcuar më shumë vendosmërinë e tyre. Kërkesat e tyre përfshijnë publikimin e dokumenteve që lidhen me rrëzimin e çatisë së stacionit, vënien para drejtësisë së përgjegjësve, pushimin e akuzave ndaj studentëve protestues dhe një buxhet më të lartë për shkollimin e lartë. Presidenti Vuçiç thotë se ai i ka përmbushur këto kërkesa.

Studentët nuk kanë bërë thirrje për rrëzimin e Presidentit serb Vuçiç. Por këmbëngulja e tyre, ka shkaktuar një prej kërcënimeve më të mëdha ndaj pushtetit të gjatë të presidentit, thonë analistët politikë.

Protesta e radhës pritet të mbahet të shtunën në Kragujevc, një tubim që pritet të jetë më i madhi deri më tani./e.t

Të fundit

Pas kaosit, deputetët kthehen nesër në Kuvend pritet votimi i Kodit Zgjedhor

Pas seancës së kaosit, deputetët do kthehen nesër në Kuvend. Seanca e së enjtes u shty për të hënën...

Rama i prerë: Për aq kohë sa do jem në krye të qeverisë, nuk do të pranojmë palestinezë

Kryeministri Edi Rama, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka mohuar lajmet se qeveria amerikane po planifikon të dërgojë refugjatë nga Palestina në Shqipëri. “Nuk...

Pse Shqipëria nuk ka vaksinë për meningjitin? Flet mjeku!

Rasti i dytë me meningit që u evdientua në Durres në një periudhë të shkurtër kohore ka ngjallur panik tek prindërit. Por mjeku epidemiolog...

Ngjela: Pse është i qetë Rama!

Avokati Spartak Ngjela i ftuar në Intervistën tha se arrestimi i Erion Veliajt është një dëm për PS, por kjo situatë sipas tij nuk...

‘MailOnline’: Pensionistët britanikë zgjedhin Shqipërinë si destinacionin për të jetuar

Ujërat e kristalta dhe plazhet e arta të Shqipërisë i kanë dhënë asaj titullin “Maldivet e Evropës”, shkruhet në të përditshmen britanike “MailOnline”. “Vendi i...

Lajme të tjera

Web TV