Ish-Zonja e Parë, Michelle Obama, do të hapet mbi jetën dhe martesën e saj me ish-Presidentin Barack Obama në një podcast të ri, ku do të marrë pjesë edhe vëllai i saj, Craig Robinson.
Podcasti, i quajtur IMO, shkurtim i “In My Opinion” (Sipas Mendimit Tim), do të nisë transmetimin të mërkurën. Në të, Michelle dhe vëllai i saj do të diskutojnë përvojat e tyre të jetës, do të intervistojnë personazhe të famshëm dhe do t’u përgjigjen pyetjeve të dëgjuesve. Sipas raporteve, programi nuk do të trajtojë në mënyrë të thelluar çështjet politike.
“Nëse ndiheni në një mënyrë të caktuar, realiteti është se të tjerët ndihen njësoj,” thotë Michelle në prezantimin e podcastit. “Kur merr kohë për të qenë paksa më i hapur dhe i sinqertë, bëhet shumë më e lehtë të gjesh përgjigjet që kërkon.” Podcasti do të ketë të ftuar të ndryshëm çdo javë, të cilët do të ndajnë perspektivat e tyre për jetën, duke përfshirë tema si sfidat e martesës, rritja e fëmijëve, menaxhimi i marrëdhënieve miqësore dhe dalja në takime.
Në një përmbledhje të dy episodeve të para, New York Times raporton se Michelle dhe vëllai i saj diskutojnë divorcin e Robinson-it dhe hezitimin e saj fillestar për të mbështetur kandidaturën presidenciale të bashkëshortit të saj.
Një nga intervistat e podcastit përfshin bisedën me aktoren Issa Rae mbi ruajtjen e miqësive në moshë të rritur. Michelle gjithashtu zbulon se ka filluar të ngasë makinën përsëri pas shumë vitesh kufizimesh nga Shërbimi Sekret.
Sipas Higher Ground, kompanisë së prodhimit të Obamave, IMO do të përfshijë “përvoja unike dhe perspektiva të sinqerta” nga Michelle dhe Robinson. Çdo javë, ata do të kenë të ftuar të veçantë për të ndarë mendime humoristike, praktike dhe të vlefshme mbi jetën.
Ndër të ftuarit do të jenë aktorët Seth Rogen dhe Keke Palmer, regjisori Tyler Perry dhe CEO i Airbnb, Brian Chesky. Podcasti do të jetë i disponueshëm edhe në format video.
Ndërkohë, thashethemet mbi një krizë martesore mes Michelle dhe Barack Obama-s kanë vazhduar, sidomos pas mungesës së saj në funeralin e ish-Presidentit Jimmy Carter dhe inaugurimin e Donald Trump. Megjithatë, Barack hodhi poshtë këto spekulime me një dedikim romantik në Ditën e Shën Valentinit, ku shkroi: “Tridhjetë e dy vjet bashkë dhe ende më lë pa frymë,” shoqëruar me një foto të lumtur të çiftit.
Ky është podcasti i tretë i Michelle, pas The Michelle Obama Podcast në vitin 2020 dhe The Light We Carry në 2023./k.k