Ish-kapiteni legjendar i Kombëtares së Shqipërisë, Besnik Hasi, ka komentuar gjendjen e klubit të zemrës, Vëllaznimit duke i kujtuar autoriteteve vendase të kushtojnë më snhumë vëmendje dhe financa te formacion i Superligës. Aktualisht kuqezinjtë janë në gjendje të mjerueshme, ku ndodhen në vendin e fundit në Ligën e Parë. Duke folur për Radio Gjakovën, Hasi u shpreh se është interes i futbollit vendor që t’i ketë në elitë klubet e mëdha.
“Gjendja aktuale e Vëllaznimit është katastrofike. Një klub me traditë kaq të madhe në Kosovë, që ka dhënë aq shumë për futbollin e Kosovës të mbetet në këtë pozicion, është e papranueshme”, deklaroi Hasi.
“I gjithë qyteti i Gjakovës duhet ta ndihmojë Vëllaznimin. Edhe FFK duhet ta ndihmojë, sepse është në interesin e Federatës që Vëllaznimi të jetë i fortë dhe në Superligë, pasi që vazhdimisht i jep shumë futbollit vendor. Superliga nuk ka lezet pa katër klubet e mëdha, e ku aktualisht mungojnë Vëllaznimi, Liria dhe Trepça. Klubet me traditë s’duhet të lejohen të bien poshtë. Kështu ndodh në disa vende të botës, pasi është interes i ligës të ketë në elitë klubet e mëdha”, shtoi Hasi.