Ata që denoncuan publikisht pabarazinë, ata qe u shtirën optimistë dhe mbi 90 kandidatë që preferuan të heshtin
Edi Rama nuk ndërmori thjeshtë një akt radikal duke zhdukur, me një të rënë të lapsit, 24 prej deputetëve aktualë nga mundësia për kandidim në kuvendin e ri.
Përpos eleminimit të 1/3 së grupit parlamentar që ka sot, lideri socialist u’a ka bërë pothuajse të pamundur garën edhe atyre që i ka degdisur në listën e hapur. Të detyruar të përleshen me shoku-shokun, për ato pak vende që sigurohen – përpos atyre që përzgjidhen pa votë-, shumë deputetë kanë reaguar në mënyra të ndryshme.
I pari që dha sinjalin se nuk do të merrte pjesë në këtë asgjësim vëllavrasës, ishte Nasip Naço. Të gjithë e mbajnë mend atë videon virale kur, nën avujt e alkoolit, në shoqërinë e Lefter Kokës, Rama e ftonte Naçon të tradhtonte Ilir Metën, për ti’u bashkuar PS-së. Por, tani kur ish presidentin e ka kalbur në burg edhe “besprerin” Naço e flaku si limon të shtrydhur.
Kjo e bëri Nasipin të reagojë me ironi: “Unë e falënderoj zotin Rama që vuri kritere të forta, që edhe ai që nuk e mendonte duhet ta kuptojë se vjen një ditë kur duhet të ikë”, shkroi ai.
Por, ish LSI-sti që Meta e propozoi si kandidat alternativ për kryeministër në fushatën e 2013-së nuk do ti kujtojë më borxhet reciproke ndërsa e mbylli karrierën politike. “Unë ia kam kthyer borxhin PS-së, kisha marrë një mandat në 2009, 2013 dhe 2017. Ia ktheva në 2021. As s’i kam borxh, as më kanë borxh. Jam qytetar i lirë”,– u shpreh Naço ndërsa deklaroi se do ti kthehet avokatisë.
Njësoj si Naço edhe Petro Koçi nuk u radhit mes atyre që bëjnë sikur se kuptojnë se Rama kërkonte ti spastronte. Pa u shpallur ende listat ai deklaroi publikisht se largohej nga kjo garë. Për këtë, disa ditë më pas, në emisionin “Të Paekspzuarit” dha dhe arsyet: “Për mua është një kriter i papranueshëm që te listat e hapura të konkurrosh mes 37 kandidatëve, pa pasur të paktën në një start me kushte të barabarta. Ti duhet të kesh një zonë të caktuar nga e cila të fillosh fushatën. Pra duhet të ngresh një shtab funksional”– tha Koçi duke përligjur refuzimin.
Në fakt, diskriminimi dhe gara në kushte të pabarabarta që ata më sipër bojkotuan do ndodhë mes socialistëve që janë flakur në zonën e hapur. Disa kanë ministri dhe administratë zgjedhore nga pas, disa të tjerë të paktën janë drejtues të zonave të mëdha që prodhojnë vota, ndërsa më të diskriminuarit janë lënë të konkurrojnë në mëshirën e fatit.
Një prej tyre është edhe Erion Braçe, që Belinda Balluku e shkuli si kalli të kalbur nga fushat e Myzeqesë, për ta lënë fare pa rrënjë. Ai i ka vënë re këto disekuilibra duke i renditur një për një, në një postim publik: “Nuk kam ministri, ndërmarrje, asete, nëpunës, të mira publike për të shpërndarë, i ka ndaluar ligji këto; nuk kam biznes, para, llogari bankare nga rrjedhin para zgjedhore; nuk kam biznesmenë, as përpara e as mbrapa, detyrim ndaj tyre; nuk kam televizion, gazetë, portal, podcast”.
Por me inatin e vet proverbial, Braçe nuk ka lënë pa fshikulluar edhe Belinda Ballukun, e cila është shndërruar në rrufepritësen e mllefit të socialistëve të dëshpëruar, që pasi Veliaj u izolua dhe se mban dot më këtë peshë antipatie.
“Kjo javë ka qenë e vështirë. Më është dashur të përtyp përfundimisht inatin brutal përjashtues “o unë, o ai”, të pranoj një garë të pabarabartë kur kam veç 6 javë këtu, të shkel mbi ca parime që i kam të shenjta kur më duhet të konkuroj në një strategji jo etike me shokët e mi të vjetër e të rinj’, shkruajti ai.
Por, ndryshe nga Braçe, Koçi apo Naço, ka pasur edhe të dëmtuar të tjerë që kanë ditur ta bluajnë përbrenda vetes mllefin e tyre. E pyetur se pse u hodh në batakun vllavrasës të listave të hapura të kryeqytetit, Mimi Kodheli u përgjigj shkurt: “E kam sfiduar edhe herë tjetër fatin, kështu e kam jetën me sfida. Kam refuzuar të jem në listë të mbyllur”.
Pak a shumë me dhëmbët shtrënguar u prononcua edhe Fatmir Xhafa. Gjithsesi ndryshe nga të tjerët, ndonëse në listën e hapur të Tiranës, ai ka nën kontroll njësinë 10, një hambar të vërtetë votash. Kjo mund ta bëjë të ndihet më i sigurt dhe të deklarojë: “Maksimalisht i motivuar dhe i përkushtuar të përmbush besimin që më është dhënë për të përfaqësuar zgjedhësit e mi dhe për të shkruar një tjetër histori suksesi, ashtu siç bëmë edhe 4 vite më parë kur bashkuam mendjet dhe zemrat e qytetarëve të mrekullueshëm të kryeqytetit në një betejë të përbashkët duke bërë një sukses të jashtëzakonshëm”.
Por, pavarësisht notave optimiste, Xhafa që duket sikur përkohësisht i ka paqtuar marrëdhëniet me Ramën, nuk la pa i’a përmendur atij, faktin se edhe në 2021 e la në listë jo fituese për ta djegur. U desh ndërhyrja e Veliajt dhe e shtabit të 5D që Fatmiri të jetë sot në parlament, duke mbledhur 15 mijë vota dhe thyer hercin.
Nga të gjithë personazhet e kësaj drame më donkishotesku duket Pandeli Majko. Sa më shumë kohë rrjedh nga periudha e artë kur ai ka qenë kryeministër, aq më tepër veterani i PS është i prirur të bëjë deklarata të rrumbullakosura. Ndonëse është pothuajse i sigurt që nuk do të jetë deputet, e provoi se nuk mbledh dot më vota që në 2021 kur Rama e la pas dere, ai i përket brezit që betohet si Kadri Hazbiu: “Partia ime më dënon”.
Prandaj për degdisjen në listën e hapur, Majko që u detyrua të shkojë deri në mohimin e aftësive të veta drejtuese: “Jam i bindur se një burrë nuk lind për të drejtuar”, i bëri thirrje zgjedhësve të votojnë PS-në: “Firmosa dokumentet e kandidimit për deputet, që të vazhdoj në krah të familjes sime, Partisë Socialiste të Shqipërisë, atë që kemi nisur, edhe pas zgjedhjeve të 11 majit”.
Përpos këtyre dy grupimeve, që ose kanë qenë kritikë, ose kanë folur për të mos thënë asgjë, ka mbi 90 kandidatë të tjerë socialistë të listave të hapura që kanë shtrënguar dhëmbët për të heshtur. /Lapsi/ S,M