Policia e Shtetit ka miratuar një plan të detajuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Andorra që do të zhvillohet nesër në “Air Albania”.
Masat përfshijnë eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të të dyja ekipeve, kontrolle të rrepta për parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara, si lëndë piroteknike dhe flakadanë. Përveç sigurisë në stadium, Policia do të menaxhojë trafikun dhe do të kryejë kontrolle të rrepta në rrugët kryesore të qytetit të Tiranës.
Kufizime në qarkullimin e mjeteve do të fillojnë nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe sigurinë e tifozëve. Policia ka angazhuar qindra punonjës për këtë ngjarje, duke kërkuar bashkëpunimin e tifozëve për një ndeshje të sigurt dhe pa incidente.
Njoftimi i policisë:
Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve të Shqipërisë dhe Andorrës, që do të zhvillohet më datën 24.03.2025, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare”, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, bazuar dhe në përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve me përmasa ndërkombëtare.
Masat konsistojnë në eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të Andorrës, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas, eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium.
Për të parandaluar futjen e sendeve të kundraligjshme në stadium si lëndë piroteknike e flakadanë e sende të tjera shërbimet e Policisë do kryejnë kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, para se të futen tifozët.
Me qëllim garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës, janë parashikuar planëzime të shërbimeve nga Patrullat e Përgjithshme, Shqiponjat, Policia Kriminale, Policia Rrugore dhe Forca Kombëtare e Sigurisë, të cilat do të kenë si prioritet dhe sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës dhe menaxhimin e trafikut rrugor.
Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, konkretisht me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe UEFA-n me Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, Shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë), Spitalet, qëndrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.
Gjithashtu, janë vendosur kontakte dhe po bashkëpunohet dhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Andorrës, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, ditën e nesërme, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, do ketë kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqezimi i Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”;
* Rruga “Papa Gjon Pali II”;
* Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
* Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së;
* rruga “Themistokli Germenji”;
– rruga “Gjergj Filipi”;
* Rruga “ Lekë Dukagjini”, nga ish-Garda e Republikës deri te stadiumi;
* rruga “Faik Konica”;
* rruga “Skerdilajd Llagami”.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve./ D.C