Mirsad Tagani, artisti i pjatave dhe shqisave

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Me një eksperiencë 15-vjeçare në artin e gatimit, 35-vjeçari, kreu i kuzhinës së restorantit të kompleksit Taivan, ndan vështirësitë, sfidat, ëndrrat dhe një episod komik me kryeministrin 

Nga Alessia Selimi

Me një xhaketë tipike të një kuzhinieri dhe me një përparëse të zezë që i bie në gjunjë, Mirsad Tagani del nga strehëza e aromave dhe shijeve me një enë të përmasave të mëdha. Ndonëse i skuqur në fytyrë dhe me një frymëmarrje gulçuese, Mirsadi e di fare mirë, prej 15 vitesh tashmë, se një pjatë e shijshme kërkon përkushtim, jo vetëm njohuri të gjera në gatim.

Dhe se kjo e fundit nuk mund të konsiderohet asesi si një mision i përfunduar vetëm në sajë të një tryeze të mbushur plot. Në artin që prek të gjitha shqisat, ka shumë rëndësi se çfarë gatuhet, se si zgjidhen përbërësit, mandej si përzihen dhe transformohen, derisa të përfundojnë në pjatë dhe të shijohen.

Për të folur rreth përkushtimit që kërkon kuzhina e cila mbahet në jetë falë klientëve, Mirsadi duket se arrin të shkëputet nga zhurma e enëve dhe shkëmbimi i ideve për menunë e ditës. Ky 35-vjeçar rrëfen ndër të tjera për gazeta “Fjala” edhe hapat e parë të një djaloshi çapkën, që kurrsesi nuk mendonte se një ditë do të ishte kuzhinier, dhe aq më pak kreu i kuzhinës së restorantit të kompleksit Taivan, ku mbizotëron krah arredimit në stil mesdhetar edhe shija e këtillë.

“Isha veçse 20 vjeç, i  porsardhur nga Shkodra, kur fillova punë në këtë kuzhinë nga ku po bashkëbisedojmë momentalisht. Me dëshirën për të qenë pjesë e lokaleve dhe restoranteve, qoftë edhe si kamarier, asokohe pata fatin të rrethohesha nga njerëz të mrekullueshëm, nga të cilët ke gjithmonë se çfarë të mësosh.

Një ndër to ishte edhe kuzhinieri italian Pasquale Fiore. Ishte pikërisht ai që më prezantoi me pjatat italiane, si dhe me eksperimentimin dhe ngritjen e ushqimit në një tjetër nivel, jo vetëm në nevojën për të luftuar urinë”, thotë Mirsadi duke u rikthyer kështu 15 vite pas.

Shumëçka ka ndryshuar nga ajo kohë. Megjithatë, 35-vjeçari ka zgjedhur t’i qendrojë besnik të njëjtit ambient pune. “Nuk është pak të të besojnë tek ajo çka ti bën”, thotë ai si për t’iu përgjigjur paraprakisht një pyetjeje të pa shtruar në tavolinë. Restoranti ende nuk është hapur; vijon lufta ndaj koronavirusit, ndonëse masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë po lehtësohen dita ditës. Mirsadi, megjithatë, nuk e ka ndalur ritmin e punës. Klientët i janë drejtuar edhe në këtë periudhë të vështirë, veçse jo fizikisht, por përmes porosive.

“Ishte realisht një sfidë, jo vetëm për mua, por për të gjithë kolegët. Nga ana tjetër, muajt në izolim kanë shërbyer për t’u njohur vërtetë me klientin besnik. Madje, ndoshta nuk do të më besoni, por përtej një porosie, arriti një pikë ku mund të bëja lidhjen me fizionominë e klientit, pra ta njihja falë ushqimit që kërkonte”, shprehet Mirsadi.

Teksa  pritet një ulje e pritshme e kurbës së infeksionit në vend, më datë 18 maj do të rifillojë hapja graduale e lokaleve dhe restoranteve, duke iu dhënë mundësinë që të ofrojnë shërbimin e tyre vetëm në ambientet e jashtme, pa harruar përshtatjen me mënyrën e re të ofrimit; distancimin social. Duket se, kjo gjë nuk e shqetëson aspak Mirsadin. “Thuhet shpesh se klienti është mbret.

Jo gjithmonë bie dakord me këtë, sidomos kur ndodh të përballesh me një klient zezvek. Në këtë rast, kur rëndësia për jetën prevalon mbi gjithçka, unë së bashku me stafin tim do të bëjmë ç’është e mundur për të garantuar qetësinë e tyre . Është vendosur që çdonjërit do t’i matet temperatura përpara se të veshë uniformën përkatëse dhe t’i shtrohet punës, për të mos llogaritur mbajtjen e maskave apo dorezave mbrojtëse”, thotë Mirsadi teksa drejton sytë nga katër kuzhinierët e shpërndarë nëpër repartet përkatëse.

Nën ritmin e zakonshëm të një kryeqyteti gjithmonë në lëvizje, sipas 35-vjeçarit, çdo turn përmban 12 punonjës dhe atij i duhet të bashkëpunojë me cilindo, qoftë edhe për gjënë më të vogël. Mirsadi tregon se nuk ka shumë që ka ardhur nga Instituti Profesional i Kuzhinës ATC, nga ku jep mësim prej thuajse dy vitesh.

Pyetjes nëse ka të rinj të apasionuar pas gastronomisë, i përgjigjet pa e menduar dy herë. “Janë mbi 300 nxënës të cilët kërkojnë të përftojnë njohuri, të jenë dikushi në treg, të gatuajnë siç nuk ka gatuar kurrë më parë njeri. Nuk është një shifër aspak e ulët kur e mendon, dhe për këtë ndihem i lumtur”, shprehet Mirsadi ndërkohë që nuk ngurron të ndajë me ne leksionin e ditës, që fare mirë mund t’i shërbejë çdo amvise.

“Është shumë e rëndësishme që gatimi të realizohet në bazë të produkteve të stinës. Kjo gjë jo vetëm që i jep identitet një restoranti, por ndihmon edhe në shëndetin e anëtarëve të familjeve. Kam arritur në konkluzionin se mbyllja në shtëpi nga pandemia Covid-19, nuk ka sjellë asgjë të mirë tek qytetarët, përveçse disa kileve të tepërta.

Dhe këto të fundit, besomëni, nuk kanë ardhur si rrjedhojë e konsumit të produkteve të stinës, por nga mungesa e thekshme e një regjimi ushqimor , si dhe nga orientimi tek brumrat dhe yndyrnat e tepërta”, thotë Mirsadi duke u bazuar jo vetëm në përparësen e kuzhinierit, por edhe në bashkëbisedime të herëpashershme me dietologë të shumtë.

Kur e pyesim se për kë të njohur ka gatuar, 35-vjeçari ndalet një hop, duke lënë të kuptohet se kemi të bëjmë me një listë të gjatë emrash. Megjithatë, përmend emrin e kryeministrit Edi Rama, edhe për shkak të një ndodhie komike. Mirsadi rikthehet përpara katër viteve, në një tryezë me figura të njohura të politikës së vendit. “Isha lajmëruar për një darkë mes zyrtarësh, si dhe për praninë e kryeministrit Edi Rama.

Kësisoj, kisha ditë që përgatitesha për pjatat që do të shtroheshin në tavolinë. Mbaj mend fare mirë se i kisha dhënë jetë një menuje të alternuar, mishi dhe peshku. Ashtu sikurse mbaj mend edhe porosinë e kryeministrit. Ai më kërkoi përpos gjithçkaje vetëm dy vezë të skuqura dhe djathë me sasi të limituar laktoze dhe kolesteroli, që njihet ndryshe si Bufalo”, tregon Mirsadi buzagaz.

Kuzhinës i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës, por kur mendon për të ardhmen e dy fëmijëve të tij të vegjël, stepet. Ai është i vetëdijshëm se profesioni i kuzhinierit kërkon mund, sakrificë, përkushtim, pa kurrfarë rezervash.  Këtë nuk e shpreh me fjalë, por me ëndrrat e tij për të ardhmen.

Mirsadi dëshiron të hedhë në treg, në një ditë jo shmë të largët, një libër recetash. Të mirëmenduara, të hedhura në letër të bardhë si fryt i punës së vazhdueshme dhe kombinimit të përsosur të shijeve. “Nuk është aspak e lehtë sikundër pretendojnë personazhet e botës së televizionit. Të ishte e tillë, do ta kisha ndërmarrë këtë nismë prej vitesh”, thotë Mirsadi, të cilin tashmë e presin një sërë pjatash, për t’i dhënë formë, jetë, ngjyrë./l.m/Fjala

Të fundit

Si ta përballojmë stresin nga moti i ftohtë me shi

Moti i ftohtë dhe me shi shpesh mund të ndikojë negativisht në humor dhe shëndetin tonë, duke shkaktuar lodhje,...

Paris Hilton dhuron 100,000 dollarë për viktimat e zjarrit në Los Angeles

Paris Hilton është një tjetër personazh i famshëm që donte të mbështeste të prekurit nga zjarret në Los Angeles. “Trashëgimtarja e artë” e cila...

Parku i Drilonit nën petkun e dëborës, Rama ndan pamjet: Si i dalë nga ndonjë përrallë

Reshjet e dëborës që kanë përfshirë juglindjen e vendit i kanë shtuar magjinë qytetit të Pogradecit. Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje...

Koha: Një iluzion apo realitet?

Koha ndihet kaq e saktë sa që rrallë herë e vëmë në dyshim ekzistencën e saj. Orët ecin, ne ndiejmë që kalojnë dhe lidhim...

Shpopullimi masiv, habit deputetja e PS: Shqiptarët po ikin për t’u shkolluar

Teksa me qindra mijëra shqiptarë janë larguar nga vendi gjatë 10 viteve të fundit, duket se në Partinë Socialiste e shohin si një fenomen...

Lajme të tjera

Web TV