‘Të skaduar’ prej 4 vitesh, kush janë ambasadorët e Kosovës që vazhdojnë punën?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shtatë ambasadorë dhe konsuj të përgjithshëm të Kosovës, po e vazhdojnë punën e tyre, pavarësisht përfundimit të mandatit prej katër vjetëve. Ministria e Punëve të Jashtme e Qeverisë në detyrë të Kosovës, ka më gjatë se tetë javë që ka kërkuar tërheqjen e tyre dhe kthimin në Kosovë, por presidenti Hashim Thaçi nuk e ka nënshkruar dekretin, andaj procesi ka mbetur i bllokuar.

Sabri Kiçmari, këshilltar i lartë politik i ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, thotë se mosveprimi i presidentit e ka bllokuar gjithë procesin. Sipas tij, kompetencat e presidentit të Kosovës në këtë rast janë të precizuara, por edhe të limituara.

“Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës ka kompetenca për të propozuar emërimin dhe tërheqjen nga detyra të një ambasadori. Në rastin në fjalë, pesë ambasadorë dhe dy konsuj të përgjithshëm janë emëruar në detyrë për një mandat katërvjeçar. Sipas Ligjit për Ministrinë e Jashtëm dhe shërbimit diplomatik, ambasadorët politikë mund të qëndrojnë në një mandat katërvjeçar, por jo më gjatë se kaq”, tha Kiçmari për Radion Evropa e Lirë.

Në lidhje me këtë çështje, REL i ka drejtuar pyetje edhe Zyrës së Presidentit të Kosovës, por ajo nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

Ndërkaq, kohë më parë, gjatë një konference për gazetarë, presidenti Thaçi pati thënë se ai do të marrë vendim konform Kushtetutës, ligjeve dhe interesit të shtetit.

“Nuk do të marr ndonjë qasje apo orientim politik të motivit politik. Zyrtarët e shtetit të Kosovës do të vazhdojnë t’i kryejnë punët e veta në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet. Për çështje të rëndësishme nuk duhet të ndodhin veprime të nxituara sepse dërgojmë mesazh të keq para botës, por edhe para vetvetes dhe mund të instalojmë praktikë të keqe, e cila pastaj mund të përsëritet dhe të paguajmë çmim të gjithë”, ka thënë Thaçi.

Në anën tjetër, Sabri Kiçmari thotë se ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca do t’i drejtohet edhe njëherë presidentit për të bërë dekretimin e kthimit të tyre, por në qoftë se ky veprim nuk ndërmerret, ai nuk e përjashton që çështja të përfundojë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Lexo edhe :  “Deri kur?” Deputetët e Kosovës dështojnë për herë të 37 të zgjedhin kryeparlamentarin

“Pra ai duhet të nënshkruajë formalisht dekretin, por propozimin për emërimin dhe tërheqjen e bën Ministria e Jashtme e Kosovës”, thotë Kiçmari.

Ai thotë po ashtu se emërimi i ambasadorëve të rinj nuk mund të bëhet pa përfunduar procedura me dekretimin e kthimit të ambasadorëve aktualë, që u ka skaduar mandati.

“De fakto presidenti e ka bllokuar ndërrimin normal në Shërbimin e Jashtëm dhe në një mënyrë e ka dëmtuar këtë shërbim, duke mos dekretuar kthimin e tyre”, thekson Kiçmari.

Sipas tij, ideja e ministrit të Jashtëm është që Kosova të ketë sa më pak ambasadorë politikë dhe të ketë sa më shumë ambasadorë të karrierës.

“Të investohet sa më shumë dhe të hapen mundësitë për ambasadorët e karrierës që do të qëndrojnë në Shërbimin e Jashtëm me vite të tëra dhe jo për të plotësuar, le të themi, dëshirat politike të qeverive dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë”, thotë Kiçmari.

Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, më 20 shkurt, ka shkarkuar 14 persona që ishin angazhuar si konsuj nëpër ambasada e konsullata të ndryshme të Kosovës në botë. Kurse më 3 mars kishte propozuar tërheqjen nga misionet diplomatike të shtatë ambasadorëve dhe konsujve të përgjithshëm, të cilëve u kishte përfunduar mandati katërvjeçar.

Personat e propozuar për tërheqje nga misionet diplomatike janë: Vlora Çitaku (Uashington), Edon Cana (Sofje), Lirim Grejçevci (Hagë), Shpend Kallaba (Budapest), Mimoza Ahmetaj (Strasburg), Ylber Hysa (Podgoricë) dhe Ramadan Avdiu (Gjenevë).

Megjithatë, procesi ka mbetur i bllokuar në mungesë të dekretit të presidentit, dhe si i tillë mund të mbetet përderisa të mos qartësohet edhe çështja e formimit të Qeverisë së ardhshme të Kosovës, proces ky i varur nga aktgjykimi në pritje i Gjykatës Kushtetuese./REL

Të fundit

Vala ekstreme e të nxehtit ‘mbyt’ Ballkanin/ Temperaturat mbi 40°C javën e ardhshme

Ballkani po përgatitet për një valë ekstreme të të nxehtit, që ka shkaktuar alarm në vendet e rajonit, ndërsa...

GJKKO e la në qeli/ Ilir Meta njofton konferencë për mediat nga burgu

Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme që la në fuqi masën “arrest me...

Avokati i Metës ia hedh fajin Kryemadhit: Kartat e kreditit janë përdorur nga Monika

Gjykata e Posaçme nuk ndryshoi masën “arrest në burg” për Ilir Metën. Avokati i tij Kujtim Cakrani tha se Meta kundërshtoi provat e reja...

Cristiano Ronaldo pranon të rinovojë me Al Nassr, shifrat marramendëse të kontratës

Cristiano Ronaldo do të vazhdojë aventurën e tij në Arabinë Saudite. Sulmuesi portugez është pranë firmës së një kontrate të re me Al Nassr, ndërsa marrëveshja...

Zbulohet ftesa e çuditshme për dasmën e Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez

Në botën e elitës globale, një ftesë nuk është thjesht një mesazh informues, është shpalosje stili, sinjal i qëllimit, madje edhe objekt koleksioni. I...

Lajme të tjera

Web TV