Një aksident i rëndë u regjistrua ditën e djeshme në Peshkopi ku një makinë me shpejtësi skëterrë humbi kontrollin dhe goditi policin Veli Gjura i cili po ecte qetësisht në rrugë.
Nga pamjet e publikuara nga kamerat e sigurisë shihet se si makina e drejtuar nga shoferi 27-vjeçar e “merr” para duke e përplasur me murin e një biznesi.
Nga lëndimet e marra, efektivi është dërguar te spitali i Traumës në kryeqytet dhe ndodhet në reanimacion, në gjendje të rëndë shëndetësore. Bëhet me dije se Gjurra ka marrë dëmtime në kokë. Orët ne vijim janë vendimtare për efektivin e policisë i cili u godit gjatë kohës që ishte në shërbim.
Policia ka arrestuar Alban Shotin, drejtuesin e automjetit tip “Golf”, i cili në momentin e përplasjes ishte në gjendje të dehur./E.S
Dibër / Informacion paraprak
Sot, rreth orës 18:30, në kryqëzimin Velia, në Peshkopi, shtetasi A.Sh., 27 vjeç, duke drejtuar një automjet tip “Golf”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe mjeti ka dalë nga rruga duke u përplasur me një dyqan. Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar shtetasi V.Gj., (punonjës policie në shërbim) i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se drejtuesi i automjetit ishte nën efektin e alkoolit dhe është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur rrethanat e aksidentit.”