Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur për mediat në lidhje me vizitën e tij në Bruksel gjatë Forumit të Bashkimit Demokrat.
Berisha shprehet se vizita e tij ishte për të denoncuar farsën elektorale.
“Dje u ktheva nga Brukseli, ku mora pjesë në Forumin e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, organizatë të qendrës së djathtë dhe konservatore. Qëllimi i këtij udhëtimi ishte mbrojtja e votës së qytetarëve shqiptarë. Denoncimi i farsës më të shëmtuar elektorale dhe i 34 viteve elektorale të 11 majit 2025. Gjatë dy ditëve në Bruksel unë pata takime intensive me drejtuesit kryesorë të Bashkimit Ndërkombëtar, me Stefan Harper dhe Sekretarin e Përgjithshëm Tina Mercep, ndër të tjera takova shumë miq të vjetër por edhe miq të rinj në Europë dhe në botë. Takova europarlamentarë me interesa për proceset elektorale në Shqipëri”, tha Berisha.
Berisha tha se bonusi i pensionistëve ishte blerje e votës së tyre nga qeveria.
“Në të gjitha këto takime unë njoha bashkëbiseduesit e mi me vjedhjen e madhe nga narkodiktatori Edi Rama. Në këtë aspekt u paraqitën vendimet e qeverisë për bonusin famoz, 100 euro për votë për çdo pensionist dhe për të falur gjobat. Punësimet, dhjetëra mijëra punësime për votë dhe dhjetëra hektarë kanabis për votë”, u shpreh Berisha.
Një mesazh kryedemokrati e kishte edhe për ambasadat.
“Të garantoj që shpejt ambasadat e narkodiktatorit do të rrethohen nga populli, të cilit iu shkelmua vota. Edi Rama ka shpalosur armiqësinë më të egër ndaj votës së shqiptarëve. Këtë mandat nuk do ta përfundojë për këtë masakër elektorale”, tha Berisha.
Partia Demokratike është shprehur kundër certifikimit të rezultatit zgjedhor të 11 majit, duke e quajtur farsë politike./e.s