Ministri i Drejtësisë prezantoi në Prokurorinë e Përgjithshme rekomandimet e qeverisë në luftën kundër krimit. Në qendër të prezantimit ishin tetë shtylla kryesore, të cilat sipas Manjës synojnë rritjen e efektivitetit të sistemit të drejtësisë penale, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Një tjetër pikë kyçe në fjalën e ministrit ishte ruajtja e sekretit hetimor. Manja nënvizoi nevojën për një angazhim më të madh në luftën ndaj krimeve kibernetike. Ministri i Drejtësisë bëri thirrje për përshpejtimin e procedurave hetimore dhe shmangien e vonesave.
Por, i pranishëm në mbledhje, kreu i SPAK, Altin Dumani shprehu rezerva mbi përmbajtjen dhe qartësinë e disa prej rekomandimeve të paraqitura nga qeveria.Ai theksoi se një pjesë e tyre janë të paplota, pasi nuk shoqërohen me të dhëna konkrete, ndërsa disa të tjera përmbajnë terma shumë të përgjithshëm.
“Rekomandimet po gjejnë zbatim në SPAK, por nuk shoqërohen me të dhëna statistikore. Disa rekomandime duken subjektive. Rekomandimet shpesh herë kanë fraza të përgjithshme. Rekomandimet mund të mbeten deklarative dhe jo të zbatueshme. Në tërësi, rekomandimet janë të mirëpritura, por disa rekomandime, nga mënyra sesi janë, paraqesin vështirësi sesi do gjejnë zbatim konkret”, tha Dumani./e.s