Rrëmbeu çmimin e dytë pak ditë më parë në Turqi në një konferencën ndërkombëtare të studentëve të mjekësisë. Prezantimi i saj oral për “Nivelet e ankthit tek prindërit e pacientëve pediatrikë” u vlerësua nga Juria Akademike e Konferencës si më e mira në kategorinë “Best Oral Presentation”.
Prenejda Hida, studentja e vitit të gjashtë të Fakultetit të Mjekësisë thotë për mediat se u ndje e shpërblyer pasi një viti punë kërkimore – shkencore.
“Fakti që ndodhesha mes studentëve të mjekësisë nga shumë vende të botës , ishte një eksperiencë shumë e veçantë sepse më bëri të mësoja më shumë mbi kërkimin shkencor dhe mënyrën se si duhet ta referojmë atë ndërkohë që mësuam shumë edhe nga njëri – tjetri. Fakti që mora çmimin e dytë ishte një vlerësim shumë i madh për mua e për punën e bërë është një studim që më ka marrë rreth një vit kohë, duke punuar për rezultatet e tij se bashku me prof. Eliziana Petrela që e falenderoj shumë dhe jam krenare që pati një rezultat të tillë mes shumë studentëve nga Çekia, Rusia, Maqedonia, Afrika e Jugut, Tunizia, Marok etj”, tha studentja Hida.
Mbi gjetjet e referuara në Turqi , Prenejda thotë se studimi nxori që mbi 50% e prindërve të intervistuar në pediatrinë e QSUT-së gjatë kohës që kishin fëmijët nën trajnim, treguan nivele të larta të ankthit
“Ajo që zbuluam nga pyetësorët e zhvilluar në rreth 140 prindër që shtruan fëmijët në QSUT për trajtime e terapi të ndryshme, ishte se mbi 50% e tyre kishin nivele të larta të ankthit. Ky rezultat tregoi se psikologët e qendrave spitalore nuk duhet të punojnë vetëm me fëmijët por edhe prindërit pasi një gjendje e tillë psikologjike, me nivele të tilla të ankthit ndikon shumë në prognozën e fëmijës”, tha ajo.
Në kongresin e studentëve të mjekësisë morën pjesë rreth 2000 studentë nga vende të ndryshme të botës ndërsa në konferencën “Cansağlıgı International Medical Students Conference” , që u mbajt në Haliç University në Stamboll, Turqi garuan rreth 50 studentë.
Studentja ekselente nga Elbasani thotë se të qenit mjek i mirë është e lidhur ngushtë me kërkimin shkencor pasi vetëm në këtë formë mjekësia mund të përparojë. e.t.