Britania kritikon ashpër Izraelin: Të tmerruar nga ajo që po ndodh në Gaza!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

“Ajo që po shohim në Gaza është e papranueshme, absolutisht e patolerueshme. Nuk mund të lejojmë që palestinezët të vdesin nga uria. Jemi të tmerruar nga përshkallëzimi izraelit.” Kryeministri britanik Keir Starmer është i tronditur nga ajo që po ndodh në Rripin e Gazës dhe kështu sot Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të thërrasë ambasadoren izraelite në Londër, Tzipi Hotovely, të vendosë sanksione ndaj kolonëve të rinj në Bregun Perëndimor dhe të ndërpresë negociatat për një traktat të tregtisë së lirë me Izraelin.

Është një lëvizje shumë e ashpër ajo e Londrës kundër kryeministrit Netanyahu dhe qeverisë së tij. Reagimi nga pala izraelite nuk ka vonuar. “Edhe përpara njoftimit të sotëm (për pezullimin e negociatave mbi marrëveshjen tregtare) çështja nuk është promovuar kurrë nga qeveria aktuale britanike”, u përgjigj ministria e Jashtme izraelite, “nëse, për një obsesion anti-izraelit dhe për arsye politike të brendshme, qeveria britanike është e gatshme të dëmtojë ekonominë e saj, është një vendim i saj. Mandati britanik përfundoi saktësisht 77 vjet më parë. Presionet e jashtme nuk do ta devijojnë Izraelin nga rruga e tij”.

Por qeveria Starmer është e vendosur të vazhdojë dhe të shtojë presionin për të ndalur operacionet ushtarake izraelite, tashmë të konsideruara të papranueshme dhe të paqëndrueshme, si në Gaza ashtu edhe në Bregun Perëndimor. “Kemi miratuar një paketë të re sanksionesh që synon tre persona”, shpjegon Ministria e Jashtme, “mes tyre edhe udhëheqësja e njohur ekstremiste e vendbanimeve Daniella Weiss, dy avanposte të paligjshme dhe dy organizata të përfshira në akte dhune, nxitje dhe mbështetje ndaj komuniteteve palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar.”

Masat përfshijnë kufizime financiare, ndalim udhëtimi dhe përjashtim nga drejtimi i bizneseve, dhe shtohen ndaj sanksioneve tashmë të vendosura ndaj 18 individëve dhe entiteteve të tjera për episode të rënda dhune në Bregun Perëndimor. Sanksionet, shpjegon Londra, “vijnë si përgjigje ndaj një rritjeje dramatike të dhunës nga kolonët izraelitë në territoret e pushtuara: sipas të dhënave të OKB-së, mbi 1.800 sulme janë regjistruar që nga fillimi i vitit 2024.”

Njëkohësisht, ministri i Jashtëm britanik David Lammy njoftoi sot në Dhomën e Komunave pezullimin zyrtar, me efekt të menjëhershëm, të negociatave për një marrëveshje të re tregtare me Izraelin. Megjithëse marrëveshja ekzistuese tregtare mbetet në fuqi, Londra e konsideron të papranueshme të vazhdojë bisedimet me një qeveri të Netanyahu-t që ndjek politika të cilësuara si “rëndë dëmtuese”, si në Bregun Perëndimor ashtu edhe në Gaza.

Lexo edhe :  Tornado dhe stuhi të fuqishme godasin SHBA/16 viktima dhe mbi 700 mijë banesa pa energji

“Kam parë me sytë e mi pasojat e dhunës së kolonëve. Kam takuar të plagosur, kam ndjerë frikën që jetojnë. Kam vëzhguar mosndëshkimin e atyre që kryejnë këto akte”, tha Lammy në Westminster, “sanksionet ndaj Daniella Weiss dhe të tjerëve tregojnë vendosmërinë tonë për të mbajtur përgjegjës kolonët ekstremistë, ndërsa komunitetet palestineze vazhdojnë të vuajnë nga frikësimet dhe dhuna. Qeveria izraelite ka përgjegjësinë të ndërhyjë për të ndalur këto sulme. Dështimi i vazhdueshëm për ta bërë këtë, vë në rrezik komunitetet palestineze dhe perspektivën e zgjidhjes me dy shtete.”

Lammy theksoi gjithashtu kundërshtimin e qartë të Mbretërisë së Bashkuar ndaj operacionit të ri dhe masiv tokësor të Izraelit në Gaza, duke denoncuar rrezikun e urisë për popullsinë dhe duke dënuar fuqishëm planet izraelite për të detyruar palestinezët të përqendrohen në një cep të Rripit. Lammy përsëriti gjithashtu kërkesën që Hamasi të lirojë menjëherë dhe pa kushte të gjithë pengjet, duke nënvizuar se lëvizja nuk mund të vazhdojë të administrojë Gazën.

Dje publikua një deklaratë e përbashkët e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Kanadasë që dënonte zgjerimin e operacioneve ushtarake izraelite dhe shumimin e vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor. Tre vendet kanë paralajmëruar tashmë se, në mungesë të një ndryshimi drejtimi nga ana e Izraelit, do të ndërmerren masa të mëtejshme. Nuk përjashtohet, në këtë pikë, asnjë njohje e njëanshme e një shteti palestinez.

Zëvendësministri i Jashtëm britanik me përgjegjësi për Lindjen e Mesme, Hamish Falconer, shtoi: “Sot do t’i shpreh ambasadores Hotovely kundërshtimin e qeverisë britanike ndaj përshkallëzimit krejtësisht disproporcional të operacioneve ushtarake në Gaza, dhe do të theksoj se bllokimi i ndihmave, i cili ka zgjatur njëmbëdhjetë javë, është mizor dhe i pajustifikueshëm. Do t’i kërkoj Izraelit të ndalojë zgjerimin e vendbanimeve dhe dhunën e kolonëve në Bregun Perëndimor. Izraeli duhet të respektojë detyrimet e tij në bazë të së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare dhe të garantojë një akses të plotë, të shpejtë dhe të sigurt për ndihmat humanitare për popullsinë e Gazës. Sasia aktuale e ndihmave është krejtësisht e pamjaftueshme. Duhet të arrihet menjëherë një armëpushim, lirimi i të gjithë pengjeve dhe nisja e një rruge të besueshme drejt zgjidhjes me dy shtete”, përfundoi Falconer, “e vetmja rrugë për të garantuar paqe dhe siguri të qëndrueshme si për palestinezët ashtu edhe për izraelitët.”/La Repubblica

Të fundit

Tottenham thyen “mallkimin” pas 17 vitesh dhe fiton trofeun e Europa League ndaj United

Tottenham i është kthyer fitoreve të  trofeve duke fituar pas 41 vitesh nga hera e fundit turneun e Ligës...

Gjysmëfinalja e Nations League ndaj Spanjës, Franca publikon listën

Franca do të përballet me Spanjën në fillimin e qershorit, në sfidën e vlefshme për gjysmëfinalen e Nations League. Para sfidës, trajneri i “Gjelave”,...

I penduari Nuredin Dumani, zbulohet për herë të parë akt-marrëveshja me drejtësinë

Pas transferimit në spitalin e burgut, në prani të ish drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe ish drejtorit të Krimeve, ai shprehu gatishmërinë për...

FOTO: kush është “Visi i Pojës”, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës

Personi në foto është Elvis Doçi i njohur me nofkën "Visi i Pojës", ndaj të cilit ka një urdhër arrest si pjesë e grupit...

Dini gjë pse është zhdukur Floriana Garo?

Që nga 11 maji, një personazh interesant nuk është dukur më në rrjetet sociale dhe konferencat për shtyp të PD. Bëhet fjalë për zëdhënësen...

Lajme të tjera

Web TV