Që nga 11 maji, një personazh interesant nuk është dukur më në rrjetet sociale dhe konferencat për shtyp të PD. Bëhet fjalë për zëdhënësen e Sali Berishës, Floriana Garon, e cila herën e fundit që ka dalë publikisht në selinë e PD-së ka qenë ditën e zgjedhjeve. Pas kësaj dite, pavarësisht denoncimeve të ashpra të bëra nga Sali Berisha në selinë e PD-së, zonja Garo nuk është shfaqur krah tij. Madje, në rrjetet e saj sociale mungojnë postimet në mbështetje të aksionit të PD-së, përveç një fotoje me “fituesin moral” të Tiranës, doktor Ilir Alimehmetin.
Në vend të Florianës, më aktive në rrjetet sociale në krah të PD-së dhe kryetarit të saj duket një personazh i ri, më pak i njohur, që gjatë fushatës, me një celular në dorë, u pa teksa filmonte në takime Sali Berishën. Vajza, me emrin Alisa dhe me karrierë të ngjashme televizive me Florianën, duket në përpjekje të ethshme për t’ia zënë vendin si “shoqëruesja e parë” e Sali Berishës në aktivitete partiake. Me gjasë, zonja Garo, e qejfmbetur nga fakti që nuk zuri një vend në listat e mbyllura të PD-së, e sheh veten pak të tepërt për të bërë një betejë të re ku ajo do të ishte thjesht një zë, por pa asnjë peshë politike, shkruan VNA.
Ish-prezantuesja e motit në TV Klan vijoi një karrierë për t’u pasur zili në televizion dhe më pas në PD. Fillimisht si zëdhënëse e fushatës së Lulzim Bashës në vitin 2021 dhe më tej si një nga besniket e Sali Berishës, por që nuk u shpërblye me një vend në parlament. Në fakt, nuk është e rrallë që partitë politike të përdorin vajzat simpatike të ekraneve televizive si lexuese të deklaratave politike. Një praktikë të ngjashme ndoqi dhe Edi Rama katër vjet më parë, teksa lexuesen e deklaratave për shtyp në selinë e PS-së e shpërbleu me postin e ministres për Rininë. Por Bora Muzhaqi pati fat ose zgjodhi partinë e duhur për të bërë karrierë. Lexueset e deklaratave të PD-së duhet të presin pak më gjatë për të marrë një shpërblim nga kryetari i partisë. Ose do t’u duhet thjesht të zëvendësohen nga një lexuese më e re. m.p.